LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet “historike”, (keq)kuptimet e tyre dhe kriza e legjitimitetit

Zgjedhjet lokale të 15 nëntorit u vlerësuan si “historike” dhe një “test i madh i demokracisë”. Në një mesazh para zgjedhjeve, Presidenti i vendit theksoi se ato janë test edhe për proceset e integrimit në Bashkimin Europian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare. Zyrat ndërkombëtare kanë tërhequr vërejtjen se nga ato varet reputacioni i Kosovës në afat të gjatë.

Natyrisht krejt kjo histeri u transmetua tek votuesit potencialë me anë të një fushate të fuqishme, por të pashije mediale. Fushata elektorale kaloi me zhurmë të madhe me qëllim për t’ua mbushur veshët popullit me premtime përmes reklamave agresive në ‘billbordat’ e mëdha rrugëve plot zdralë dhe në televizion e gazeta krahas reklamave të produkteve konsumuese dhe shërbimeve komerciale.

Sfera publike u pushtua nga të njëjtat fytyra të politikanëve që konkurronin për pushtet. Debatet televizive bëheshin kryesisht ndërmjet kandidatëve dhe politikanëve, ndërsa zërat e pavarur mungonin. Zhurma e madhe e reklamave dhe debateve ndërmjet kandidatëve për pushtetin lokal, nuk la mundësi për të dëgjuar edhe kritikën e paanshme. Madje, gazetat u ngulfatën me raportime për fushatën zgjedhore, dhe ato faqe që në kohëra normale rezervohen për opinione dhe komente nga lexuesit, u mbushën plot reklama shumëngjyrëshe dhe reportazhe për filan kandidatin që vizitoi këtë apo atë lagje për të ‘biseduar me qytetarët’.


Pavarësisht nga kjo, kësaj radhe është për t’u mirëpritur dalja më e lartë e votuesve për zgjedhje në krahasim me zgjedhjet e fundit në 2007. Megjithatë, trendi i votuesve është në rënie që nga zgjedhjet e para në 2000. Vala histerike e zgjedhjeve ‘historike’ nuk e preku gjysmën e elektoratit të Kosovës. Niveli i ulët i daljes në zgjedhje tregoi më së miri për mossuksesin e këtyre fushatave farse të cilat nuk bindën masat për të votuar. Nuk i bindën, se dështuan t’u ofronin atë që qytetarët e kërkojnë tash e një dekadë.

Nëse vërtet këto zgjedhje ishin provime të integrimit në BE, demokracisë dhe reputacionit, atëherë vështirë se i kemi kaluar të gjitha provimet. Falë parregullsive që nisën me fillimin e parakohshëm të fushatës, incidentet me armë nga fundi i fushatës zgjedhore, e deri te incidente e parregullsi të vogla të raportuara nga vëzhguesit gjatë procesit të votimit, kemi huqur rrugën e BE-së. Raportimet e hershme të vëzhguesve shpallin se votimi i ka plotësuar standardet ndërkombëtare. Pa mëdyshje se kjo do të përmirësojë imazhin e Kosovës në botë në këtë periudhë kritike kur pritet vendimi i Gjyqit Ndërkombëtar për ligjshmërinë e Kosovës së pavarur. Por, ajo çfarë është më me rëndësi të diskutohet është nëse e kemi kaluar provimin e demokracisë.

Abstenimi si tregues i demokratizimit të elektoratit?
Teoria demokratike e votimit ka dy shpjegime kryesore përse votojnë njerëzit. Njëra thotë se njerëzit votojnë për të zgjedhur ato parti që besojnë se do t’u ndihmojnë të arrijnë qëllimet e tyre personale. Kjo quhet zgjedhje racionale, ngase supozon se votuesit zgjedhin duke u bazuar në një logjikë racionale; pra, zgjedhin ata që besojnë se do të prodhojnë rezultate që votuesit i duan.

Sidoqoftë, ka edhe arsye të tjera ‘irracionale’ që i shtyjnë njerëzit të votojnë. ‘Irracionale’ në kuptimin që nuk motivohen nga besimi se vota e tyre ndikon në rezultatet e politikave, por më shumë bazohen në shtytës të tjerë, si ‘detyra’ qytetare për të votuar, etj.

Për të shpjeguar nivelin e lartë të abstenimit mund të bazohemi në këto dy teori. Pikëpamja racionale do të thoshte se kalkulimet racionale të elektoratit nuk u kanë dhënë arsye të fortë atyre të besojnë se një votë e tyre do të çojë peshë në rezultatet e politikave lokale. Ky mosbesim vjen nga perceptimi se partitë nuk po iu adresohen interesave të qytetarëve, apo se nuk kanë kompetencë e aftësi të menaxhojnë çështjet me rëndësi. Pikëpamja irracionale do të thoshte se elektorati nuk e ka ndjerë votimin si obligim qytetar, apo akt patriotik.

