LAJMI I FUNDIT:

Njeriu më i trashë në botë dobësohet për 230 kilogramë

Njeriu më i trashë në botë dobësohet për 230 kilogramë

Meksikani Manuel Uribe, i cili në vitin 2007 ishte regjistruar në librin e rekordeve Guinness si njeriu më i rëndë në botë, ka njoftuar këto ditë se është dobësuar për 230 kilogramë pas dietës së filluar në fillim të vitit 2006. Ai më parë kishte 570 kilogramë, njofton AFP.

"Kjo është një festë e madhe. Ndihem shumë mirë, ndërsa doktorët thonë se asnjëherë më parë nuk kam qenë më i shëndetshëm", ka deklaruar Uribe në bisedën telefonike për korrespondentin e AFP-së.

Ushqimi i kontrolluar dhe ushtrimet fizike të cilat i ka kryer në krevatin e tij, i kanë mundësuar Uribes që të zvogëlojë peshën e tij në 340 kilogramë. Qëllimi i tij, megjithatë, mbetet që gjatë katër vjetëve të ardhshme të kthehet në peshën prej 120 kilogramësh.

Manuel Uribe (41-vjeçar), i gjatë 1.94 metra qysh prej vitit 1992 ka filluar të trashet për së tepërmi, dhe si pasojë, nuk ka mundur të lëvizë. Ai jeton në shtëpinë e tij në Monterrey në veri të Meksikës, ku e ëma dhe e fejuara e tij përkujdesen për të.


Deri në moshën 22-vjeçare ai ka pasur 130 kilogramë dhe atëbotë ka jetuar e punuar normalisht në SHBA. "Atëherë kam filluar të trashem shumë shpejt dhe pa ndalim", ka deklaruar Uribe në një intervistë televizive gjatë vitit të kaluar.