LAJMI I FUNDIT:

UP ndërtoi strategjinë teorike dhe praktike për dije dhe liri

– Fjala e Presidentit të Republikës së Kosovës, në shënimin e 40 vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës –

I nderuari rektor, z. Mujë Rugova,
I nderuari kryetar i Parlamentit, z. Jakup Krasniqi,
Të nderuar ministra, përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, përfaqësues diplomatikë,
Udhëheqës të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës,
Përfaqësues të kultit,
Te nderuar profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës,
Kolegë të mi,
Të nderuar pjesëmarrës,

Sot është ditë e veçantë – e shënojmë 40 vjetorin e themelimit të Universitetit të Prishtinës. Kremtja, megjithëse u përket pikësëpari profesorëve dhe studentëve, ajo po kaq fuqishëm përjetohet edhe nga qytetarët e vendit tonë.


Fillimi i punës së Universitetit të Prishtinës ishte shtytë për krijimin e specialistëve të profileve nga fusha e filologjisë, arteve, shkencave sociale, matematiko-natyrore, juridike, ekonomike, teknike, të mjekësisë, të bujqësisë etj. Institucioni akademik do t’i shërbente zhvillimit socio-kulturor dhe ekonomik të Kosovës dhe në këtë kontekst veçmas shqiptarëve si popullsi shumicë.

Fati i zhvillimit të vendit tonë ishte i lidhur me punën dhe shtrirjen e Universitetit, sepse ai ndërtoi strategjinë teorike dhe praktike për dije dhe liri. Dija i dha jetë lirisë dhe të dyja bashkë u vunë në shërbim të të mirës për të gjithë. Ajo krijoi bazën për zhvillimin e shtetit dhe në këtë mënyrë e forcoi perspektivën tonë.

Këtë moto Universiteti i Prishtinës e promovoi që nga themelimi, dhe kjo mund të kuptohet më së miri nga fjala e prof. dr. Dervish Rozhajës, rektorit të parë, mbajtur më 15 shkurt 1970 në Prishtinë:
“Themelimi i Universitetit të Prishtinës është ngjarje historike. Një hap kualitativ përpara në progresin e mëtejshëm të gjithanshëm të shoqërisë. Zhvillimi i fuqishëm i shkencës sjell ndryshime përkatëse në koncepcionin dhe pozitën e saj në shoqëri. Në vend të shkencës si aktivitet i ndarë nga jeta, sot kemi depërtimin e saj në të gjitha poret e jetës”. (përf. citati)

E theksoj këtë fragment ceremonial të akademik Rozhajës, për të vlerësuar angazhimin e qindra profesorëve dhe punonjësve të Universitetit, përkushtimin për punën kërkimore–shkencore, thellimin dhe modernizimin e procesit të mësimdhënies, si dhe daljen në krye të kërkesave për lirinë dhe prosperitetin e Kosovës.

Me këtë rast kthejmë kujtesën tonë për të respektuar të gjithë profesorët dhe studentët e Universitetit të Prishtinës, të cilët punuan në proceset e krijimit dhe të realizimit të aspiratës për liri dhe mëvetësi nacionale, duke u nisur nga vitet ‘60, ‘80 dhe ’90.

Po kështu, vlerësojmë kontributin studimor të mijëra studentëve që u diplomuan në fakultete dhe shkolla të larta dhe si ekspertë eminentë, dijen e tyre e zbatuan jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Rozhajë e Novi Pazar, Mal të Zi dhe në shumë vende të botës.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në këto 40 vjet Universiteti i Prishtinës dha kontribut të qenësishëm në fushën e arsimit, të shkencës dhe arteve, shtylla këto, të ngritjes së identitetit modern të shtetit tonë, Republikës së Kosovës.

Universiteti e ngriti vetëdijen për njeriun e arsimuar si një faktor themelor të krijimit të një shoqërie të lirë, humane dhe demokratike.

Duke promovuar konceptin bashkëkohor të reformimit dhe menaxhimit, universiteti u bë korrespondues me vlerat konkurruese në tregun e dijes, jo vetëm në shkallë nacionale, por edhe universale.

