LAJMI I FUNDIT:

Vetëm dy banka kanë marrë para të Trustit

Vetëm dy banka kanë marrë para të Trustit

Edhe pse ka pasur performancë pozitive nga paratë e grumbulluara në Trust, në vend po investohen tepër pakë para.

Nga 1.23 miliard euro, Trusti në vend ka investuar vetëm rreth 100 milionë euro, investime këto kryesisht në letra me vlerë.

Shumë herë është kërkuar që më shume mjete të Trustit të investohen në Kosovë, por deri më tash investimet kanë pak sasi.


Pavarësisht se ka shuma banka që funksionojnë në Kosovës, deri më tash Trusti i ka të investuar vetëm 6 milionë euro në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT) dhe Bankën Private për biznes (BPB).

Zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, ka treguar se në fondin e Trusti deri në fund të dhjetorit 2015 janë grumbulluar mbi 1.2 miliard euro.

“Më 31 dhjetor 2015 vlera e mjeteve në menaxhim të FKPK-së që i takojnë kontributdhënësve arriti në 1 miliard e 23 milionë euro, ose një rritje prej rreth 142 milionë euro krahasuar me një vit më parë”, tha ai.

Sipas tij, performanca e investimeve për vitin 2015 ishte pozitive, dhe kthimi bruto nga investimet ishte 29.56 milionë.

“Kthimi neto në përqindje për vitin ishte 2.27%, dhe për supozimin tuaj, nëse në fillim të vitit 2015 (1 janar) ju kishit 300 euro kursime pensionale, më 31 dhjetor 2015 kjo vlerë ka arritur në 306.8 euro. Gjithsesi performanca e vitit 2015 nuk ishte më e dëshiruara, por bazuar në rrethanat që kaluan tregjet financiare, ku bursat kryesore në SHBA e mbyllën vitin negativisht, mund ta vlerësojmë pozitivisht këtë arritje”, tregon zëdhënësi i Trustit Jeton Demi.

Sipas tij, Bordi Drejtues i Trustit vazhdimisht ka shprehur vullnetin për më shumë investime në Kosovë, dhe edhe gjatë vitit 2015 janë shtuar investimet. Demi tregon se deri më tani vetëm dy banka i kanë plotësuar kushtet për të investuar në tenderin/shprehjen e interesit të shpallurkanë nga Trusti.

“Këto investime kryesisht në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës, si edhe i vetmi instrument i mundshëm investues ligjor në vend. Në fund të vitit 2015 investimet në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës arritën në gati 90 milionë euro (89.63 milionë), ndërsa në fund të 2015-s u shtuan edhe 6 milionë euro investimeve në depozitat bankare të dy bankave komerciale në vend (BKT Kosova dhe BPB)”, tregon ai.

Po ashtu zëdhënësi i Trustit, Jeton Demi, ka bërë të ditur se kanë investuar edhe rreth 90 milionë euro në Letra me Vlerë.

“Në fund të 2015-s investimet në letrat me vlerë të Qeverisë së Kosovës arritën në gati 90 milionë euro, dhe synimet e Bordit Drejtues janë që të vazhdojnë edhe gjatë 2016-s me përafërsisht nivel të njëjtë të investimit në këtë instrument”, tha Demi.

Ndërkaq, Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, Petrit Balija, ka thënë se mjetet e fondit të kursimeve pensionale duhet të jenë të diversifikuara mirë në mënyrë që të përballojnë lëvizjet e tregjeve në aspektin afatgjatë.

“Këto mjete janë kontribute të qytetarëve të Kosovës dhe mbi të gjitha duhet të shërbejnë nevojave të tyre në kohën e pensionimit. Të gjitha interesat e palëve tjera janë dytësorë, prandaj nuk duhet që këto mjete të perceptohen si mjete të arkës së shtetit apo si fonde për të gjeneruar projekte zhvillimore por thjesht duhet të shihen ashtu siç janë pra si kursime të qytetarëve që do të shërbejnë atyre në një moshë të shtyrë. Në mënyrë indirekte edhe shteti përfiton nga kjo skeme sepse këta kursimtarë nuk do të bëhen barrë e shtetit për mbështetje sociale në të ardhmen”, ka thënë ai.

Megjithatë, sipas Balijajt, një pjesë e këtyre fondeve mund të investohen në letra me vlerë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe një pjesë mund të alokohen si depozita në bankat komerciale në Kosovë, nëse shprehin interesim bankat për të pranuar këto depozita.

“Duke pas parasysh likuiditetin e mjaftueshëm të bankave në Kosovë, vetëm një shumë relativisht e ulët është alokuar në këto depozita ndërsa, mbi 50 milionë janë investuar në Bono të Kosovës. Në rast që likuiditeti i industrisë bankare ulet në të ardhmen, do të ketë më shumë interesim për të rritur këto depozita me bankat komerciale por gjithnjë brenda kufizimeve legjislative që ka Trusti”, tha Petrit Balija Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës.

Ndërkaq, Shyqiri Bytyqi nga Nisma për Kosovën, ka thënë se vendi gjendet në vështirësi të mëdha ekonomike.

Ai thekson se është e domosdoshme të mendohet për infuzione të ndryshme për ekonominë.

“Krahas strategjisë kombëtare si domosdoshmëri e kohës pa dyshim se do të jetë tejet me rëndësi thithja e fondeve të ndryshme në mënyrë që të implementohet strategjia, andaj një fond i tillë duhet të jen edhe paratë e Trustit pensional të Kosovës dhe Bordi i Trusti Pensional duhet të fillojë të mendoj për këtë”, tha Bytyqi.

Sipas tij, për investimet e Trustit, bordi i tij duhet të gjejë alternativat më të mira, por Bytyqi thotë se do të ishte mirë themelimi i një Banke Zhvillimore për parat e Trustit dhe privatizimit.

“Do të ishte shumë me rëndësi dhe shumë e nevojshme themelimi i një Banke Zhvillimore, roli i së cilës do të ishte përkrahja e zhvillimit të bizneseve dhe ekonomisë në Kosovë. Më pastaj kjo bankë do t’i kishte në dispozicion paratë e Trustit, paratë e fondit të privatizimit dhe shumë fonde të tjera që do të mund të dalin nga dividenta e ndërmarrjeve publike që do të ishte një infuzion tejet i fuqishëm për ekonominë e vendit”, vlerëson Bytyqi. /Lulzim Ahmeti/Telegrafi/