LAJMI I FUNDIT:

Raportimi i keq: Kush i furnizon lajmet?

Raportimi i keq: Kush i furnizon lajmet?
Ilustrim
-->

Patrick Cockburn

Pika më e ulët e mbulimit mediatik perëndimor i luftërave në Irak dhe Siri ka qenë raportimi i rrethimit të Alepit lindor, i cili filloi seriozisht në korrik dhe përfundoi në dhjetor, kur forcat qeveritare siriane morën kontrollin e zonave të fundit të mbajtura nga rebelët dhe më shumë se 100,000 civilë u evakuuan. Gjatë bombardimeve, rrjetet televizive dhe shumë gazeta u duke se humbën interes nëse çdo raport i transmetuar ishte i vërtetë apo fals dhe në vend të kësaj konkurruan me njëra me tjetrën për të transmetuar ngjarjen mizore më të kapshme nga syri, edhe kur kishte dëshmi të pakta se ajo kishte ndodhur.

Lajmet e NBC-së raportuan se më shumë se 40 civilë qenë djegur të gjallë nga trupat qeveritare, duke e treguar burimin e ngjarjes tek “media arabe”. Një tjetër ngjarje e raportuar gjerësisht – bëri kryelajm kudo, nga Daily Express tek New York Times – ishte se 20 gra patën kryer vetëvrasje po atë mëngjes për të shmangur përdhunimin nga ushtarët që po vinin, me burimin në këtë rast se ishte një rebel i mirënjohur, Abdullah Othman, në një kuotë prej një fjalie të dhënë për Daily Beast.

Më e besueshmja e këtyre ngjarjeve mizore u dha në mbulim mbarëbotëror nga Rupert Colville, zëdhënësi për UN High Commission for Human Rights, i cili tha me 13 dhjetor se agjencia e tij kishte marrë raportime të besueshme se 82 civilë, përfshi 11 gra dhe 13 fëmijë, qenë vrarë nga forcat proqeveritare në disa vende të përmendura të Alepit lindor. U tha edhe se emrat e të vdekurve diheshin. Hetime të mëtejshme nga UNHCHR-ja në janar e ngritën numrin e të vdekurve në 85, të ekzekutuar në një periudhë disa ditore. Colville tha se krimineli nuk ishte ushtria siriane, por dy grupe ushtarake proqeveritare – al-Nujabah nga Iraku dhe një grup sirian palestinez i quajtur Liwa al-Quds – motivet e të cilëve qenë “armiqësia personale dhe kushërinj kundër kushërinjve”.

I pyetur nëse kishte raportime të tjera civilësh që po ekzekutoheshin në javët finale të rrethimit, Colville tha se kishte raportime për anëtarë të opozitës së armatosur që po qëllonin njerëz të cilët po orvateshin t’i largoheshin enklavës rebele. Vrasja e 85 civilëve u konfirmua nga burime të shumta dhe vrasjet e një numri të panjohur njerëzish me bomba dhe granata qenë sigurisht mizori. Por mbetet një ekzagjerim i madh po të krahasosh ngjarjet e Alepit lindor – siç bënë gazetarë dhe politikanë në të dy anët e Atlantikut në dhjetor – me masakrimin masiv e 800m000 njerëzve në Ruanda në 1994 apo të më shumë se 7,000 njerëzve në Srebrenicë në 1995. Të gjitha luftërat prodhojnë ngjarje mizorie false – bashkë me mizoritë reale. Por në rastin sirian lajmet e fabrikuara dhe raportimet e njëanshme e kanë degraduar axhendën e lajmeve në një shkallë të paparë ndoshta qysh nga Lufta e Parë Botërore.

