LAJMI I FUNDIT:

Vritet avokati

Vritet avokati

Ekzekutohet në një atentat mafioz në mes të Tiranës juristi i Entit Kombëtar të Banesave. Sokol Doçi, 34 vjeç, avokat në profesion.

Avokati u qëllua tetë herë me armë, por tre plumba i morën jetën në orët e para të mëngjesit. Juristi, familja e të cilit ka aktivitet ndërtimi në Tiranë, ra pre e ekzekutorëve në momentin kur po zbriste nga makina, para hyrjes së pallatit ku banonte. Policia tha dje se ngjarja ndodhi në rrugën “Shyqyri Ishmi”, mbrapa shkollës 9-vjeçare “1 Maji” në Tiranë.

Autorët duket se i kanë zënë pritë 34-vjeçarit para pallatit ku banonte. Vrasësit kanë pritur aty derisa objektivi është kthyer në shtëpi, rreth orës 01:15. Në këtë kohë, tetë të shtëna arme janë drejtuar për tek makina “BMW” seria 7 e 34-vjeçarit,por tre plumba i kanë marrë atij jetën në vend.

Nga ekzaminimi mjeko-ligjor i viktimës dhe pyetja e dëshmitarëve, rezulton që Doçi është qëlluar 8 herë, por 3 plumba e kanë kapur në trup, dy prej të cilëve në kokë dhe një në gjoks. Dëshmitarët kanë thënë se vrasësit janë larguar me motor nëpërmjet tunelit që lidh rrugën kryesore “Ali Demi” me atë “Shyqyri Ishmi”, ku ndodhi vrasja. Policia e kryeqytetit tha dje se atentati përbën një krim të organizuar mirë dhe të planifikuar deri në detaje.


Dy vëllezërit e viktimës jetojnë prej vitesh në Amerikë, ndërsa ai vetë jetonte vetëm me të ëmën, pas vdekjes së babait, Sami Doçi, i cili ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Kukësit. Doçi rezulton të jetë një prej anëtarëve të Këshillit të Mbikëqyrës në kompaninë “Betting System Albania” me përfaqësues ligjor Ervis Gjeçajn, raportoi Panorama./Telegrafi/