Zgjedhje të parakohshme: Pse jo?
Në morinë e dëmeve të shkaktuara nëpërmjet reformës kushtetuese të vitit 2008 spikat në mënyrë të veçantë përdhosja e mocionit të mosbesimit. Si rezultat i ndryshimeve të shëmtuara që iu bënë Kushtetutës brenda një nate të turpshme për historinë e shkurtër të demokracisë shqiptare, qeverisë iu hoq barra e provës së legjitimitetit. Në një sistem demokratik është qeveria që shikohet gjithnjë me dyshim dhe asaj i duhet që të dëshmojë se është duke qeverisur me miratimin e të qeverisurve sa herë ky legjitimitet vihet seriozisht në pikëpyetje. Pra sa herë që ekzekutivit i hidhet një dorashkë, i bëhet një sfidë e mirëfilltë nëse qeverisja është e popullit, prej popullit dhe për popullin, i takon qeverisë që të dëshmojë se vazhdon ta ketë besimin e popullit. Përndryshe hidhet një hije e rëndë dyshimi se kush është sovrani i vërtetë në një vend, populli apo kasta në pushtet?!
Interesant është fakti që edhe pse gjendemi përballë stanjacionit politik dhe nivelit të lartë të konfliktualitetit shumë njerëz e konsiderojnë të dëmshëm organizimin e zgjedhjeve të parakohshme. Dëshmohet qartë që hendeku i thellë i krijuar mes publikut dhe elitës politike nga shumë individë merret si një gjë e mirëqenë dhe normale. Opinionistë dhe ekspertë që hiqen sikur përfaqësojnë interesin e publikut, në fakt në mënyrë të pacipë argumentojnë që zgjedhjet janë të dëmshme për qytetarët dhe vendin, që është absurde. Pse e paskan politikanët dhe servilët e tyre frikë votën e popullit?! Si na qenka në të keqe të shqiptarëve dhe Shqipërisë që qytetarëve t’u dëgjohet sa më shpesh zëri nëpërmjet votës? Madje, në vende në tranzicon demokratik shpesh është e rekomandueshme që zgjedhjet të mbahen dendur, pikërisht se zgjedhjet janë një frymëmarrje e sistemit. Nuk është rastësi që mandati në Kosovë ka qenë 3-vjeçar. Në fakt, një tjetër paudhësi e elitës politike ka qenë ajo e zgjatjes së mandatit të qeverisjes vendore nga tre në katër vjet. Organizimi i zgjedhjeve të shpeshta kur e lyp nevoja bëhet edhe në vende me demokraci të konsoliduar, sikurse ka qenë rasti në dekadat e fundit në Kanada, Japoni, Itali apo Austri. Duke pasur parasysh mungesën e konsensusit apo transparencës në shumë reforma në Shqipëri do të duhej të përdorej gjithnjë e më dendur referendumi. Vlen për t’u përmendur se është një padrejtësi e madhe që i është bërë popullit shqiptar që nuk u organizua një referendum për ndryshimet radikale të Kushtetutës.
Sot, fatkeqësisht, dy liderët politikë janë duke u përpjekur që të tregojnë se kanë mbështetjen popullore në mënyrë manipulative duke garuar se kush nxjerr më shumë njerëz në rrugë. Çdo përpjekjeje që ka bërë me protesta opozita për të treguar masën e pakënaqësisë që po vlon në publik, i është përgjigjur qeveria me kundër-mitingje masive, duke çuar pastaj në një rivalitet qesharak se cila palë nxori më shumë njerëz në shesh. Mirëpo sado që të bërtasin për njërën apo tjetrën palë, ata që dalin në rrugë nuk reflektojnë detyrimisht mendimet e shumicës së heshtur, së cilës i ndihet zëri dhe i kuptohet vullneti vetëm nëpërmjet votës.
