LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet janë për politikanë, jo për qytetarë

Nëse kërkoni të dini se kush do të fitojë zgjedhjet komunale në këtë mandat, ky artikull nuk është për ju. Nuk do të garoj me profetët që parashohin se kush fiton; konkurrenca është e madhe dhe nuk do të hyj në garë. Në vend se të parashoh të ardhmen, do të përpiqem t’i jap kuptim të së tashmes. Nëse megjithatë vazhdoni të jeni kureshtar se kush fiton e kush humb në këto zgjedhje, atëherë ja përgjigja: fitojnë politikanët dhe partnerët e tyre (biznesmenë të nëntokës dhe batakçi të tjerë) dhe humb qytetari, familja, e komuniteti; unë, ti dhe familjet dhe komunitetet tona.

Zakonisht nuk i besoj politikës, përveç kur në fushatat zgjedhore, i dëshpëruar dhe pashpresë, lutem të ketë ofertë nga partitë politike për të më bindur se duhet të votoj. Dhe për t’u bindur nuk kërkoj premtime se qyteti im do të bëhet ‘metropol’ sipas standardeve ‘më të larta europiane’, apo edhe premtime më për toke, si ‘funksional’, ‘me administrim të rregulluar dhe efikas’, ‘i furnizuar me ujë’, ‘me trafik që qarkullon’, e të tjera. Në vend të ‘parimeve bazë’, ‘metodave’, ‘koncepteve’, ‘shtyllave’, e lloj-lloj ‘fazave’ të zhvillimit të qytetit, ajo çfarë shpresoj të dëgjoj nga dikush prej politikanëve është të më thotë se si do t’u përgjigjen nevojave dhe kërkesave të popullit dhe si do t’u japin llogari atyre për shpenzimin e fondeve publike dhe për premtimet e parealizuara. Është më se e qartë, se vota ‘demokratike’ në Kosovë nuk po e bën këtë.

Debatet për zgjedhjet komunale janë përqendruar në dështimet e kryetarëve të deritanishëm të komunave përkatëse dhe në premtimet e kandidatëve të rinj (që si në deja vu janë ato që kemi dëgjuar në fushatën e kaluar të zgjedhjeve lokale). Kështu, krejt debati është kufizuar në nivel personal ndërmjet kryetarit të deritanishëm dhe kandidatëve të rinj, dhe e tërë alternativa kërkohet tek zgjedhja e këtij apo atij kandidati për kryetar të komunës. Kjo na përkujton se premtimet janë shkelur, por nuk na siguron se premtimet pompoze që jepen kësaj radhe nuk do të shkelen në mandatin e radhës.


Prandaj, në këtë artikull nuk pyes për partitë, as për personat që ato i kandidojnë në garën për pushtetin lokal. Kjo pyetje nuk çon askund. Ajo i adresohet vetëm ndërrimit të raporteve të pushtetit, por për qytetarin, familjen dhe komunitetin kjo nuk është aspak relevante. Në të vërtetë, pyetja se kush fiton vetëm shmang vëmendjen nga çështja më e rëndësishme, e që është si të frenohen ata që fitojnë nga keqpërdorimi i pushtetit.

Pyetja nuk është se kush do të fitojë votat (edhe ashtu të pakta) të elektoratit, por si të bëhen këta politikanë më përgjegjës ndaj votuesit dhe jovotuesit. Demokracia është sundim i popullit dhe nga populli. Pyetja më e rëndësishme e filozofisë së zgjedhjeve nuk është se kush duhet të fitojë, por si të heqim qafesh udhëheqësit e degjeneruar. Përgjigja është demokracia, por jo ajo minimaliste që nënkupton vetëm zgjedhje, por demokracia si një regjim në të cilin veprimet e pushtetarëve hetohen dhe dyshohen në vazhdimësi dhe pushtetit i vihen frenat që të mos degjenerojë në strukturë të vetëkënaqur dhe vetëshërbyese.

Çfarë (nuk) është demokracia

Demokracia nuk mbaron te hedhja e votës në kutinë e votimit, por ajo ka të bëjë me atë se si të bëhet pushteti vërtet përfaqësues i popullit, dhe udhëheqësit e komunave të mos shndërrohen në marioneta që u shërbejnë liderëve të partive dhe bosëve të strukturave të biznesit së nëntokës, trafikantëve, e turli batakçive që po lulëzojnë në Kosovë.

