LAJMI I FUNDIT:

Veriu, çështje e komplikuar

Mbajtja e seancës se jashtëzakonshme e Parlamentit të Kosovës për çështjen e veriut ishte mjaft interesante. Natyrisht, pozita tregonte “gatishmërinë dhe mos gatishmërinë” për të vendosur rendin dhe ligjin ne veri.

Opozita luante rolin e trimërisë? Sa mirë me qenë opozite në këto raste! Sidomos në Kosovë, ku shihet objektivisht pafuqia politike e juridike e institucioneve edhe për të nxjerr ndonjë vendim.

Aty shihet edhe hezitimi se si të veprohet me veriun!


Partitë në koalicion që udhëheqin ekzekutivin tregonin se kjo punë është e vështirë dhe e komplikuar për shkak të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos KFOR-it dhe EULEX-it. Është vërejtur qartë se këtu s’është lehtë për të gjetur ndonjë zgjidhje, se nuk mund të ndërhyhet pa pëlqim ndërkombëtar.

Veprimi shtetëror karakterizohet me jo shumë fjalë, por me një analizë të qartë për ndërmarrjen e masave adekuate për të sjell rendin dhe ligjin në atë pjesë të shtetit të Kosovës. Me fjalë, diskutime e debate kjo temë nuk zgjidhet.

Duhet pritur koordinimin ndërkombëtar, po që se veç ekziston interesimi i bashkësisë ndërkombëtare që të ketë ndonjë zgjidhje të brendshme. Bisedimet me bashkësinë ndërkombëtare duhet të shtrohen në tavolina, në disa versione.

Hapja e dialogut të brendshëm me qytetarët e veriut, me asistimin e faktorit ndërkombëtar, në bashkëpunim me institucionet e shtetit të Kosovës, mund te jetë version i parë i fillimit të zgjidhjes së problemit verior.

Varianti tjetër ka të bëjë me bisedimet – vetëm të bashkësisë ndërkombëtare me qytetarët serbë atje – pa ndërhyrje të palës së Kosovës dhe Serbisë

Version i tretë, janë bisedimet e përbashkëta trepalëshe: Kosovë, bashkësia ndërkombëtare dhe Serbia.

Ky version është për momentin i pranueshëm nga bashkësia ndërkombëtare. Po që se nuk ka ndonjë rezultat, atëherë të provohet varianti i bashkërendimit të bashkësisë ndërkombëtare dhe institucioneve ndërkombëtare të sigurisë për të sjellë rendin dhe ligjin atje.

Versioni i katërt i ndërhyrjes duket te jetë i komplikuar dhe kjo po shihet qartë nuk varet vetëm nga institucionet e shtetit të Kosovës, por nga bashkësia ndërkombëtare.

Nga kjo analizë shihen skenarët e mundshëm të zgjidhjes se problemit të veriut. Pra, së pari duket i rëndësishëm dialogu me bashkësinë ndërkombëtare për pjesën e veriut të shtetit të Kosovës, pra një dialog shumë intensiv dhe serioz, ku duhet të shqyrtohen modalitet se si të vendoset rendi dhe ligji atje.

Në praktikat ndërkombëtare është vërtetuar se skenarët kanë qëllime në secilin modalitet të veprimit. Nga aspekti i zgjidhjes së krizës, duhet përpunuar ato një nga një për të ardhur deri te përfundimet e caktuara. Kjo ndodhë për shkak të krijimit të procesit të maturisë, deri të nxjerrja e vendimit final për zgjidhje.

Këta skenarë mund të përpunohen nga ekspertë të ndryshëm të fushës së sigurisë dhe rendit e ligjit, e deri te politikanët. Kështu ka ndodhur në shumë shtete, ku ato kanë përbërë rolin kryesor të zgjidhjeve.

Vetëm pas shtrirjes së integritetit territorial duhet të hapet dialogu për organizmin e zgjedhjeve nga institucionet e Kosovës dhe plani tjetër operacional i vendosjes së institucioneve të rendit dhe ligjit. Por, gjithnjë kërkohet mirëkuptimi dhe bashkërendimi i aktiviteteve me bashkësinë ndërkombëtare.