LAJMI I FUNDIT:

Vetëvrasjet si fenomen i dëmshëm në shoqërinë kosovare

Shoqëria njerëzore që nga fillet e ekzistimit të saj ka bërë përpjekje për t’u organizuar dhe funksionuar normalisht. Që nga ajo kohë e deri më sot ajo ka bërë përpjekje për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt për jetë të dinjitetshme. Veçmas është tentuar që të pengohet kriminaliteti dhe dukuritë tjera negative në mënyrë që të gjithë njerëzit të jetojnë të lirë dhe t’i gëzojnë frytet e jetës së tyre.

Sipas disa statistikave në botën moderne rreth 1 milion njerëz për çdo vit bëjnë vetëvrasje gjë që është për t’u brengosur, për më tepër kur kemi parasysh faktin se ajo aktualisht po shënon trend të rritjes nga dita në ditë.

Personi bën një akt të tillë zakonisht pas një periudhe të gjatë që gjendet në depresion dhe mendon se tanimë nuk ka zgjidhje për problemet e tij dhe se e vetmja zgjidhje sipas tij konsiderohet vetëvrasja. Kësisoj ajo shihet si shpëtim apo dalje nga kjo gjendje.


Në Kosovë kjo dukuri po ashtu përbën një fenomen shqetësues, sidomos në dekadën e fundit ku numri i personave të vetëvrarë vlerësohet të jetë relativisht i lartë. Kështu, sipas statistikave të Policisë së Kosovës vetëm gjatë viteve 2006–2010 numri i vetëvrasjeve ka arritur shifrën prej 324 personave të vetëvrarë. Vështruar në kontekst të gjinisë të vetëvrarit shumë më shumë i takojnë gjinisë mashkullore (232) kurse më pak gjinisë femërore (92). Ky fakt është i kushtëzuar nga faktorët e ndryshëm që kushtëzojnë përballjen më evidente të mashkullit me të njëjtit, por edhe i faktit se te femrat ndjenja e frikës nga veprimet që prodhojnë dhunë është gjithsesi më prezente.

Ndonëse sipas legjislacionit penal vetëvrasja nuk përbën vepër penale meqenëse mendohet se personi është zot i jetës së tij dhe me të mund të disponoj lirshëm. Mirëpo, përbën vepër penale dhe janë të ndëshkueshme veprimet e cilitdo person i cili e shtytë këdo që të kryej vetëvrasje ose e ndihmon atë të bëj një akt të tillë (shih nenin 151 të Kodit Penal të Kosovës).

Ekzistojnë faktorë të shumtë që nxisin apo ndikojnë në paraqitjen e këtij fenomeni, si problemet e ndryshme familjare, mungesa e aftësisë për zgjidhjen e problemeve, bixhozi, substancat narkotike, papunësia e tjerë, por ndër faktorët kryesorë konsiderohet të jenë shkaqet që ndërlidhen me rrethanat e natyrës ekonomike. Pra në paraqitjen e kësaj dukurie negative ndikojnë shumë rrethana, kushte dhe faktorë, disa më shumë e disa më pak (teoria e multifaktorit).

Është me rëndësi të theksohet gjithashtu se personi i cili bën vetëvrasje kalon një kohë duke menduar për të, duke planifikuar se si ta realizoj atë, ku dhe kur ta realizoj, me çfarë mjeti dhe metode e tjerë. Personat që zakonisht bëjnë vetëvrasje i takojnë moshave relativisht të reja prej 15-24 vjeçare por ka edhe raste të tilla që i takojnë moshave më të vjetra.

Me vetëvrasje kuptojmë veprimin patologjik të personit për të shkaktuar vdekjen e vet. Pra ndryshe nga veprat penale (krimet) me të cilat rrezikohet dhe dëmtohet interesi i tjetrit (shëndeti, jeta, prona) me vetëvrasje personi këto vlera ia merr vetes, gjegjësisht veprimi i kryerjes është i drejtuar nga vetvetja.