Lehtësia me të cilën propaganda mund të përhapet i atribuohet gjithnjë e më shpesh teknologjisë moderne të informacionit: YouTube, smartfonëve, Facebook, Twitter. Por kjo është të përjashtosh median kryeesore: është vështirë e habitshme që në një luftë civile secila palë do të përdorte çdo mjet në dispozicion për t’u bërë publicitet dhe ekzagjeruar krimet e tjetrit, teksa mohon apo fsheh veprime të ngjashme nga ana e forcave të tyre. Arsyeja e vërtetë që raportimi i konfliktit sirian ka qenë kaq i pakënaqshëm është se mediat perëndimore e kanë siguruar mbulimin e tij pothuajse tërësisht nga pala rebele.

Të paktën qysh nga 2013 ka qenë tejet e rrezikshme për gazetarët që të vizitonin zonat e mbajtura nga rebelët për shkak të frikëra të mirëbazuara se do të kidnapoheshin dhe do të mbaheshin për ndonjë shpërblim ose do të vriteshin, zakonisht me prerje koke. Gazetarët që e morën rrezikun mbi vete paguan një çmim të shtrenjtë: James Foley u kidnapua në nëntor të 2012 dhe u ekzekutua nga Shteti Islamik në gusht të 2014. Steven Sotloff u kidnapua në Alep në gusht të 2013 dhe ju pre koka shpejt pas Foley. Ama e ekziston një kërkesë publike e jashtëzakonshme për të ditur se çfarë po ndodh në vende të tilla dhe fiurnizuesit e lajmeve, pothuajse pa përjashtim, i janë përgjigjur nëpërmjet delegimit të raportimeve të tyre mediave dhe aktivistëve politikë lokale, që tani shfaqen rregullisht në ekranet televizive anembanë botës. Në zona të kontrolluara nga njerëz kaq të rrezikshëm asnjë gazetar i huaj nuk do të guxonte të shkelte midis tyre, nuk ka qenë kurrë e imagjinueshme që qytetarë vendorë të pavarur do të lejohej të raportonin lirisht.

Në Alepin lindor çdo raportim është dashur të bëhej me leje nga një prej grupeve salafite xhihadiste që dominonin opozitën e armatosur dhe kontrollonin zonën – përfshi Jabhat al-Nusra, i njohur më parë si dega siriane e al-Qaedas. Çfarë ndodh me njerëzit që kritikojnë, kundërshtojnë apo edhe veprojnë në mënyrë të pavarur prej këtyre grupeve ekstremiste u bë e qartë në një raport të Amnesty International të botuar vitin e kaluar dhe të titulluar “Torture Was My Punishment: Abduction, Torture and Summary Killings under Armed Group Rule in Aleppo and Idlib”. Ibrahimi, të cilin luftëtarët e al-Nusra e varën nga kyçet e duarve teksa e rrihnin pse kish mbajtur një mbledhje për të përkujtuar revoltën e 2011 pa lejen e tyre, është cituar të ketë thënë: “Kisha dëgjuar dhe lexuar rreth teknikave torturuese të forcave qeveritare të sigurisë.

Mendoja se do të isha i sigurt tash e prapa tani që po jetoj në një zonë të kontrolluar nga opozita. E kisha gabim. U jam nënshtruar të njëjta teknikave torturuese, por nga duart e Jabhat al-Nusra”.

Fakti që grupe të lidhura me al Qaedan kishin një monopol në furnizimin me lajme nga Alepi lindor nuk nënkupton domosdoshmërisht se raportimet në shtyp rreth efekteve shkatërrimtare të mitralimeve apo bombave qenë të pavërteta. Pamjet e godinave të rrafshuara dhe civilëve të mbuluar nga pluhuri nuk qenë të fabrikuara. Ama qenë selektive. Ja vlen të kujtohet se, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, kishte midis 8,000 dhe 10,000 luftëtarëve rebelë në Alepin lindor, megjithatë pothuajse asnjë nga videot televizive treguan ndonjë njeri të armatosur. Mediat perëndimore zakonisht i referoheshin këtyre grupeve që mbronin Alepin lindor si “opozita” pa përmendur aspak al-Qaedan apo grupet e lidhura me te.

