LAJMI I FUNDIT:

“Theater Mogul”: “Dodona” shfaqi versionin më të mirë të “Njeriut të shpellës”

“Theater Mogul”: “Dodona” shfaqi versionin më të mirë të “Njeriut të shpellës”

Të premten, në Teatrin e Qytetit të Prishtinës - “Dodona”, u dha premiera e komedisë më të njohur në botë, “Në mbrojtje të njeriut të shpellës”.

Ky realizim është bërë në bashkëpunim me kompaninë e njohur të produksionit teatral, “Theater Mogul”, shfaqjet e së cilës jepen në 300 qytete të ndryshme, në 50 shtete të shtrira në gjashtë kontinente.

Kjo premierë njëherazi paraqiste bashkëpunimin e parë të një teatri në trojet shqiptare, me një produksion të nivelit të tillë botëror.

Publiku ishte i mahnitur nga kjo shfaqje, me lojë dhe regji. Përmes reagimit të tyre, u arrit ajo që kishin thënë kritikët amerikanë për këtë realizim: “’Njeriu i shpellës’ është për të qeshur deri në histeri” apo “Fytyra të dhemb nga të qeshurat me zë”.


Posteri i shfaqjes

Por, përkundër punës dhe angazhimit të madh, pranimit të mirë shfaqjes, ekzistonte një “problem”, sepse i pranishëm në “Dodona” ishte edhe producenti i “Theater Mogul”, Simon Peirson – personi që e jep “aminin” për të vazhduar tutje apo për ta ndaluar shfaqjen. Fatmirësisht, reagimet e tij ishin mahnitëse. Shumë të pranishmëve, që kërkuan mendimin e tij, u ka thënë se “ky version e ka fascinuar”.

Në një prononcim me email për Telegrafin, Peirson thotë: “Ishte kënaqësi që isha në Kosovë dhe që isha dëshmitar i një shfaqjeje të tillë të mrekullueshme. E kam parë ‘Njeriun e shpellës’ në shumë shtete, në shumë gjuhë, por mbrëmja e së premtes ishte një nga performancat më të mirat që kam parë ndonjëherë në jetë. Gjithçka ishte e shkëlqyer”.

Mos të harrojmë se kjo shfaqje është përkthyer në 18 gjuhë të botës, është dhënë në 45 shtete, 150 qytete, para hiq më pak se tetë milionë shikuesve. Një rekord botëror. Në Broadwayn e famshëm premiera e saj jepet më 1995, për të mos u ndalë kurrë reprizat e saj, deri në ditët e sotme. Kështu arriti të futet edhe në librin e rekordeve si monodrama më jetëgjatë në historinë e Broadwayt.

Pamje nga shfaqja (Foto: Avni Selmani)

Deklarata e Perisonit ishte një lehtësim i madh për forcën shtytëse të këtij projekti, ndërmarrësin e suksesshëm, Bekim Kasumi. Për ta fituar të drejtën për realizim, nga “Theater Mogul”, nuk ishte punë e lehtë. Ai ia doli, ndërsa ka marrë përsipër të gjitha obligimet, me të vetmin qëllim: që Kosova ta ketë një shfaqje të nivelit botëror, të vlerësuar nga një produksion botëror, ndërsa që publiku të kënaqet dhe të relaksohet me performancën.

“Jam i lumtur që një punë e madhe, me qëllim të mirë, u kurorëzua me një vlerësim të tillë nga ‘Theater Mogul’. Mundi im u shpagua, sepse e sollëm, bashkërisht me teatrin ‘Dodona’, një shfaqje të mirë, ndërsa dëshmuam po ashtu se Kosova me vullnet të mirë mund ta dëshmojë veten me art”, ka thënë Kasumi për Telegrafin.

Repriza e shfaqjes “Në mbrojtje të njeriut të shpellës” jepet të premten në teatrin “Dodona”, në ora 20:00. /Telegrafi/

Foto pas premierës me ekipin realizues (nga e majta në të djathtë): Faik Gashi (realizimi i intro-videos), Agron Shala (drejtor i TQP “Dodona”), Veton Osmani (aktori i shfaqjes), Bekim Kasumi (menaxheri i shfaqjes), Saranda Rugova (asistente e shfaqjes), Natyra Kallaba (aktore në intro-video), Simon Peirson (producent i “Theater Mogul”) dhe Agim Selimi (regjisor i shfaqjes).