LAJMI I FUNDIT:

12-vjetori i çlirimit të Kosovës

Këtë javë, Kosova shënoi 12-vjetorin e çlirimit me hyrjen e trupave të NATO-s në territorin e saj me 12 Qershor 1999, duke i dhënë kështu fund luftës dhe sulmeve të aleancës së NATO-s kundër objektivave serbe anë e mbanë Serbisë, duke përfshirë edhe kryeqytetin e saj, Beogradin.
(Për të shënuar këtë përvjetor, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë është hapur ekspozita “Amerika për Kosovën” e organizuar nga Republika e Kosovës, si një shprehje e mirënjohjes së shqiptarëve për rolin që luajtën Shtetet e Bashkuara në çlirimin dhe më në fund në pavarësinë e Kosovës).

Si rrjedhim i përkeqësimit të krizës në Kosovë, më 12 Qershor, 1998, në mbledhjen e ministrave të mbrojtjes të Këshillit të Atlantikut Verior, u kërkua shqyrtimi i masave që mund të merrte NATO-ja në lidhje me situatën e krijuar duke çuar në konsiderimin e një numri opsionesh ushtarake kundër Serbisë. Pas dështimeve të njëpasnjëshme diplomatike për të bindur Millosheviqin që të tërhiqte forcat e tij nga Kosova, që të bashkëpunonte në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund dhunës së forcave të tij kriminale kundër shqiptarëve dhe që të ndihmonte në lehtësimin e kthimit të refugjatëve në shtëpitë e tyre, Shtetet e Bashkuara në Mars të vitit 1999, dërgojnë ambasadorin Holbruk në Beograd, në një përpjekje të fundit me ultimatum, për të bindur Milosheviqin që të ndalonte sulmet kundër shqiptarëve ose të përballej me sulmet ajrore të NATO-s. Millosheviqi refuzon rishtas, dhe me 23 Mars, 1999, NATO jep urdhrin për sulme ajrore kundër Serbisë. Sulmet ajrore që kishin vazhduar për 77 ditë, u anuluan me 10 Qershor, pasi Komandanti Suprem i NATO-s Gjenerali Uesli Klark i raportoi Këshillit të Atlantikut Verior se sulmet ajrore të aleancës kishin detyruar Millosheviqin të fillonte tërheqjen e plotë të forcave serbe nga Kosova, duke çuar kështu në hyrjen, në Kosovë, të elementeve të parë ushtarakë të NATO-s, me 12 Qershor, 1999 – duke e shënuar këtë datë për gjithmonë si një nga datat më të rëndësishme të historisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar.

Megjithëse misioni i aleancës së NATO-s deri atëherë ishte që të siguronte mbrojtjen e përbashkët të anëtarëve, sulmi kundër Serbisë, e në mbrojtje të popullit shqiptar në Kosovë, ishte lufta e parë e kësaj aleance ushtarake jashtë mandatit të saj. Lufta në Kosovë, si pasojë, ishte një provë serioze në historinë 50-vjeçare të aleancës, me ndërlikime të paparashikueshme, me mundësi edhe përçarje në radhët e saj. Karakteristikë e kësaj lufte ishte gjithashtu fakti se ndërhyja e Perëndimit në Kosovë u frymëzua dhe u justifikua sa nga motivet humanitare aq edhe nga konsideratat gjeopolitike. Në Kosovë nuk kishte rezerva nafte, ndaj kjo ndërhyrje u ndërmor vetëm e vetëm për të mbrojtur popullsinë civile shqiptare që brutalizohej nga ushtria, policia dhe nga grupet paramilitare serbe. Situata e krijuar në Kosovë nga sulmet barbare serbe nuk ishte parë në Evropë e ndoshta as në botë, që prej Luftës së Dytë Botërore. Statistikat e asaj kohe flasin vete për gjendjen e tmerrshme dhe për përmasat që kishte marrë kriza dhe konflikti. Sipas NATO-s, deri në fund të Majit të vitit 1999, mbi 230.000 refugjatë shqiptarë ishin detyruar të shkonin në Maqedoni, mbi 430.000 kishin gjetur strehim në Shqipëri dhe nja 60.000 të tjerë ishin arratisur në Mal të Zi. 21.000 të tjerë u dërguan në Bosnje dhe 61.000 veta ishin transportuar në vende të tjera. Në Kosovë, në atë kohë, konsiderohej se 580.000 shqiptarë ishin të pa strehuar. Pothuajse 90% e popullsisë së Kosovës ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre me forcë.


