LAJMI I FUNDIT:

Trendi i ri i kryetarëve të komunave: Vetëqeverisja!

Trendi i ri i kryetarëve të komunave: Vetëqeverisja!

Pas befasive të këtyre zgjedhjeve lokale, e sidomos befasitë nga rezultati i balotazhit për kryetar të komunave në Kosovë, doli edhe një risi tjetër: dëshira e kryetarëve të porsazgjedhur për vetëqeverisje. Gati secili kryetar i zgjedhur po dëshiron që qeverisjen e komunës ta bëjë vetë dhe të mos e ndaj me asnjë partner. Këtë e dëgjuam prej kryetarit të ri të Prishtinës, menjëherë pas shpalljes së rezultateve. Pasta e dëgjuam edhe prej atij të Gjilanit, e tash së fundmi nga ai i Therandës…

Në përballjen e parë me këtë fenomen, fillimisht duket se gjithçka është në rregull: ai i cili fiton zgjedhjet, ai edhe qeverisë. Por, sistemi elektoral në Kosovë, si ai qendror edhe ai lokal, është i ndërtuar në atë mënyrë që e bënë të pamundur që i pari i qeverisë, të qeveris vendin pa përkrahjen e Kuvendit të Kosovës; por, edhe i pari i komunës nuk mund të qeverisë komunën pa përkrahjen e Kuvendit Komunal. Të paktën kështu kemi zgjedhur të qeveriset Kosova. Përndryshe, ne e kemi provuar dhe sistemin monist, ku vendi qeverisej vetëm prej një partie, sepse ajo parti kishte “program të mirë” për qytetarët. Por, edhe qytetarët ishin “të kënaqur” me qeverisjen e të vetmes parti, si në nivelin qendror ashtu edhe në atë lokal.

Më së shumti më ka befasuar kryetari i ri i Gjilanit, Lutfi Haziri, për të cilin kam respekt, e sidomos pas qëndrimeve të tij të shprehura publikisht për respektimin e manifestimit publik të besimit dhe ndërgjegjes. Jam i befasuar sepse ai është një politikan me eksperiencë të bollshme, por edhe ka qenë më herët kryetar komune dhe e dinë sa është e vështirë menaxhimi i komunës pa asnjë partner dhe pa 50 për qind të asambleistëve komunal nga subjekti i cili vjen edhe kryetari. Ndërsa, nuk jam befasuar shumë me kryetarin e ri të Prishtinës, Shpend Ahmetin, një ekonomist i ri me premisa të mëdha dhe të cilin e pret një karrierë politike premtuese. Por, konsideroj se matematika politike ka një sistem tjetër të llogaritjes dhe këtu e shoh se Ahmeti ka bërë një “miss calculation” të tillë, sikurse edhe kryetari i Gjilanit.


Ndoshta kishte me mjaftua vetëm një shembull për të shtjelluar mendimin tim se nuk është e mundur të udhëhiqet komuna vetëm nga një subjekt politik i cili nuk ka në Kuvend mbi 50 për qind të asambleistëve. Po detyrohem të sjellë për ilustrim dy komuna, të Prishtinës dhe atë Gjilanit dhe krejt kjo për të demonstruar se analiza ime nuk është kundër ndonjë subjekti politik, por thjeshtë një analizë e bazuar në fakte dhe nga përvoja ime në dy mandate në KK të Prishtinës.

Fillimisht, në çdo komunë, përveç kryetarit i cili udhëheq ekzekutivin e komunës me kompetenca mjaftë të gjera, edhe Kuvendi Komunal nuk është i parëndësishëm. Kështu, kjo e bënë të pamundur udhëheqjen e Komunës pa një koordinim të punës mes kryetarit dhe kuvendit.

Tekefundit, Kuvendi Komunal reflekton preferencën e qytetarëve për të qenë të përfaqësuar nga ata asambleistë. Kështu, kryetari i ri i Prishtinës, nga subjekti nga i cili vjen, në Kuvendin komunal i ka vetëm 10 asambleistë, nga 51 gjithsej sa i ka KK e Prishtinës. Thënë, ndryshe 20 për qind të votuesve të kryeqytetit që ia kanë besuar përfaqësimin e tyre anëtarëve të VV-së dhe programit të tyre. Ndërsa, 41 asambleistë ose 80 për qind e votuesëve të kryeqytetit kanë preferuar që të jenë të përfaqësuar në KK të Prishtinës nga asambleistë dhe programe ndryshe nga ajo e VV-së.

