Hashim Thaçi u zgjodh president i Republikës së Kosovës mes tensionit 10 ditë më parë. Ai nuk ngurron t’i cilësojë komandantë të shquar Ramush Haradinajn dhe Fatmir Limajn, dje-bashkëluftëtarë, sot-opozitarë.
Në intervistën e parë për shtypin e Tiranës, kreu i ri i shtetit flet për marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë dhe disa tendenca të reja anti-amerikane në Prishtinë. “Nuk e përjashtoj që të jenë sponsorizuar nga jashtë, sidomos duke pasur parasysh një angazhim në rritje të Rusisë në rajonin tonë”, thotë Hashim Thaçi për “Gazetën Shqiptare”.
Zgjedhja juaj në krye të shtetit ndodh në një kohë jo të qetë për Kosovën. Cilat janë, sipas mendimit tuaj, sfidat kryesore që pritet të përballojnë presidenti i ri dhe Kosova?
Thaçi: Unë besoj se turbullirat e kohës së fundit janë kalimtare dhe ato fundja i ka kaluar çdo demokraci e re në fazën tranzitore. Mjafton të shikohet situata në shtetet fqinje të Kosovës apo në vende të tjera postkomuniste të Evropës, që kanë shumë më tepër jetëgjatësi dhe përvojë demokratike se ne, për të kuptuar se për 17 vite liri dhe 8 vite pavarësi, Kosova ka ecur shumë para.
Periudha e gjatë në robëri dhe diktaturë ka lënë gjurmët e veta në shoqërinë tonë dhe besoj do të na duhet ende pak kohë sa ta përshtatim kulturën tonë politike me sistemin e avancuar demokrat që kemi ndërtuar. Ne nuk kemi një përvojë të demokracisë para Luftës së Dytë Botërore siç e kanë pasur, ta zëmë, vende të Evropës Qendrore, duhet mbase më shumë kohë që të mësojmë ta gëzojmë lirinë, ta shijojmë dhe administrojmë siç duhet lirinë, ta respektojmë dhe kultivojmë lirinë dhe procedurat demokratike.
Ky proces mund të na marrë edhe pak kohë, ama jemi të sigurt që liria dhe demokracia do të triumfojnë. E rëndësishme është që, pavarësisht vështirësive, procedurat demokratike janë zbatuar me përpikëri, është siguruar vazhdueshmëria institucionale në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe presidenti është zgjedhur duke garantuar plotësisht legalitetin dhe legjitimitetin e procesit. Pra, një gjë është e sigurt: Kosova nuk ka më kthim prapa, Kosova do të shkojë vetëm përpara në procesin e kultivimit të kulturës dhe traditës demokratike, konsolidimit të sundimit të ligjit dhe të përqafimit të standardeve evropiane të qeverisjes. Institucionet tona kanë dalë nga këto vështirësi më të kalitura, më të forta dhe më të përgatitura për sfidat e së ardhmes.
Çfarë ka lënë pa realizuar kryeministri Hashim Thaçi, që mendoni se duhet t’i realizojë presidenti Hashim Thaçi?
Thaçi: Pas një rruge të mundimshme drejt çlirimit dhe pavarësisë dhe pasi kemi rrumbullakosur sovranitetin territorial të Kosovës, e tërë vëmendja dhe orientimi ynë do të jetë zhvillimi i vendit dhe integrimi euroatlantik. Këto janë procese të gjata dhe shumë të vështira, dhe unë besoj se presidenti me rolin e tij kushtetues si përfaqësues ndërkombëtar i shtetit, si garantues i funksionimit demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe si komandant i përgjithshëm, ka shumë punë dhe peshë në axhendën euroatlantike të Kosovës.
Në kuadër të procesit të integrimit evropian, unë do të angazhohem për të ndihmuar në përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, që janë: konsolidimi i demokracisë, sundimit të ligjit, ekonomisë së tregut si dhe të drejtat e njeriut dhe të pakicave. Si president i Republikës së Kosovës do të jap maksimumin për të forcuar demokracinë e Kosovës, respektimin e procedurave demokratike, duke ndihmuar në ato reforma siç është ajo e sistemit zgjedhor, që do të mundësojnë arritjen e standardeve më të larta evropiane në këtë sferë. Unë shoh një rol të madh të presidentit në fushën e drejtësisë si një kriter për anëtarësim në BE. Konsolidimi i sistemit të drejtësisë nuk lidhet vetëm me përmbushjen e kriterit të Kopenhagës të drejtësisë, por lidhet edhe me zhvillimin e ekonomisë së tregut.