Ekzistonte një supozim implicit se të gjithë banorët e Alepit lindor i kundërviheshin ashpër al-Assadit dhe mbështesnin rebelët, megjithatë është mbresëlënës dakti që ku ju ofrua një zgjedhje në mes të dhjetorit vetëm një të tretën e të evakuuarve – 36,000 – kërkoi që të çohej në Idlibin e zotëruar nga rebelët. Shumica – 80000 – zgjodhi që të shkonte territorin e zotëruar nga qeveria në Alepin perëndimor. Kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se prisnin që të trajtoheshin mirë nga autoritetet qeveritare, thjesht besonin se jeta nën rebelët do të ishte shumë më e rrezikshme. Në luftën civile siriane, zgjedhja është shpesh midis keq dhe nuk ka ku të shkojë më keq. Raportimi i anshëm i rrethimit të Alepit lindor e paraqiti atë si një betejë midis të mirës dhe të keqes: The Lord of the Rings, me al Assad dhe Putinin si Saruman dhe Sauron.

Nëpërmjet dhënies së kontrollit të agjendës së lajmeve militantëve vendas, mediat pa dashje u dhanë atyre një stimul për të eliminuar – nëpërmjet frikësimit, kidnapimit dhe vrasjes – çdo gazetar të pavarur, sirian apo jo sirian, që mund të kundërshtonte atë që po thonin. Liderët e huaj dhe media ndërkombëtare në të njëjtën kohë po predikonin masakrën në shkallën e masakrave më të këqija në historinë e pasluftës. Por, për turp, në kohën që rrethimit i erdhi fundi ata e kishin humbur krejtësisht interesin tek ngjarja dhe në faktin që tmerret që kishin raportuar kishin ndodhur apo jo. Akoma edhe më seriozisht, me përfaqësimin e rrethimit të Alepit lindor si tragjedinë më të madhe humanitare të 2016, ata e spostuan vëmendjen nga një tragjedi akoma edhe më e madhe që po ndodhte 300 milje në lindje në Irakun verior.

Sulmi kundër Mosulit, qyteti më i madh i mbajtur akoma nga Shteti Islamik, filloi me 17 tetor kur trupat ushtarake irakene, me mbështetjen e fuqisë ajrore të drejtuar nga amerikanët, hynë në zonat lindore të qytetit. Shpresat për një fitore të shpejtë u zhdukën shpejt kur ushtarët irakianë filluan të pësojnë humbje të rënda teksa njësi të vogla, por tejet të lëvizshme të Shtetit Islamik prej gjashtë vetash lëviznin nga shtëpia ne shtëpi nëpërmjet tunelesh të fshehta apo të çarash të hapura nëpër mure për të krijuar pozicione snajperi, vendosur bomba dhe eksploziv konvencional të improvizuar.

Vendorët, shtëpitë e të cilëve qenë marrë me forcë thonë se snajperët ishin çeçenë apo afganë që flisnin një arabishte të çalë. Këta luftëtarë mbështeteshin nga njerëz të Shtetit Islamik që gjithashtu ndihmuan të fshiheshin kamikazët, të cilët do të vozisnin makina të mbushura plot me dinamit. Pati 632 shpërthime autobombash gjatë 6 javëve të para të sulmit. Një skuadër e Shtetit Islamik do ta përdorte një shtëpi derikur ajo të lokalizohej nga forcat qeveritare irakiane dhe pritej që të shkatërrohej me armë të rënda apo goditjet e aviacionit të drejtuar nga amerikanët. Përpara se të ndodhte kundërsulmi, ata do të spostoheshin në një shtëpi tjetër. Tradicionalisht, Shtetit Islamik ka parapëlqyer taktika fluide, me çdo skuadër apo detashment ë vepron pavarësisht dhe me kontroll hierarkik të kufizuar. E përshtatur në një mjedis urban, kjo qasje u lejon grupeve të vogla të luftëtarëve që të shqetësojnë forca më të mëdha, nëpërmjet tërheqjes me shpejtësi dhe më pas infiltrimit në lagjet e kapura, kështu që ato duhet të rikapen gjithnjë e më shumë.