E ngjashme është situata edhe në Gjilan, ku subjekti politik i kryetarit të komunës ka 11 asambleistë nga 35 sa i ka Kuvendi, që ndryshe i bie afër 30 për qind të votuesve të Gjilanit.

Vërtetë është paradoksale të thuhet: “Nuk i kemi numrat në Kuvend, por besojmë në arsyeshmërinë e vendimeve tona që do t’i marrim për qytetarët”, ose tjetri: “Nuk kemi menduar për asnjë lloj koalicioni… Programin tonë do ta paraqesim në detaje, dhe si i tillë do të kërkojmë që ai ta marrë pëlqimin…”, ose: “Jam i gatshëm për bashkëpunim me të gjitha subjektet politike, por jo edhe për ndarjen e qeverisjes”.

Sikur po harrojnë këta kryetar të rinj se kuvendet komunale përbëhen edhe prej legjislativit dhe jo vetëm prej ekzekutivit. Po ashtu, në zgjedhjet e fundit që fituan ka pasur dy lloj votimesh, për kryetar komunash dhe për kuvende komunale. Kështu, nëse arsyeshmëria e vendimeve nga programi i një subjekti politik të pakicës me një komunë kërkon të marrë pëlqimin nga shumica, a nuk është absurde që arsyeshmëria e programeve të shumicës të mos implementohet asnjëherë, edhe përkundër faktit se qytetarët e asaj komune mendojnë ndryshe nga pakica udhëheqëse e ekzekutivit.

Këta kryetarë sikur po duan të thonë: Tokën e lëvrojmë dhe e mbjellim së bashku, por drithin e marr vetëm unë. A nuk është kjo pak e tepërt dhe egoiste?!

Deri tash folëm për dëshira dhe aspirata, por tani që konstituimi i kuvendeve komunale ka filluar, edhe sfidat reale fillojnë dhe i kthejnë kryetarët e komunave me këmbë në tokë.

Shkurtimisht, kryetari i komunës ka kompetenca ekzekutive më të pavarura nga kuvendi komunal se sa ekzekutivi i qeverisë qendrore nga Kuvendi i Kosovës. Si rezultat, ai ushtron të gjitha kompetencat, të cilat nuk i jepen në mënyrë eksplicite kuvendit komunal. Por, si do të veprojë me ato kompetenca që i jepen kuvendit komunal. P.sh. rregulloret dhe aktet tjera të cilat duhet të miratohen nga Kuvendi komunal. Të gjitha këto ai duhet t’ia propozojë Kuvendit për miratim. Po ashtu, Kuvendit komunal duhet t’i propozojë edhe zhvillimin komunal, planet rregullative dhe investuese, si dhe buxhetin vjetor, që nëse nuk i miraton Kuvendi ajo komunë mbetet jofunksionale.

Të mos iu hyj në hak asambleistëve të kuvendeve komunale në Kosovë, duhet të përmendim edhe kompetencat e tyre që nuk mund të delegohen ato përgjegjësi lidhur me marrjen e vendimeve për statutin e rregulloren e punës, miratimin e buxhetit dhe planeve investuese, miratimin e çështjeve tjera financiare, të cilat janë të rezervuara për kuvendin, miratimin e planit vjetor të punës dhe raportit vjetor, miratimin e nivelit të tarifave dhe ngarkesave, e shumë të tjera që parashihen me ligjin për qeverisjen lokale.

Nëse të gjitha këto kompetenca të kuvendeve komunale, kryetarët e rinj të komunave, që janë deklaruar për vetëqeverisje, do të mund t’i nëpërkëmbin dhe tejkalojnë, atëherë detyrohem që personalisht t’ju uroj suksese. Por edhe do të inicioja ndryshimin e Ligjit për Qeverisjen Lokale, duke i shuar kuvendet komunale, për t’ia lënë qeverisjen e komunave vetëm kryetarit pa asambleistë. Kështu do të kursenim edhe buxhetin e shtetit, duke shmangur pagat dhe shpenzimet e zgjedhjeve për kuvendet komunale.