Vlerësimi nëse një vepër është vrasje ose vetëvrasja bëhet duke u nisur nga natyra e dëmtimeve që ka pësuar viktima, pozicioni dhe vendndodhja e plagëve në trup, duke gjykuar nga qëndrimi i viktimës, gjendja e teshave të saj, pozicioni i mjetit me të cilin është kryer vepra, në krahasim me trupin e viktimës dhe sipas vendndodhjes së sendeve të tjera të gjetura në vendin e ngjarjes, ndërsa prania e disa plagëve prerëse në shpinën e viktimës ose në zonën e pasme të qafës, thyerje të kafkës, të shkaktuara për së gjalli, e tjera dëshmojnë se ato janë shkaktuar nga një person tjetër pra përjashtohet vetëvrasja.

Organet e hetuesisë duhet t’i kushtojnë rëndësi këtyre çështjeve sepse shpeshherë vrasjet e pastra simulohen dhe tentohen të paraqiten si vetëvrasje kurse shumë rrallë vetëvrasjet paraqiten si vrasje.

Sa i përket zbulimit të motiveve të cilat e qojnë personin të kryej vetëvrasje nuk është edhe e lehtë pasi në të shumtën e rasteve i vetëvrari të gjitha gjërat i merr me vete. Mirëpo çdo herë për këtë qëllim duhet të merren në pyetje familjarët nëse ka, fqinjët, miqtë dhe të afërmit të cilët mund të ofrojnë informacione të dobishme për zbulimin e këtyre veprave. Gjithashtu duhet kërkuar edhe në gjërat personale të vetëvrarit si ditarët personal, portofoli, korrespondenca dhe gjërat e tjera nëse vlerësohet se mund të ndihmojnë në zbulim.

Klasifikimi i vetëvrasjeve

Vetëvrasjet klasifikohen në disa lloje, varësisht se çfarë kriteri merret për bazë dhe nga çfarë prizmi shikohet. Rrjedhimisht, në shkencën e kriminalistikës kemi këto lloje të vetëvrasjeve:

Vetëvrasje e dyfishtë, kryhet nga dy pjesëtarë të sekseve (gjinive) të ndryshme ose të të njëjtit seks, kur njërit i lindë ideja dhe e bindë edhe tjetrin t’u vetëvrarë.

Vetëvrasja familjare, kryhet atëherë kur anëtarët e rritur të familjes vendosin të shkojnë në vdekje me marrëveshje. Ky lloj i vetëvrasjes kryhet rëndom për motive fetare dhe ideologjike. Realisht parimet e fesë e cilësojnë vetëvrasjen si akt dobësie dhe në kundërshtim me arsyen e ekzistencës së njeriut. Për më tepër ai përbën mëkat të rëndë.

Vetëvrasja tendencioze, kryhet me qëllim të caktuar, me vetëvrasje peroni dëshiron të thotë diçka, vetëvrasja manifeston protestë ose pakënaqësi.

Vetëvrasja bilancore, kryhet nga personi normal, te ai psikika vetëvrasëse nuk është e shfaqur, ai vendos t’i jap fund jetës, pasi t’i ketë balancuar shkaqet dhe kundërshkaqet fare i qetë dhe me gjakftohtësi. Në këtë rast, kur në peshojën imagjinare të tij më shumë ka gjëra të këqija se sa të mira personi vendosë që të lirohet nga to duke i marrë vetes jetën.

Vetëvrasja recidive, është në fakt tentim i sërishëm për vetëvrasje, e cila më parë nuk ka pasur sukses, por personi tenton edhe më tutje derisa t’ia arrijë qëllimit.

Vetëvrasje e kombinuar, kryhet kur dikush menjëherë, në dy ose më shumë mënyra, me dy ose me më shumë mjete, kryen vetëvrasjen. Raste të tilla të vetëvrasjeve mund të jetë kur peroni pi helmin, godet veten me armë dhe kërcen nga lartësia. Ndonëse ky lloj i vetëvrasjes haset më rrallë megjithatë praktika kriminalistike njeh raste të tilla.

Vetëvrasja altruistike, kryhet kur njeriu me vetëdije e flijon vetën e tij për një qëllim që sipas tij është më me vlerë se ai ose një ideal. Ai nuk e përfill vetveten. Përkundrazi ai është më i fortë se ky instinkt, nuk e përfill, e mohon, është shndërruar tërësisht në ide dhe për dëshirën e kësaj ideje, ai e sakrifikon veten.

Vetëvrasja e komplikuar, kryhet në rastet kur ndokush përjeton fatkeqësi, si në rastet kur rrëzohet dhe e thyen kurrizin dhe për të mos vuajtur bën vetëvrasje.

