Toka e hidhur dhe e ëmbël

"...Amara terra mia, amara e bella mia ... Adio, adio amore, io vado via..." Nga: Josif Papagjoni
Po i dëgjoja këto vargje në zërin e përmallshëm të Modunjos (Domenico Modugno), sot mbasdite. Dhe, ma pushtoi shpirtin nostalgjia e viteve të mia të rinisë. Kaq herë këtë këngë e këndoja me tim vëlla, Mitron, me dy kitarat tona për qejf ... Vitet '60! Atëherë kuptoja mallëngjimin e tingullit dhe diçka nga gjuha. Sot, eh, s'di pse ma drithëroi shpirtin. Vallë se jam plakur? Jo. Vallë se më mbyti nostalgjia? Jo e gjitha ... Kënga flet për një “lamtumirë të tokës së hidhur dhe të ëmbël njëherësh, për një lamtumirë nga e dashura ë shtrenjtë” për të shkuar diku, ndofta nga fshati yt në një qytet të madh e të huaj, ndofta nga dheu yt në një tjetër tokë të huaj, shtet, kontinent, tjetër gjuhë, të tjerë njerëz ... Dhe, atëherë: Lamtumirë dashuri! Lamtumirë atdhe! Lamtumirë njerëz të mi, lamtumirë nënë, baba, motër, vëlla! Lamtumirë!...
Sot, ne shqiptarët, e dimë ç'është emigrimi, ajo hidhësirë që na mbetet thellë, ai helm, por dhe ai mall, ajo ëmbëlsirë nostalgjie, kujtimesh, imazhesh. Italianët e bënë këtë sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, por dhe më parë. Ne e bëmë pas shembjes së komunizmit. Ikëm nga sytë këmbët, barkbosh, në mjerimin tonë biblik, me një trastë ëndrrash dhe shpresash hedhur shpinës. I lamë shtëpitë tona, të dashurat, familjen, pemët, malet, detin, "amara e bella terra mia". Ikëm për mos t'u kthyer më.
Rreth dy milionë shqiptarë dhe ende po ikim me dy valixhe plaçkash tërhequr nëpër aeroporte. Emigrimi është i rëndë, afërmendsh, se ka gjithë gravitetin e ndarjes, mallit, dhembshurisë për të afërmit, tokën, mbamendjen. Por, ai nuk është një tragjedi, sepse është, sakaq e sidomos, edhe një kërkim për jetë me të mirë, teksa ndarja mund mos të jetë përfundimtare. Mundësitë e kthimeve në një bote pa kufij, të hapur, me teknologji komunikimi të jashtëzakonshme dhe vajtje-ardhje të shpeshta, e lehtëson nga pesha tragjike dhe mallëngjyese emigracionin. Andaj dhe, ndërsa ma gufoi shpirtin kënga, dramaciteti dhe zëri i Domeniko Modunjos, thashë me vete: Sa mire ne shqiptarët i patëm, më në fund, udhët e botës të hapura pas atij burgimi 50 vjeçar, duke e kthyer emigrimin në një premisë zhvillimi, jetë më të bukur, pasurimi dhe zhvillimi te gjithanshëm, madje edhe kombëtar.
Eh, i mrekullueshmi Domeniko Modunjo, ç'ma solle afër rininë time, vitet '60, kitarat, nostalgjinë dhe ma vure mendjen në vrap në një tjetër kohë ... E, megjithatë, megjithatë Domeniko, ti ke te drejtë: "Amara e bella terra mia ... Amore, amore, io vado via..."



















































