LAJMI I FUNDIT:

Vëllaznimi barazon me Trepçën ‘89

Vëllaznimi barazon me Trepçën ‘89

Ndeshja hapëse e stinorit pranveror të Raiffeisen Superligës së Kosovës në futboll, në mes të Vëllaznimit dhe Trepçës ’89, përfundoi me rezultat të barabartë 1-1.

Në pjesën e parë të dyja palët patën raste të mira për të shënuar, por nuk e gjetën rrugën e golit.

Ndërkohë, në pjesën e dytë të parët në epërsi kaluan mitrovicasit, kur Ylber Myrta shënoi me kokë autogol në minutën e 60-të, pas goditjes së lirë të Shpëtim Idrizit.

Pas pësimit të këtij goli gjakovarët u vërsulën me të gjitha forcat në sulm dhe patën disa mundësi të mira shënimi, prej të cilave vlen të veçohet goditja e Admir Mehjes në minutën e 71-të që e qëlloi shtyllën.


Golin e barazimit vendasit e shënuan në minutën e 76-të, kur Shpat Tetrica shënoi nga afërsia, edhe pse paraprakisht u duk se Roland Duraku e preki topin me dorë.

Pas këtij momenti u tensionua situata dhe si rrjedhojë në minutën e 87-të pas një tollovie në zonën e mitrovicasve me karton të kuq u ndëshkua Valon Kasapi.

Me këtë barazim Trepça ’89 ruan vendin e dytë në tabelë me 31 pikë, teksa Vëllaznimi ende mbetet në pozitën e nëntë me 18 pikë. /Telegrafi/