Cilido qoftë shpjegimi më i përshtatshëm për zgjedhjet e para në Kosovën e pavarur, politikanët, zyrat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe fushata mediale dështuan të zgjojnë cilëndo prej motiveve tek masat për të votuar. Me fjalë të tjera, ata dështuan të bindin subjektet racionale se vota e tyre ia vlen, apo të ngrehin vetëdijen e tyre mbi kalkulimet racionale, që eventualisht të dalin për të zgjedhur.

Niveli më i lartë i daljes në zgjedhje në fillim të viteve pas çlirimit mund të shpjegohet si inerci e besimit të popullit tek elitat që rezistuan, luftuan dhe arritën të fitojnë përkrahjen e vendeve perëndimore për t’u çliruar nga terrori serb, dhe si një akt që shprehte patriotizmin në periudhën e entuziazmit të çlirimit. Pra, një shpjegim më i afërt me teorinë e zgjedhjes irracionale.

Mirëpo, trendi i rënies së votuesve nga zgjedhjet në zgjedhje, mund të jetë tregues se shoqëria kosovare po bën zgjedhje racionale për pushtet. Si duket, gjithnjë e më pak kosovarë votojnë ngase e ndjejnë si një të detyrë, apo për t’ia përmirësuar prestigjin vendit të vet. Motivi i tyre për të votuar është shumë i thjeshtë: ata votojnë sepse kanë interes personal nga kjo. Me fjalë të tjera, votojnë për të zgjedhë ata që besojnë se do t’i përfaqësojnë interesat e tyre në pushtet. Rrjedhimisht, nuk votojnë nëse nuk kanë kujt t’ia besojnë përfaqësimin e atyre interesave. Është aq e thjeshtë! Po. Edhe militantët partiakë votojnë për këtë, madje ata kanë arsye më shumë për të besuar se do të përfitojnë nga zgjedhja e tyre. Edhe serbët e Kosovës nuk dalin në zgjedhje, ngase besojnë se strukturat paralele të përkrahura nga Serbia u shërbejnë më shumë interesave të tyre, sesa institucionet e Kosovës, përkundër rregullimeve kushtetuese që janë në favor të tyrin. Njëjtë, dalja e serbëve në zgjedhje është tregues se ata po humbin besimin tek ‘mbrojtja’ e Beogradit.

Kur njerëzit të votojnë për motive që kanë të bëjnë me realizimin e interesave të tyre, këtu lind kultura demokratike. Prandaj, trendi i rënies së votuesve tregon demokratizimin e popullit të Kosovës, nëse supozojmë se rënia e votuesve shpjegohet me abstenimin e votës irracionale dhe përforcimin e votës racionale. Dhe kjo është një arsye për optimizëm. Zhgënjyese është se partitë dhe politikanët dështuan të ofrojnë garanci se i kuptojnë, i ndjejnë interesat e nevojat e tyre dhe se do të punojnë për t’i realizuar ato. Në këtë situatë, nuk është e habitshme se populli nuk nënshkruan një kontratë, zbatimi i së cilës nuk garantohet.

Kriza e legjitimitetit
Niveli i lartë i abstenimit në zgjedhjet e para të Kosovës së pavarur flet për rënie të besimit të votuesve tek liderët dhe institucionet dhe për një krizë të legjitimitetit në të cilën gjendet regjimi i ri. Duke abstenuar nga e drejta për të votuar, qytetarët shprehën mosbesimin e tyre në sinqeritetin dhe kompetencën e politikanëve që garuan për poste të pushtetit lokal.

Dhe nuk është pritur ndryshe, ngaqë njerëzit kanë pritur shumë prej pavarësisë. Fajësohej statusi i pazgjidhur dhe UNMIK-u për gjithçka, por tani që këto probleme nuk i kemi (sic!), megjithatë shumë pak është bërë për të bindur votuesin potencial se ia vlen t’ia fal besimin politikanëve. Regjimi demokratik që mbaron tek vota dhe trajtimi i qytetarëve vetëm si vota në kuti nuk kalon pa u vërejtur; dhe reagimi i tyre ndaj kësaj shprehet në mungesën e gjysmës së elektoratit në zgjedhjen e pushtetit.

Dhe për fund, një gjë është e sigurt: kur partitë e mëdha nuk janë në gjendje të mobilizojnë shumicën e votuesve, ndërsa partitë e vogla dhe iniciativat nuk mund të marrin besimin e mjaftueshëm për të garuar me partitë e mëdha, atëherë legjitimiteti i tërë elitës politike është në rrezik.

Kështu, në vend që politikanët t’u mbajnë derse popullit për obligueshmërinë e zgjedhjeve, do të ishte më e udhës që për zgjedhjet e radhës politikanët të marrin vetë leksion nga ky abstenim masiv nga zgjedhjet, nëse duan ta legjitimojnë pushtetin e tyre në sytë e popullit.

(Autori është ligjërues universitar, magjistër i teorisë politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare)

Në trend

Më shumë

"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në

Lajme

"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit

Magazina
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar

Magazina
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së

Magazina

"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim

Lajme
Kalo në kategori