LAJMI I FUNDIT:

United turpëron Milanin

United turpëron Milanin

Manchester Unitedi ka siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve duke eliminuar Milanin me rezultat të përgjithshëm 7-2.

Takimi i parë i 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve i zhvilluar në San Siro, përfundoi me fitoren e Manchesterit me rezultat 3-2, ndërsa ndeshja e zhvilluar të mërkurën mbrëma në Old Trafford i takoi sërish skuadrës angleze, e cila shënoi fitore me rezultat 4-0.

Në pjesën e parë, mysafirët patën më shumë nga loja, sa i përket statistikave, mirëpo vendasit ishin më efikas duke realizuar një herë.


Ishte lojtari në top-formë, Wayne Rooney, ai i cili e ndëshkoi Milanin, pasi arriti të shënojë me kokë, pas një harkimi të Gary Neville (13’).

Porsa filloi pjesa e dytë (46’), në Teatrin e Ëndrrave u rishfaq ‘ëndrra e keqe e Milanit’- superRooney, i cili realizoi golin e dytë në këtë ndeshje, dhe të katërtin kundër Milanit në të dyja takimet.

Në minutën e 59-të, Ji-Sung Park shoi shpresat e Rossonerëve për kualifikim duke shënuar edhe golin e tretë për Djajtë e Kuq, pas një pasimi të Paul Scholes.

Për të turpëruar edhe më shumë Milanin, u përkujdes Darren Fletcher i cili realizoi edhe golin e katërt (88’) dhe në këtë mënyrë kuqezinjtë u eliminuan nga gara më prestigjioze e futbollit evropian për klube. /Telegrafi/