Vërejtje për “Kosovën…” e Schmitit
“Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e historianit Oliver Jens Schmitt vjen më në fund edhe në shqip. Libri, siç e thotë autori në hyrje, ndahet në dy pjesë: e para shtrihet deri në përfundimin e sundimit osman më 1912, e dyta vijon deri në shpallje të pavarësisë më 2008, vit kur ky libër botohet në gjermanisht. Ky artikull shqyrton veç pjesën e dytë të këtij libri.
Krejt në fillim duhet thënë se habit mungesa në libër e disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së Kosovës përgjatë shekullit XX. Fjala vjen, nuk përmendet kryengritja shqiptare e vitit 1912, e prandaj as ndarjet mes politikanëve shqiptarë të Kosovës gjatë kësaj kryengritje: bejlerëve e agallarëve që kundërshtonin autonominë dhe udhëheqësve të kryengritjes që e synonin autonominë territoriale. Nuk theksohen as përçarjet mes vetë kryengritësve të vitit 1912, mbasi një pjesë e tyre pëlqenin me mbet të lidhur fort me Perandorinë Osmane, për çka edhe kërkesat u degradojnë në autonomi jo-territoriale.
Ndër komponentët më interesantë dhe më së miri të realizuara në libër është spiralja e dhunës dhe e kundër-dhunës e ushtruar nga serbët, por dhe shqiptarët, gjatë tërë shekullit XX. Megjithëkëtë, kur trajton krimet e forcave serbe më 1912, Schmitt pohon se “llogaritet të jenë vrarë 20-25.000 shqiptarë myslimanë”. Nuk sqarohet se të vrarët janë civilë të pafajshëm dhe këta papërjashtimisht paraqiten si myslimanë, ndonëse nga kujtimet e botuara të priftërinjve katolikë të kohës, Zef Mark Harapi dhe Lazër Mjeda, mësojmë për vrasjet e shumë shqiptarëve katolikë në vjeshtë të vitit 1912 nga forcat serbo-malazeze.
Schmitt e trajton me korrektësi periudhën gjatë Luftës së Parë Botërore, si dhe atë mes dy luftërave botërore, duke përfshirë krimet dhe kolonizimin, rrymat politike të shqiptarëve – kaçakët dhe xhemijetin – qëllimet e tyre, por edhe bashkëpunimet me përfaqësuesit politikë e ushtarakë të Serbisë. Mbase e vetmja vërejtje këtu mund të bëhet për trajtimin e krimeve të kryera kundër serbëve nga grupe të armatosura shqiptarësh gjatë qëndrimit të trupave autro-hungareze në Kosovë më 1915-18, sepse Schmitt jep veç versionin serb.
Te periudha e Luftës së Dytë Botërore autori nuk adreson ngjarje të rëndësisë së veçantë, si Konferenca e Bujanit (31 dhjetor 1943- 1 e 2 janar 1944) dhe pastaj Kuvendi i Prizrenit (10 korrik 1945), të dyja organizime të komunistëve të Kosovës, madje me përbërje të ngjashme pjesëmarrësish, por me qëllime diamatralisht të ndryshme. Ndërsa, Rezoluta e Konferencës së Bujanit thotë se Kosova e Rrafshi i Dukagjinit dëshiron të bashkohet me Shqipërinë, ajo e Kuvendit të Prizrenit shpreh dëshirën që Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit t’i bashkohen Serbisë federale, si pjesë përbërëse e saj. Autori nuk sqaron as se gjatë kësaj periudhe në një anë vepronte rryma “nacionaliste” me Lidhjen e Dytë të Prizrenit, e mbështetur nga nazistët gjermanë, e në tjetrën ajo “komuniste” me Këshillin Nacional-Çlirimtar për Kosovë e Metohi, e mbështetur nga komunistët jugosllavë. Nuk sqarohet as se partizanët komunistë të Kosovës ndahen brendapërbrenda: Fadil Hoxha në njërën anë, Shaban Polluzha në tjetrën. Ky i fundit madje s’përmendet fare në libër.
Autori nuk saktëson se edhe pas LDB në njërën anë vepronte rryma “legale”, si pjesë e institucioneve të sistemit jugosllav, e në tjetrën “ilegalja” që e kundërshtonte sistemin jugosllav. Te periudha e Rankoviqit, autori do të bënte mirë sikur të pahtësonte se gjendja e tmerrshme e shqiptarëve kundërshtohej nga Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve (LRBSh), e themeluar më 1963 dhe e udhëhequr nga Adem Demaçi, më i rëndësishmi organizim i shqiptarëve të Kosovës në dekadat e para pas LDB. Grupi i studentëve me orientim kombëtar që organizon demonstratat e vitit 1968, nuk krijohet pas rënies së Rankoviqit, siç thotë Schmitt, por më përpara, sepse bash të rinjtë e LRBSh-së i organizojnë demonstratat e vitit 1968, të cilat, pohon edhe vetë Schmitt, e ndryshojnë kursin politik të Kosovës.
Segment interesant dhe i trajtuar mirë është mungesa e mbështetjes për Kosovën nga Shqipëria gjatë kohës së Zogut dhe Hoxhës, por do të ishte më i plotë sikur të trajtohej mungesa e mbështetjes edhe para ardhjes së Zogut dhe pas mbarimit të pushtetit komunist të Hoxhës.
