LAJMI I FUNDIT:

Detari kthehet nga të vdekurit

Detari kthehet nga të vdekurit

Një detar polak, i cili u kthye nga peshkimi për të kuptuar se e kanë shpallur të vdekur, ka dështuar t’i bind burokratët se ai ende është gjallë.

Piotr Kucy, 37-vjeçar, ka thënë: "Kam qëndruar para tyre dhe iu kam thënë shikoni, unë jam gjallë, por ata nuk donin ta pranonin".

Kucy u largua nga shtëpia e tij në portin Swinoujscie për një peshkim dyjavor, por kur u kthye mori vesh se autoritetet e kishin shpallur atë të vdekur, pasi që kishin identifikuar një trup të vdekur, i cili ishte gjetur në breg të detit.

Ai ka thënë se që prej atëherë, autoritetet lokale kanë refuzuar ta pranojnë atë si të gjallë.


"Kur u ktheva dhe të afërmit e mi më panë, atyre u ra të fikët. Ata veçse më kishin varrosur, ndërsa unë i gjallë qëndroja para tyre”, ka thënë ai.

"Policia kishte gjetur një trup të vdekur dhe, kur një mik i imi kishte thënë se përngjanë me mua, ata shumë shpejt më deklaruan të vdekur. Familja ime më ka thënë se nuk ishte lejuar ta shikonte trupin si duhet. Kështu që unë u shpalla i vdekur dhe u varrosa më pas”, ka shtuar Kucy.

"Por tani unë jam gjallë dhe autoritetet nuk duket se dëshirojnë të bëjnë ndonjë gjë. E kam kontaktuar prokurorinë në Swinoujscie duke i kërkuar të më kthejnë prapa. Pesë muaj kanë kaluar që prej atëherë, dhe asnjë nuk ka lëvizur. Asnjë përgjigje. Më duhet të punoj, të siguroj veten, por nuk mundem sepse ende jam i vdekur!", ka përfunduar polaku.