Megjithëkëtë pasqyrë tragjike, disa anëtarë të NATO-s si Greqia, një aleate kjo e vjetër e Serbisë, shprehen shqetësimin për të mos thënë kundërshtimin e tyre të plotë për sulmet kundër Serbisë, por më në fund ndonëse Athina dhe të tjerët nuk ishin aspak entuziastë për këtë operacion, pranuan pas presioneve nga Uashingtoni që NATO të ndërmerrte sulmet kundër forcave barbare serbe, më shumë si një masë për hir të ruajtjes së unitetit të aleancës dhe jo nga ndonjë shtyrje morale për të mbrojtur shqiptarët në Kosovë. Është meritë e Presidentit amerikan Bill Klinton, Kryeministrit britanik Toni Bler dhe Presidentit francez Zhak Shirak që NATO-ja ruajti kohezionin e saj, ndërsa lufta po vazhdonte dhe konflikti po intensifikohej në Kosovë. Edhe Sekretarja Amerikane e Shtetit, Madelin Ollbrajt, e rritur gjatë një periudhe tjetër konfliktesh në Evropë, luajti një rol të rëndësishëm për të bindur aleatët e Amerikës në Evropë se lufta kundër Serbisë ishte e drejtë, legale dhe e justifikueshme, pasi barbarizmat serbe në Kosovë po krijonin një tragjedi humanitare që mund të destabilizonte Evropën juglindore dhe ndoshta të gjithë Evropën.

Analistët dhe historianët do ta shikojnë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë,- një aleancë kjo që ishte krijuar me qellim për të mbrojtur territorin dhe interesat e vendeve anëtare – jo vetëm si lufta e parë e aleancës së NATO-s jashtë kufijve dhe jurisdikcionit të saj, por edhe si një luftë që u bë krejtësisht nga ajri, si një luftë pa dërguar forca tokësore dhe pa humbur asnjë ushtar. Ndërhyrja e Perëndimit në Kosovë shkaktoi gjithashtu krizë dhe luhatje të mëdha në skenën ndërkombëtare të asaj kohe, pasi afektoi në mënyrë serioze jo vetëm marrëdhëniet brenda aleancës së NATO-s, por preku seriozisht edhe marrëdhëniet e vendeve anëtare të NATO-s me Rusinë e Kinën, të cilat kundërshtuan me mish e me shpirt ndërhyrjen e NATO-s në përkrahje të popullsisë shqiptare në Kosovë, siç kundërshtojnë edhe sot pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar operacionin ushtarak si një përzierje në punët e brendshme të Serbisë.

Sulmet e NATO-s kundër Serbisë dhe fushatës së terrorit të Milosheviqit mbi popullsinë shqiptare dhe hyrja e ushtarit të parë amerikan në tokën e Kosovës, 12 vjet më parë, ishin të drejta, ligjore dhe të justifikueshme. Hyrja e forcave të para të NATO-s në Kosovë me 12 Qershor, 1999 do të shënohet dhe do të shkruhet me shkronja të arta përgjithmonë në historinë e kombit shqiptar. Presidenti Klinton pat thënë në atë kohë se, “fuqia ushtarake dhe vendosmëria morale e përbashkët e Evropës dhe Amerikës veriore”, detyroi forcat serbe të largoheshin nga Kosova, dhe të bënte të mundur që një forcë ndërkombëtare të vendosej atje për të mbrojtur popullin e Kosovës dhe mundësoi kthimin e qindra mija refugjatëve në shtëpitë e tyre, gjë që më në fund çoi në pavarësinë dhe lirinë që gëzon sot Kosova.

Bota perëndimore e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, triumfoi kundër forcave të errëta të nacionalizmit serb të kryesuar nga Milosheviqi, duke bërë të mundur që e mira të fitonte mbi të keqen. Qershorin e vitit 1999, Perëndimi, me ndërhyrjen e ushtarake bëri atë që ishte e drejtë dhe legjitime duke shpëtuar gjysmën e kombit shqiptar nga shfarosja, dhe sipas një komentatori amerikan konservator të kohës, Uilliam Safajer, jo vetëm që nga ndërhyrja e NATO-s përfituan shqiptarët e Kosovës duke shpëtuar nga terrori serb, por në të njëjtën kohë, tha ai, “Qytetërimi është më i qytetëruar”, si rrjedhim i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, 12 vjet më parë.

Në trend

Më shumë

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Kosovari vrau kushëririn në Zvicër pas konfliktit për një mur në Kosovë - gjykata jep detaje

Lajme

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Kalo në kategori