Vota është vetëm një kërkesë minimaliste e demokracisë përfaqësuese, ngase megjithatë, demokracia nuk është vetëm votë e lirë dhe e drejtë. Në perëndim demokracia ka pasur kuptimin e demokracisë liberale, që përveç zgjedhjeve të drejta dhe të lira, nënkupton edhe sundim të ligjit, ndarje të pushteteve, dhe mbrojtje e lirive themelore të shprehjes, mbledhjes dhe organizimit, fesë dhe pronës. Në procesin e liberalizimit dhe demokratizimit, zgjedhjet janë vetëm një hap i parë.

Mirëpo, kur e drejta për të votuar ushtrohet në kushte tejet joliberale, atëherë ky manifestim minimal i demokracisë sjell regjime joliberale në pushtet. Efekti i zgjedhjeve të tilla është vetëm instrument në duart e politikanëve që përmes zgjedhjeve të fitojnë pushtetin dhe të krijojnë iluzionin e legjitimitetit të tyre, në saje të faktit se ‘janë zgjedhë me votat e popullit’ (një refren që e kanë orë e çast në gojë) (thua se legjitimiteti matet me numrat e votave, por jo me atë që ndodh në një fushë që e quajmë sferë publike, e cila është e zaptuar në Kosovë nga liderët politikë në aleancë me biznesin e nëntokës dhe pseudo-mediave të ‘lira’ e të ‘pavarura’). Për të kryer këtë funksion instrumental të zgjedhjeve, ato ndonjëherë mund të mbahen, por edhe të mos mbahen. Zgjedhjet në Kosovën ahtisariane nuk janë domosdoshëmrisht çështje parimi, por mënyrë për të justifikuar një strukturë të caktuar të raporteve të pushtetit. Për shembull, pas shpalljes së pavarësisë zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të duhej të mbaheshin ashtu në siç parashihet me Kushtetutë, nuk u mbajtën. Kjo e vërteton konkluzionin se zgjedhjet janë instrument në duart e pushtetit dhe demokracia është reduktuar në votë për ta mbajtur pushtetin! Asgjë më shumë! Për fuqizimin e qytetarëve as që bëhet fjalë.

Aty ku mungojnë mekanizmat për sundimin e ligjit, ku gjyqësori nuk është i pavarur nga interesat partiake e klanore dhe imun nga shantazhet e kërcënimet, zgjedhjet assesi nuk i shërbejnë popullit. Në një shoqëri ku sundimi i ligjit është zëvendësuar me sundimin e kaosit dhe të të ‘fortëve’, zgjedhjet kanë vetëm një kuptim: luftë për pushtet që do t’u shërbejë vetëm liderëve politikë dhe partnerëve të tyre, por assesi popullit. Në të vërtetë, brengat dhe nevojat e popullatës nuk zënë vend qendror në agjendën e partive. Një vëzhgues i pjekur i rrjedhave politike nuk e ka zor të shohë se partitë tona politike grinden për interesa klanore dhe jo parimore apo ideologjike.

Prandaj, vota e lirë dhe e drejtë, një kërkesë minimaliste e demokracisë në një kontekst ku mungojnë mekanizmat e përgjegjësisë, llogaridhënies dhe diskutimit publik, e degradon popullin në votues pasiv dhe nuk e ngre dot atë në rolin e qytetarit. Zgjedhjet në Kosovë janë sa për t’u dhënë më shumë pushtet politikanëve dhe për të krijuar iluzionin e legjitimitetit të tyre. Demokracia kosovare është reduktuar në votë si mënyrë për të arritur pushtetin, i cili në asnjë mënyrë nuk është përgjegjës ndaj votuesit.

Kjo është ‘oferta’ vetëshërbyese e kandidatëve për zgjedhjet lokale në Kosovë që shpjegon trendin e rënies së numrit të votuesve nga zgjedhjet në zgjedhje.

(Autori është MA dhe ligjërues universitar)

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori