LAJMI I FUNDIT:

Torcidat s’ka kush i ndalë

Torcidat s’ka kush i ndalë

Kur është në pyetje skuadra e zemrës, ata bëjnë gjithçka, madje edhe thyejnë rregulla. Shumica e tifo-grupeve kosovare kanë ngritur zërin kundër vendimit të Federatës së Basketbollit të Kosovës, e cila nuk i lejon tifozët të udhëtojnë në fushat mysafire për t’i përkrahur skuadrat e tyre, kjo për shkak të evitimit të incidenteve të ndryshme.

Këtë rregull do ta thyejnë për të dytën herë tifozët mitrovicas, ‘Torcida’. Përfaqësuesi i këtij grupi të tifozëve, Adnan Musa, thekson se tifozët e Trepçës do ta thyejnë këtë rregull të FBK-së qysh në ndeshjen ndaj Pejës, pasi që u kanë siguruar biletat tifozëve mysafir.

“Ne u kemi siguruar biletat tifozëve të Pejës, dhe u premtoj të gjitha tifozërive tjera që do t’iu sigurojmë bileta për ta parë skuadrën e tyre, kur Trepça luan vendës”, ka thënë Musa.

Më tej ai konfirmoi se ‘Torcida’ nuk do të ndalet së vepruari kundër FBK-së, derisa të arrijnë qëllimin e tyre.


“Ne nuk do të ndalemi me kaq. Do të bëjmë gjithçka që FBK-ja të heqë këtë rregull e cila është e pakuptimtë. Do të vazhdojmë me iniciativa derisa ta arrijmë qëllimin tonë. Ne nuk po kërkojmë shumë, thjeshtë të na mundësohet ta ndjekim skuadrën tonë në çdo vend. Sporti luhet për shikues, ndërsa FBK-ja nuk na lejon që të hyjmë në palestër. Kjo është katastrofë”, ka deklaruar i mllefosur Musa për Orainfo. /Telegrafi/