LAJMI I FUNDIT:

Padisin fqinjën sepse pi shumë duhan

Padisin fqinjën sepse pi shumë duhan

Banorët e një ndërtese në New York kanë paditur në gjyq fqinjën e tyre, për shkak se ajo pi së tepërmi duhan, dhe se e tërë ndërtesa ka marrë erë nga cigaret e saj.

Çifti i avokatëve, Jonathan dhe Enny Needleman Selbin, në tekstin e padisë pohojnë se banesës së tyre, në ndërtesën Ansonia të Manhattanit, "i vije era si kazino", për shkak të fqinjës Galila Huff, e cila pi duhan dhe mbush banesën e tyre dhe korridoret, qysh prej se ata janë vendosur aty, në vitin 2003.

Tymi kohë pas kohë është futur drejtpërdrejt në banesën e çiftit Selbin, nëpërmjet hapjeve të përbashkëta të ventilimit, shkruan në padi. Çifti po ashtu pohon se ka frikë se pirja pasive e duhanit paraqet “rrezik të madh” për djalin e tyre Charlie, i cili së shpejti i mbush katër vjet.

Çifti pohon po ashtu se pronarët e ndërtesës, në vitin 2007, kanë rinovuar sistemin e ventilimit dhe se gjendja prej asaj kohe është më e mirë, por edhe se tymi i cigares edhe më tutje mbush korridoret e ndërtesës.