Prandaj zgjedhjet e parakohshme jo vetëm që janë të mirëpritura, por janë shndërruar në të domosdoshme për të zgjidhur ngërçin që ka kapur vendin. Argumentet se gjasme zgjedhjet e parakohshme dëmtojnë ekonominë, apo kanë kosto të madhe për t’u organizuar nuk kanë fare bazë. E para, sepse rëndësia e demokracisë nuk ka të paguar dhe më mirë të harxhojmë para për të garantuar demokracinë sesa për të ndërtuar një tunel tjetër për të cilin pret koha. Së dyti, sepse objektivi kryesor i kësaj qeverie të vetëquajtur qeveri e integrimit është bllokuar prej krizës aktuale. Përderisa u pretendua që kjo qeveri kishte për qëllim thelbësor integrimin europian, në kushtet aktuale kjo qeveri nuk mund ta përmbushë këtë mision, sepse Shqipërisë iu refuzua statusi i kandidatit pikërisht sepse nuk kishte zgjidhur ngërçin aktual. Në kuadër të procesit të integrimit duhen votuar shumë ligje që kërkojnë shumicë të kualifikuar dhe me këtë klimë konfliktuale ato mbeten pezull. Prandaj nëse qeveria u qëndron fjalëve të saj që opozita po e saboton procesin e integrimit apo është përpjekur të dëmtojë liberalizmin e vizave, ajo duhet të shkojë me kënaqësi në zgjedhjet e parakohshme që t’u japë mundësi qytetarëve ta penalizojnë opozitën për këtë papërgjegjshmëri dhe për të votuar një mazhorancë më të qëndrueshme që të ketë fuqinë e duhur për të çuar përpara procesin e ndaluar të integrimit të vendit tonë në BE. Së treti, ne gjithsesi kemi për të pasur zgjedhje vendore në vend dhe të gjithë e dimë që ato janë po aq gjithëpërfshirëse, të shtrenjta dhe intensive sa edhe zgjedhjet parlamentare. Prandaj duke i organizuar zgjedhjet parlamentare në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale, sikurse bëri Kosova në nëntor 2007, kostoja ekonomike e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme është inekzistente.
Mazhoranca jo vetëm pretendon se zotëron mbështetjen e shumicës, por gjatë këtyre dy viteve është shprehur me keqardhje për gjendjen në të cilën e ka katandisur opozitën lidershipi aktual socialist. Ka shkuar deri aty sa ka ofruar edhe këshilla se si mund të rimëkëmbet opozita dhe ka sugjeruar edhe lidership alternativ. Ka thënë se Rama ka dështuar jo vetëm si kryetar i PS-së, por edhe si kryetar i bahkisë dhe se drejton “mafien më të rrezikshme në Europë”. Mazhoranca ka pretenduar se Rama nuk e ka mbështetjen e PS-së, sepse ka manipuluar rizgjedhjen e tij brenda Partisë Socialiste në 2009, duke sajuar një garë me një personalitet periferik si Lakrori dhe një proces të dyshimtë votimi. Më tej është thënë se në mitingun e fundit Rama u braktis nga qytetarët, pati vetëm 6000 demonstrues, se opozita i ka nxjerrë qytetarët në rrugë vetëm me pagesa se përndryshe qytetarët nuk do kishin asnjë arsye për të protestuar në vendin tonë që “lulëzon” nga begatia, integriteti dhe sundimi i ligjit. Pra një gjendje me të vërtetë e mjerë në të cilën e ka katandisur opozitën zoti Rama.
Nga ana tjetër, qeveria pretendon se gjërat janë duke shkuar vaj, se ekonomia jonë ecën duke çarë përpara me shpatë në dorë tufanin e krizës ndërkombëtare financiare, se shërbimet shëndetësore dhe arsimore kanë njohur një hop të madh cilësor, se korrupsioni është çrrënjosur, kriminaliteti është eliminuar, se papunësia ka rënë dhe mirëqenia e qytetarit është rritur. Po ashtu deklaron se ka autorësinë ekskluzive qoftë të futjes në NATO e qoftë të liberalizimit të vizave dhe se këto objektiva nuk kanë të bëjnë me dashamirësinë e partnerëve ndërkombëtarë, por vetëm me meritën e qeverisjes së Shqipërisë. Nëse kanë të drejtë ky është një bilanc më se i mjaftueshëm për të fituar jo këto, por dy-tri palë zgjedhje të tjera.
Në kushtet kur retorika qeveritare deklaron me vetëbesim të madh se opozita ka bllokuar integrimin dhe është katandisur si mos më keq prej Ramës, ndërkohë që qeveria është më e suksesshmja e historisë sonë dhe shndrit nga integriteti dhe efikasiteti, atëherë nuk ka arsye për të pasur frikë nga zgjedhjet e reja. Përkundrazi duhej të shkonte me vrap drejt tyre për të vjelë frytet e punës së saj siç është merita për liberalizimin e vizave, si dhe për të dalë nga situata e sikletshme e tanishme kur iu duhet të kapërdijnë dallaveret e bëra nga njerëzit e LSI-së, meqenëse pa ta nuk mbush dot numrat. Nëse përfaqësuesit e
mazhorancës u besojnë vërtet fjalëve që thonë, atëherë çfarë shansi më të mirë do të kishin në dorë tani, që t’ia ndreqnin qejfin njëherë e mirë lidershipit aktual të opozitës duke e shpëtuar njëherë e mirë Shqipërinë prej tij. Shqiptarët sot janë ngopur nga llafet e shumta të politikanëve, se kush thotë të vërtetën e tregon vetëm një gjë – vota. Sepse sistemi demokratik mbështetjen në bindjen: Vox popoli, vox dei (zëri i popullit është zëri i Perëndisë).
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëDrenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë