LAJMI I FUNDIT:

Në aeroport me uniformë të Al Qaeda-s

Në aeroport me uniformë të Al Qaeda-s

Dy gazetarë kanë arritur të futen në një aeroport rumun, të veshur me uniforma ajrore të organizatës terroriste, Al Qaeda, e madje edhe të vendosnin bomba të rrejshme brenda aeroportit.

Tashmë ka filluar hetimi se si – këta dy gazetarë – kishin arritur të futeshin në aeroportin Baneasa të Bukureshtit, me kapele në kokë dhe me logo identifikuese "Al Qaeda Airlines".

Alexandru Cautis dhe Catalin Prisacaru nga gazeta “Academia Catavencu”, janë futur në parkingun e stafit, që konsiderohej si një vend i sigurt në aeroport.

Ata kanë vendosur bomba të rrejshme në aeroplanët e pasagjerëve, pak para se të niseshin në pjesën e aeroportit të rezervuar për ushtri.


Edhe aty, ata janë sjellë pa u penguar nga askush, kësaj radhe rreth një aeroplani të tipit Hercules, të cilin madje edhe kanë mundur fare lehtë ta rrëmbenin.

"Kemi dëgjuar nga njerëzit se aeroporti është goxha keq i siguruar, dhe kemi pasur dëshirë të vërtetonim këtë gjë. Kemi mundur të fusnim brenda armë të llojit bazooka ose edhe dinamit, dhe atë pa kurrfarë problemi”, kanë thënë gazetarët.

Ministria e Transportit e Rumanisë tashmë ka filluar hetimin rreth kësaj ngjarjeje.