Qeveria irakiane dhe ajo amerikane kishin cdo arsye ta minimizonin faktin që patën dështuar ta merrnin Mosulin dhe në vend të kësaj kishin ngecur në betejën më të madhe të luftuar në Irak e në Siri qysh nga pushtimi amerikan i 2003. Qe vetëm javën e dytë të janarit që forcat speciale irakiane arritën Lumin Tigër pas luftimesh të ashpra: me mbështetjen e avionëve, helikopterëve, artilerisë dhe inteligjencës amerikane më së fundi kishin marrë kontrollin e Universitetit të Mosulit, që kishte shërbyer si seli qendrore e Shtetit Islamik për pjesën lindore të qytetit, bashkë më zonën prej 450,000 banorësh. Por, arritja e Lumit Tigër që larg nga përfundimi i luftimeve. Me 13 janar, Shteti Islamik hodhi në erë pesë ura që përshkonin lumin. Pjesa perëndimore e qytetit është një sfidë akoma edhe më e madhe: shtëpi e 750,000 banorëve, shumë prej të cilëve mendohen se janë simpatizantë të Shtetit Islamik, është një zonë më e madhe, më e varfër dhe më e vjetër, me rrugë dendura me popullsi që janë të lehta për t’u mbrojtur.

Vetëm agjencitë ndihmuese, duke u ndeshur me viktima civile të mëdha dhe perspektivat e një lufte deri në vdekje me Shtetin Islamik, e vlerësonin shkallën e asaj që po ndodhte: më 11 janar Lise Grande, koordinatore e UN Humanitarian në Irak, tha se qyteti po “dëshmonte një prej operacioneve më të mëdha ushtarake urbane qysh nga Lufta e Dytë Botërore”. Ajo paralajmëroi se intensiteti i luftimeve ishte i tillë sa që 47 për qind e atyre të trajtuar nga plagët prej armëve të zjarrit qenë civilë, shumë më tepër sesa në rrethimet e tjera që kishin përjetuar Kombet e Bashkuara. Paraleli më i afërt me atë që po ndodhte në Mosul do të ishte rrethimi i Sarajevës midis viteve 1992 e 1995, në të cilin u vranë 10,000 njerëz, apo rrethimi i Groznit në periudhën 1994-95, ku një numër civilësh i vlerësuar në rreth 5,500 u vranë. Por humbja e jetës në Mosul mund të ishte shumë më e madhe sesa në secilin prej këtyre qyteteve për shkak se mbrohej nga një lëvizje që nuk do të negocionte apo nuk do të dorëzohej dhe do të vriste cilindo që tregonte ndonjë shenjë lëkundjeje. Shteti Islamik beson se vdekja në betejë është shprehja supreme e besimit islamik, që përputhet fare mirë me një qëndrim deri në pikën e fundit të gjakut.

Shifrat për civilët e plagosur në Mosul gjatë tre muajve të fundit mund t’i kalojnë fare mirë ato në Alepin lindor gjatë të njëjtës periudhë. Kjo pjesërisht se 10 herë më shumë njerëz kanë ngecur në luftime në Mosul, popullsia e të cilit sipas Kombeve të Bashkuara është 1.2 milion banorë; 116,000 civilë u evakuuan nga Alepi lindor. Nga ky numër, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, 2126 të sëmurë dhe të plagosur në luftë u evakuuan nga spitalet. Humbjet në fushatën e Mosulit janë të vështira të përcaktohen, pjesërisht për faktin se qeveria irakiane dhe ajo amerikane e kanë patur të vështirë të japin shifra. Zyrtarët në Bagdad e denoncuan me zemërim UN Assistance Mission for Iraq kur njoftoi se 1959 ushtarë, policë irakenë, peshmerga kurdë dhe aleatë paraushtarake të tyre qenë vrarë vetëm në muajin nëntor.