Me pranimin e Deklaratës së Bolonjës Universiteti i Prishtinës bëhet edhe formalisht pjesë e komunikimit midis universiteteve në hapësirën evropiane të arsimit të lartë. Do të jetë me interes të ketë sa më shumë projekte të përbashkëta me partnerë akademikë jashtë vendit, në mënyrë që të ndërtohet koncepti i Universitetit jo vetëm si konsumues dhe i financuar, por edhe si prodhues dhe financues.

Dua të them me këtë rast, se ende nevojitet më shumë dëshirë dhe veprim praktik për të ndryshuar qasjen tradicionale të punës në Universitet. Ndërlidhja e studimeve dhe hulumtimeve me kërkesat e tregut të punës dhe strategjinë e zhvillimit nacional dhe global, mbetet një nga synimet kryesore për të ardhmen.

Për këtë arsye, ligjvënësit dhe qeveritarët, duke krijuar politika nxitëse të zhvillimit të arsimit të lartë, ndihmojnë realisht të ardhmen më të mirë të qytetarëve dhe të shtetit tonë.

Të nderuar pjesëmarrës,

Në Kosovë tashmë ndiqen politika liberale në arsimin e lartë. Arsimi i lartë është e drejtë e realizuar në gjuhën shqipe, serbe, turke, boshnjake. Ne duam që secili qytetar të ketë mundësinë për të arritur maksimumin shkencor dhe profesional. Këto politika duhet përparuar dhe stimuluar, mbasi ende jemi vendi me mesatare më të ulët të përfshirjes së të rinjve në arsimimin e lartë. Të rinjtë tanë duan arsimin dhe ne këtë jemi të obliguar t’ua mundësojmë.

Që nga 1 tetori i këtij viti në Prizren do të fillojë punën edhe Universiteti i dytë publik në Kosovë. Ndërkohë, në vitet e fundit është zhvilluar një rrjet shumë i rëndësishëm i institucioneve private të arsimit të lartë. Në të ardhmen priten investime të rëndësishme edhe në ngritjen e institucioneve me profilizime të reja.

Besoj, të gjitha këto do të ndikojnë në rritjen e konkurrencës universitare dhe ofrimin e cilësisë më të lart ani pse tregu i dijes në Kosovë po bëhet gjithnjë e më i hapur, dinamik dhe gjenerues. Në të, pozita e Universitetit të Prishtinës, si universiteti i parë dhe me një traditë kaq frytdhënëse, duhet të ruhet dhe forcohet me punë dhe ndryshim të përhershëm, reformim thelbësor, investime në ngritjen e kuadrove të reja, investime në modernizimin e procesit kërkimor-shkencor dhe të kushteve më të mira për mësim dhe banim të studentëve.

Jam shumë i bindur se këtë do ta bëjë Universiteti i Prishtinës dhe në këtë projekt do të ketë përkrahjen e merituar.

Urime edhe një herë për 40 vjet të punës së Universitetit të Prishtinës!
E ndjej si privilegj që vitin e parë të studimeve e kam filluar në Universitetin e Prishtinës.
Ju faleminderit!

Në trend

Më shumë
Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Gjesti paralajmëron produksionin e Big Brother në Kosovë e Shqipëri: Vetëm sa të dal, ma keni futur pas shpinës

Magazina
Analisti malazez për fjalimin e Osmanit në Uashington: 12 minutat më së miri të shfrytëzuara ndonjëherë nga një politikan

Analisti malazez për fjalimin e Osmanit në Uashington: 12 minutat më së miri të shfrytëzuara ndonjëherë nga një politikan

Lajme
Vaktia e Ramazanit 2025

Vaktia e Ramazanit 2025

Lajme
Kurti paralajmëron formimin e qeverisë: Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin

Kurti paralajmëron formimin e qeverisë: Qytetarët na e besuan mandatin e ri të qeverisim me vendin

Politikë
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë: Shpërbërja e USAID-it nga Trump dëmton interesat e SHBA-së dhe është dhuratë për konkurrentët tanë

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë: Shpërbërja e USAID-it nga Trump dëmton interesat e SHBA-së dhe është dhuratë për konkurrentët tanë

Lajme
Rashiq ngre dyshime për manipulime nga Lista Serbe: Persona të panjohur po ofrojnë para për anulimin e votave të partisë time

Rashiq ngre dyshime për manipulime nga Lista Serbe: Persona të panjohur po ofrojnë para për anulimin e votave të partisë time

Lajme
Kalo në kategori