LAJMI I FUNDIT:

Trashëgimia pa mbrojtje, shkaku i neglizhencës institucionale

Trashëgimia pa mbrojtje, shkaku i neglizhencës institucionale

Monumentet kulturore në Kosovë ende nuk gëzojnë mbrojtje të përhershme shtetërore. Ministria e Kulturës, Kuvendi i Kosovës e Këshilli i Kosovës për Mbrojtje të Trashëgimisë, nuk po mund të merren vesh. Këshilli ka vite që funksionon vetëm me pjesën e administratës. E, derisa ky këshill është pa bord, në Ligjin për Trashëgimi Kulturore thuhet se i njëjti përcakton mbrojtjen e përhershme.

Në Ministrinë e Kulturës thonë se mungesa e listës për mbrojtje të përhershme të trashëgimisë kulturore vije si pasojë e mos funksionimit të Këshillit. Sipas tyre, MKRS-ja nuk ka çfarë të bëjë në këtë çështje përveç ofrimit të mbrojtjes së përkohshme.

Jehona Shyti, zëdhënëse për informim në MKRS thotë se listën për mbrojtjen e përkohshme të monumenteve të trashëgimisë kulturore e miraton Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, ndërsa listën për mbrojtje të përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore duhet ta miratojë Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore.

“Fatkeqësisht, akoma nuk e kemi një listë për mbrojtjen e përhershme të aseteve të trashëgimisë kulturore”, thotë ajo.


Sipas saj, me miratimin e projektligjit të ri të trashëgimisë kulturore, do të krijohen kushtet që Kuvendi i Kosovës të emërojë një këshill të ri të trashëgimisë kulturore me çka do të krijohen kushtet për listën e mbrojtjes së përhershme të trashëgimisë kulturore.

Përkundër kësaj, në KKTK nuk pranojnë të thuhet se aty është një këshill që nuk funksionon. Ata theksojnë se e kanë një raport që shpalos punën dhe funksionalizimin e Këshillit. E, në raport thuhet: “Sipas përkufizimeve ligjore, vendosja (shpallja) e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme (të shtetit) dhe vlerësimi i projekteve janë përgjegjësi e KKTK-së. Ndërkaq, përmbushja e këtyre detyrave realizohet me punë interaktive ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës, KKTK-së dhe MKRS-së me institucionet vartëse të saj. Mungesa e paraqitjes së propozimeve nga MKRS-ja, pamundëson pranimin, shqyrtimin dhe vendosjen (shpalljen) e pronave të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme (të shtetit) apo vlerësimin e projekteve nga KKTK, sipas kompetencave të përcaktuara me ligj”.

Sipas raportit, pronat e trashëgimisë kulturore vazhdojnë të mbeten pa status të caktuar, si pasojë e mungesës së paraqitjes së propozimeve dhe projekteve për vlerësim.

Derisa pohojnë se funksionon vetëm pjesa teknike, Kuvendi i Kosovës ndan buxhet për këtë këshill, që sipas krerëve të komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport, nuk e dinë se ku shpenzohet ai buxhet.

Ramë Vataj, kryetar i këtij komisioni, thotë se nuk pranohet një raport i punës vjetore i një organi që nuk ka funksionuar fare, ku ka funksionuar administrata për me marrë rroga ose me kry punë teknike.

Vataj mendon se zgjidhja duhet të jetë në Ministri, që ata të vendosin a të dërgojnë emra që do t’i emërojë pastaj Kuvendi i Kosovës, ose siç thotë ai, të themelojnë një agjencion në kuadër të Qeverisë, i cili do të kujdeset për këto çështje.

Ka edhe të tillë që mendojnë se çdo gjë do të ishte zgjidhur rreth mbrojtjes së përhershme të trashëgimisë kulturore, nëse institucionet nuk do të neglizhonin punët e tyre. Lirije Kajtazi, anëtare e komisionit për Kulturë, Rini dhe Sport, nga radhët e LDK-së, thotë se çështja e mbrojtjes së përhershme të trashëgimisë vjen edhe si pasojë e konfliktit të vet këshillit për trashëgimi.

“Është ligji aktual i cili do të kishte mundësuar që punët të kryhen, por është një mungesë edhe neglizhencë e institucioneve të cilat nuk i kanë kryer punët e veta”, thotë ajo.

Edhe në Institutin për Trashëgimi Kulturore vlerësojnë se si pasojë e mos funksionimit të këshillit për mbrojtje të trashëgimisë, monumentet kanë mbetur peng, duke mos pasur mundësi t’ju ndahet mbrojtja e përhershme. Kështu thotë drejtoresha e këtij instituti, Burbuqe Deva.

“Në nenin 4 të këtij Ligji – ku janë masat mbrojtëse të monumenteve – parashihet që Këshill i Kosovës për trashëgimi kulturore të jetë autoriteti i cili bën vlerësimin e pronave të trashëgimisë kulturore, po ashtu edhe përgatit vendime të cilat në fund nënshkruhen nga ministri i Kulturës për monumentet të cilat do të kenë mbrojtje të përhershme. Mirëpo, siç dihet, Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore është një organ i cili nuk është i kompletuar”, thotë ajo.

Duket se gjendja e monumenteve kulturo-historike në Kosovë do të mbetet kështu derisa nuk përcaktohet qartë institucioni kryesor e përkatës për të mbrojtur atë trashëgimi. Deri atëherë, karshi monumenteve të ndryshme kulturore do të vazhdojnë ndërtime me lartësi të padefinuara e që shumë herë mund edhe të mbulojnë pamjen e monumentit.

Ndryshe, shumica e shteteve tanimë kanë në mbrojtje trashëgiminë kulturore. /KosovaPress/