Kombet e Bashkuara u detyruan që të bien dakord mos të japin informacion rreth viktimave ushtarake irakene në të ardhmen, por oficerë amerikanë konfirmuan se disa njësi në Divizionin e Artë prej 10,000 anëtarësh – një forcë elitare e stërvitur nga amerikanët brenda ushtrisë irakene ushtarët e të cilit paguhen më mirë – kishte pësuar 50 për qind të viktimave nga fundi i vitit. Qeveria irakiane ka qenë njëlloj e heshtur rreth numrit të viktimave civile dhe e vinte kufizimin e madh të saj në përdorimin e artilerisë dhe të fuqisë ajrore. Por mjekët në Kurdistanin irakian që po trajtonin njerëzit e larguar nga Mosuli qenë më pak të rzervuar: ata po ankoheshin se po mbyteshin nga njerëzit.

Më 30 dhjetor Rekawt Hama Rasheed, Ministri kurd i Shëndetësisë, tha se spitalet e tij kishin pranuar 13,500 trupa dhe civilë irakenë të plagosur dhe se po u mbaroheshin medikamentet. Sasia e humbjeve civile nuk ka rënë qysh atëhere: UN Office for the Coordination of Humanitarian Affairs në Irak tha se gjatë 2 javëve na kapërcyellin e viteve, rreth 1,500 irakianë që vuanin nga dëmtime të rënda kishin arritur spitalet kurde, shumica nga zonat e vijës së parë të frontit dhe “me shumicën e këtyre plagëve të marra menjëherë pas intensifikimit të luftimeve në fund të dhjetorit”.

Këto numra krijojnë vetëm një ide të përafërt të humbjeve reale: ato nuk përfshijnë të vdekurit apo të plagosurit në Mosulin perëndimor që nuk duan të largohen apo nuk mund të largohen, për shkak se po përdoren si mburoja njerëzore nga Shteti Islamik. Kombet e Bashkuara thonë se shumë njerëz janë qëlluar nga luftëtarët e Shtetit Islamik teksa po përpiqeshin të arratiseshin.

Një numër i madh i këtyre humbjeve u shkaktuan qysh përpara se Mosuli të rrethohej tërësisht: rruga e fundit kryesore e kalueshme drejt Sirisë, nëpër të cilën kishte ardhur ushqim, ilaçe, karburant, dhe bobmbolat e gazit për gatim qysh kur Shteti Islamik e kapi qytetin 2 vjet e gjysmë më parë, ishte mbyllur në nëntor nga paraushtarakët shiitë. Kalimet janë ende të hapura, por janë të rrezikshme dhe shpesh nuk mund të përdoren gjatë shirave dimërorë. Si rezultat, çmimet në tregjet e Mosulit janë rritur shumë: çmimi i një veze është rritur me pesë herë, në 1,000 dinarë irakianë. Në tregun e frutave dhe zarzavateve gjenden patatet dhe qepët e vetme në shitje, me çmime të kripura. Ndërsa bombolat e gazit po mbarojnë, po merret dru nga godinat e braktisura dhe po shitet me çmim të lartë. Rrethimi ka gjasa të jetë një rrethim i gjatë: Nëse Shteti Islamik do të bëjë rezistencë të fortë kudo, atëherë është më mira nga pikëpamja e tij që ta bëjë një gjë të tillë në Mosul, ku qeveria irakene dhe forcat e armatosura amerikane janë më të kufizuara se kudo tjetër në Irak në përdorimin e fuqisë së tyre të zjarrit.

