LAJMI I FUNDIT:

Nuk të lënë as të rruhesh gjatë vozitjes!

Nuk të lënë as të rruhesh gjatë vozitjes!

Ngasësit e automjeteve në Meksikën veriore të cilët kapen duke u lyer me buzëkuq, duke u rruar, apo duke mbajtur kafshë në prehër derisa vozisin, tani do të përballen me gjoba të majme, pasi që autoritetet e këtij vendi janë duke tentuar të zvogëlojnë numrin e aksidenteve.

Që prej këtij muaji, vendosja e manikyrit apo rruajtja me brisk elektrik do të gjobitet deri në 346 pezo (32 dollarë) në qytetin verior meksikan Torreon, kanë raportuar mediat lokale.

Së bashku me një mori të gjobave të larta për shkelje të rëndomta trafiku, siç janë vozitja nën ndikim të alkoolit, shpejtësia e madhe dhe biseda me celular pa kufje, komuna e qytetit Torreon ka thënë se, keqbërjet përfshinë hedhjen e mbeturinave nga dritarja dhe vozitjen me ndonjë person apo kafshë në prehër.

Komunat e ndryshme në mbarë Meksikën janë duke forcuar ligjet, pasi që ngasësit vazhdimisht injorojnë semaforët, vozisin të dehur, apo me fëmijë në ulësen e parë, dhe bartin udhëtarë në pjesën e prapme të kamionçinave. Si pasojë e këtyre shkeljeve aksidentet fatale janë të rëndomta.