Schmitt nuk shfrytëzon fakte të bollshme për ta demaskuar propagandën e Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës gjatë viteve 1980, e cila synonte me përgatitë terrenin për ta suprimuar autonominë e Kosovës. Ndonëse në parathënien për botimin në shqip Schmitt sqaron se ka bërë saktësime të rëndësishme lidhur me disa shifra të diskutueshme, prapëseprapë mjaft nga shifrat e ngjarjet mbeten të pasakta. Në shumë pjesë të librit Schmitt bie pre e propagandës shqiptare, konkretisht te shifrat e dhëna për të vrarët gjatë demonstratave të vitit ‘81, ‘89 dhe ‘90. Mandej, proceset gjyqësore ndaj shqiptarëve të akuzuar në vitet ’93 dhe ‘95 për rezistencë kundër Serbisë, Schmitt i cilëson sikurse edhe propaganda shqiptare e kohës: procese të montuara.
Ngjarje të rëndësishme të viteve 90-91 prezantohen me pasaktësi, që në shikim të parë mund të mos duken fort relevante: mos përfshirja e Deklaratës Kushtetuese për Republikën e Kosovës (2 korrik 1990), pastaj, jo veç huqja e datës, por edhe e qëllimit të referendumit për Kosovën shtet sovran e të pavarur me të drejtë lidhjeje me Jugosllavinë (26-30 shtator 1991), e kështu me radhë. Duhet thënë se te periudha e viteve ‘90 Schmitt arrin t’i prezantojë në nivel, deri-diku të kënaqshëm, rrymat politike në Kosovë, por jo aq edhe qëllimet e tyre.
Vërejtje mund të bëhen edhe për pasqyrimin e Marrëveshjes së Rambujesë e të ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, por edhe për prezantimin e misioneve ndërkombëtare të vendosura në Kosovë. Këto ngjarje prezantohen me gabime, shpejt e shpejt dhe mjaft sipërfaqësisht. Po ashtu, ta zëmë, trazirat e marsit 2004 pasqyrohen disi njëanshëm dhe s’përmendet kund p.sh. se kishat dhe manastiret ortodokse të shkatërruara në këto trazira, rregullohen më vonë nga taksat e qytetarëve të Kosovës. Te kjo periudhë, pjesa më e mirë e librit janë kritikat ndaj UÇK-së.
Shifrat për vrasjet e kryera nga forcat serbe kundër shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë, mund të saktësohen në ndonjë ribotim eventual, meqë ka disa vite që për këto vrasje kemi regjistrimet e kryera nga dy OJQ, një Beograd e një në Prishtinë. Nga ana tjetër, autori shënon vetëm krimet e kryera pas luftës nga pjesëtarë të UÇK-së kundër serbëve, jo edhe ato gjatë luftës.
Autori thekson se “…shumica e shqiptarëve të cilët jetonin në veri të lumit Ibër, u detyruan të largoheshin nga ky rajon, përkatësisht nuk patën mundësi të ktheheshin më, pasi që atje serbët edhe më tutje e mbanin kontrollin politik”. Por, kishte me qenë më korrekte të saktësonte edhe se në pjesën veriore të Mitrovicës, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, vriten 11 dhe dëbohen 11.364 shqiptarë nga serbë të armatosur, madje në praninë e forcave të KFOR-it. Po ashtu, kishte me qenë mirë të shtohej se këto vrasje dhe dëbime i shtyjnë rreth 100 mijë shqiptarë nga gjithë Kosova të marshojnë paqësisht drejt Mitrovicës në shenjë solidarizimi me qytetarët shqiptarë të Mitrovicës.
Për fund, “Kosova – histori e shkurtër e një treve qendrore ballkanike” e Oliver Jens Schmittit, jo veç për shkak të mungesës së fusnotave dhe pasaktësive e lëshimeve, disa prej të cilave u parashtruan në këtë shkrim, por edhe për shkak të mos prezantimit të disa ngjarjeve të rëndësishme dhe prezantimit të njëanshëm e të shpejt e shpejt të disa ngjarjeve tjera, nuk e tejkalon assesi librin “Kosova – një histori e shkurtë” të Noel Malcolmit. Megjithëkëtë, ma merr mendja se, përkundër këtyre mangësive që u përmendën – është e pamundshme të evidentohen të gjitha mangësitë në një shkrim si ky – do të ishte e dobishme të zhvillohet kritikë e matur ndaj këtij libri e me sugjerime për përmirësime eventuale, e jo denigrime ad hominem, siç patëm kohëve të fundit kundër autorit të librit.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIsh-shoku për Gjestin: Është mosmirënjohës, injorant i fëlliqur - për katër vjet ia kam paguar qeranë e i kam dhënë bukë
Gjesti befasohet nga fjalët emocionuese të Eglit në letër, derisa ai i shkroi ish-partneres
Vrasja në Skenderaj, vëllai i viktimës: I kanë thanë zhveshu në mes lokalit, kanë deshtë me çnjerëzu, tani e kanë vra me 14 plumba
U tha se fiton mbi tre milionë euro për ta mbrojtur Messin - truproja e argjentinasit mes thirrjeve për ndihmë në profesion mohon zërat
Analiza e ekspertit amerikan për ndryshimet e Trumpit: Serbia do të bëjë përpjekje për territore në BeH dhe Kosovë
Nuk e harron akoma - Gjesti përlotet derisa i shkruan letër Diellzës
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat
Bëhet virale një video e Gjestit, ku i drejtohet me fjalor banal Eglit në dhomën e gjumit
"Disa njerëz u vranë këtu, brenda zyrës sonë": Zelensky zbulon se si u përpoqën ta vrisnin në pallatin presidencial
Kush shet më shumë çelik dhe alumin në SHBA dhe kush po përballet me tarifa?
Edhe një aksident me fatalitet në autostradën për Prizren
Gashi: LVV-ja tenton ta bëjë vetë qeverinë – nëse e bën me Listën Serbe, është vetëvrasje
Profesori nga Beogradi: Nëse krijohet Asociacioni për serbët në Kosovë, të bëhet edhe për shqiptarët në Serbi