Precedentët janë të frikshëm: në periudhën 2015-16, zjarri ajror dhe i artilerisë shkatërroi 70 për qind të Ramadit, kryeqytetit të provincës Anbar, që kishte një popullsi prej 350000 banorësh. Shteti islamik ka çdo arsye që të luftojë deri në fund në Mosul: përveç të qënit qyteti i dytë më i madh në Irak, ai ka një domethënie ikonike për Shtetin Islamik. Ka qenë këtu, në qershor të 2014, që pak mijëra luftëtarë të tij shpartalluan një garnizon qeveritar iraken prej të paktën 20,000 ushtarësh dhe qe menjëherë pas kësaj fitoreje të habitshme që lideri i Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, shpalli Kalifatin e tij. Ata që kanë ngecur në Mosul nuk janë optimistë për shanset e tyre: “Asaj që ia kishim frikën, po ndodh”, një grua rreth të 60-ave që e dha emrin si Fatima, tha për ueb-sajtin Niqash, që botonte një rrëfim të kushteve në qytet. “Rrethimi po fillon përnjëmend. Tash e prapa çdo kokërr dhe çdo pikë naftë vlen pasi Zoti e di se kur do të përfundojë”.

Pavarësisht mizorisë së luftimit në Mosul dhe paralajmërimeve nga Kombet e Bashkuara rreth viktimave në qytet që potencialisht po e kalonin numrin e atyre në Sarajevë dhe Grozni, vëmendja ndërkombëtare ka qenë pothuajse ekskluzivisht e drejtuar nga Alepi lindor. Nuk do të ishte hera e parë në rajon që shtypi perëndimor të rezultonte se po shikonte betejën e gabuar: Unë isha në Bagdad në nëntor të 2004 kur shumica e gazetarëve perëndimorë po mbulonin përfundimin e rrethimit të Falluxhas. Marinsat arritën më së fundi ta fusnin në dorë, por gjeneralët amerikanë kuptueshëm që nuk i dhanë rëndësi – dhe mediat pak e kuptuan – se ndërsa trupat amerikane po luftonin në Falluxha, që ndodhet në Irakun qendror, rebelët kishin kapur qytetin shumë më të madh të Mosulit, në veri.

Fitorja rezultoi të ishte e rëndësishme, pasi ushtria dhe qeveria irakiane asnjëherë nuk e rimorën vërtet kontrollin e pakontestuar e qytetit, me rezultatin që pararendësit e Shtetit Islamik i mbijetuan presionit intensiv ushtarak dhe e rithemeluan veten, duke pritur derikur revolta në Siri në 2011 do t’u jepte mundësi të reja. Ekzistojnë shumë ngjashmëri midis rrethimit të Mosulit dhe atij të Alepit lindor, por ato u raportuan në mënyra mjaft të ndryshme. Kur janë vrarë civilë dhe shtëpitë e tyre janë shkatërruar gjatë bombardimit të drejtuar nga amerikan në Mosul, është Shteti Islamik që u tha se ishte përgjegjës për vdekjen e tyre: ato pë përdoreshin si mburoja njerëzore. Kur Rusia apo Siria shënjestron ndërtesa në Alepin lindor, po Rusia dhe Siria akuzohen: rebelët nuk qëndrojnë aspak. Imazhe drithëruese nga Alepi lindor që tregonin fëmijë, të vrarë, të plagosur apo të goditur me raketa u transmetuan anembanë botës. Por kur me 12 janar u postua online një video që tregonte njerëz që po kërkonin për trupa në rrënojat e një ndërtese në Mosul që dukej se ishte shkatërruar nga një bombradim ajror i koalicionit të drejtuar nga amerikanët, asnjë kanal televiziv perëndimor nuk përmbante pamje. “Kemi nxjerrë 14 trupa deri më tani”, thoshte një njeri me pamje të lodhur përballë një kamere, “dhe kemi ende 9 të tjerë në rrënoja”. /ARMIN TIRANA/www.bota.al/