LAJMI I FUNDIT:

172 medalje për kosovarët në Botërorin e Karatesë

172 medalje për kosovarët në Botërorin e Karatesë

Për tri ditë rresht, afro 1000 garues nga 24 shtete botërore zhvilluan 862 ndeshje në kuadër të Kampionatit Botëror të Shotokanit në karate të zhvilluar në kryeqytetin kosovar, Prishtinë. Federata e Karatesë së Kosovës (FKK) pati mundësinë që të organizojë këtë ngjarje të rëndësishme botërore me mbështetjen e plotë të Unionit Botëror të Shotokanit në Karate (WSKU).

E suksesi për vendasit nuk mungoi. Garuesit kosovarë, që bindshëm ishin më të shumtë në numër në krahasim me garuesit nga shtetet tjera, bindshëm edhe dominuan në renditjen e medaljeve. Ata i fituan plot 172 të tilla, prej të cilave 49 të arta, 44 të argjendta dhe 79 të bronzta. E, sikurse në dy ditët e para ku garuan karateistët nën moshën 13-vjeçare, përkatësisht në dytën e dytë kadetët e juniorët, edhe në ditën finale dominuan kosovarët në shumicën e kategorive.

Në duelet finale kryesore, dy karateistët e suksesshëm kosovarë, Herolind Nishevci dhe Alvin Karaqi arritën të fitonin medaljen e artë. Alvini fitoi në kumite në kategorinë -84, teksa Herolindi në +84. Karaqi në duelin e tij final mposhti Astrit Ndrecajn bindshëm 8:0, teksa Nishevci në finale nuk pati fare kundërshtar, duke triumfuar pa luftë. /Arena/Telegrafi/