Vetëvrasjet sipas kohëzgjatjes

Vetëvrasje akute, kur jeta merret në çast ose në afat të shkurtër kohe, siç është rasti me shkrepjen e armës e cila mund t’ia marr jetën personit vetëm për disa sekonda.

Vetëvrasje kronike, veprimi vetëvrasës zgjatë më shumë kohë sikurse kur personi ngadalë dhe në mënyrë të planifikuar helmohet kurse vetëvrasja si pasojë e helmimit vie pas një kohe të caktuar.

Vetëvrasjet sipas mënyrës së kryerjes

Vetëvrasje pasive, vetëvrasësi nuk është kryes i drejtpërdrejtë i vetëvrasjes por me qëllim dhe vetëdije e sjellë vetën në situatë riskante. Rast i tillë mund të jetë kur personi hyn në një zonë të minuar edhe pse e di për rrezikun derisa të vetëvritet.

Vetëvrasja aktive, vetëvrasësi vet e shkakton vdekjen. Rast i tillë mund të jetë varja në litar, e shtëna me armë, pirja e helmit e situata të ngjashme.

Vetëvrasje individuale, kryhet nga një person. Rrjedhimisht, personi si i vetëm vendosë të bëj vetëvrasjen.

Vetëvrasje grupore, kryhet kur disa persona pajtohen paraprakisht të kryejnë vetëvrasjen. Vetëvrasja grupore është e ngjashme me atë familjare por te kjo e dyta numri i personave mund të jetë më i madh si dhe motivet mund të jenë të ndryshme. Zakonisht vetëvrasje grupore kryejnë anëtarë të sekteve fetare dhe grupeve të ndryshme shoqërore.

Sa i përket mjeteve, vetëvrasjet mund të kryhen me prerje, me helmim, me armë zjarri, me varje, me mbytje me duar, mbytja me lak, shtypja e toraksit dhe abdomenit e tjera. Varja konsiderohen si një ndër vetëvrasjet e cila më së shumti po zbatohet në shoqërinë tonë, ku vdekja vjen si pasojë e shtrëngimit të qafës me lak, të cilin e tërheq vetë pesha e trupit.

Si lak mund të shërbejë çdo mjet i cili mund të lidhet rreth qafës, si bie fjala litari, rripi, teli, shamia, çorapet e femrave dhe shumë gjësende tjera.

Disa masa parandaluese të vetëvrasjeve

Dukuria brengosëse e vetëvrasjeve, si në planin global ashtu edhe në relacion me Kosovën, kushtëzon nevojën e ndërmarrjes së masave të shumta të cilat do të ishin në funksion të parandalimit të tyre. Në këtë aspekt, roli kryesor padyshim i takon shoqërisë si tërësi, sidomos organeve shtetërore që kanë përgjegjësi luftimin e kriminalitetit dhe dukurive tjera negative, por gjithsesi edhe organizmave të tjerë që burojnë nga ajo (shkolla, familja e tjera).

Në këtë rrjedhë, si masa kryesore parandaluese do të ishin ngritja e nivelit të zhvillimit ekonomik, përfshirë shtimin e nivelit të punësimit, ndërhyrja me kohë në zgjidhjen e problemeve të lindura brenda familjes, dërgimi i personave që manifestojnë probleme të natyrës psikologjike tek psikologu dhe psikiatri sepse shpeshherë personat e caktuar manifestojnë simptoma të çrregullimeve të ndryshme dhe japin sinjal se diçka e tillë mund të ndodhë.

Përfundimi

Vetëvrasjet janë brengë e madhe e shoqërisë sonë, të cilat përveç personit i cili vetëvritet ajo prekë direkt dhe indirekt edhe familjen në radhë të parë, miqtë dhe gjithë shoqërinë në përgjithësi.

Meqenëse trendi i vetëvrasjeve ka shënuar rritje është imediate që shoqëria përmes mekanizmave të tij të intervenoj për ta penguar dhe luftuar atë. Për këtë qëllim do të shërbente pozitivisht rritja e mirëqenies së jetës së jetës së qytetarit, hapja e mundësive të reja të punësimit si dhe sensibilizimi i asaj pjese të rrezikuar të popullsisë e cila mund t’i hyj kësaj rruge.

(Autorja është Master i Shkencave Juridike-Penale dhe Asistente e lëndëve penale në Kolegjin Universitar “Iliria” në Prishtinë)