Na nevojitet një sistem i drejtësisë efikas dhe efiçient në zbatimin e kontratave, mbrojtjen e pronës private dhe në luftën kundër korrupsionit për t’i dhënë mundësi ekonomisë sonë që të lulëzojë. Po ashtu, si përfaqësues i unitetit të popullit të Republikës së Kosovës unë do bëj çmos që të sigurohen standardet më të larta të të drejtave të njeriut dhe të pakicave, do t’i kushtoj vëmendje të veçantë këshillit konsultativ për komunitetet si dhe do bëhem zëdhënës i zërit dhe interesave të grupeve të margjinalizuara apo të cenueshme, si gratë, fëmijët apo të moshuarit. Si komandant i përgjithshëm i vendit, kuptohet që do të kem një rol të madh në mbajtjen të palëkundur të orientimit të kursit të Kosovës drejt aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të tjerë të Atlantikut Verior duke nxitur përshpejtimin e reformave që do të mundësojnë anëtarësimin e Kosovës në NATO në një të ardhme jo të largët.
Një element i ri negativ, që bie në sy në skenën politike dhe mediatike kosovare muajt e fundit, është një tendencë e shprehjes së qëndrimeve antiamerikane, të hapura ose të kamufluara. A vjen kjo nga pakënaqësia e zhvillimeve të brendshme, apo është ndonjë zhvillim i sponsorizuar nga forca të interesuara që të krijojnë çarje midis Kosovës dhe aleatit të saj strategjik, SHBA-ve?
Thaçi: Është e vërtetë që ka pasur zëra sporadikë, të cilët, fatkeqësisht kanë qenë goxha të zëshëm në këtë periudhë, duke shfrytëzuar edhe vështirësitë për të cilat folëm më sipër. Unë nuk e përjashtoj që të jenë sponsorizuar nga jashtë, sidomos duke pasur parasysh një angazhim në rritje të Rusisë në rajonin tonë dhe një shtim të keqinterpretimit të çështjes së Kosovës nga udhëheqësit rusë në debatet apo përplasjet e tyre me botën perëndimore.
Ka edhe aty-këtu disa elementë jugo-nostalgjikë që i ushqejnë këto sentimente anti-amerikane duke trashëguar retorikën prej regjimit okupator të mëparshëm, por që sa vjen e po zbehen dhe humbasin ndikimin. Po ashtu, ne kemi vënë re edhe prani të radikalizmit islamik në Kosovë dhe kemi pasur celula të luftëtarëve vullnetarë që kanë shkuar të luftojnë për DAESH në Siri e Irak, dhe ndaj tyre Kosova ka vepruar në mënyrë të ashpër dhe pa kompromis. Në adresimin e këtij fenomeni të fundit, madje Kosova është konsideruar nga Sekretari amerikan i Shtetit Kerry si model-pararojë për gjithë rajonin, dhe ne do vazhdojmë të jemi të tillë.
Mirëpo, më lejoni t’ju them se unë e njoh mirë popullin dhe vendin tim, të cilit i shërbej me devotshmëri prej një çerek shekulli, dhe e them pa më të voglin dyshim që këta zëra janë periferikë dhe kurrsesi nuk përfaqësojnë vullnetin e shumicës dërrmuese të popullit tonë dhe as do hedhin kurrë rrënjë te ne. Këto tendenca janë të importuara dhe asnjëherë nuk vijnë nga gjiri i popullit tonë, që jo vetëm është mirënjohës për ndihmën bujare amerikane, por edhe beson në atë që SHBA-të simbolizojnë. Pra besojmë natyrshëm në liri e demokraci dhe kemi bërë shumë sakrifica për t’i realizuar ato, prandaj për ne SHBA-të janë edhe far që na orienton në rrugëtimin tonë drejt konsolidimit të lirisë, demokracisë dhe sundimit të ligjit.
Krijimi i gjykatës speciale në Kosovë pritet të jetë një moment i vështirë për jetën dhe politikën në Kosovë. Ju, si një nga ish-drejtuesit kryesorë të UÇK-së, kryeministër dhe tani president, a mendoni se puna e gjykatës do të cenojë historinë e lavdishme të luftës kundër pushtuesit dhe do të shtojë konfliktet e brendshme, apo është një kosto e nevojshme e bashkëpunimit ndërkombëtar të Kosovës?
Thaçi: Keni të drejtë kur thoni që krijimi i kësaj gjykate është një ngjarje shumë e vështirë për jetën politike të Kosovës dhe, pa dyshim, një ndër ngjarjet më të rënda të jetës sime, mirëpo ajo ka qenë një sakrificë për të ruajtur partneritetin dhe bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare dhe për t’i mundësuar shtetit tonë konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Ne e kemi pranuar këtë sakrificë sepse për lirinë, pavarësinë dhe ardhmërinë e Kosovës kemi qenë të gatshëm të jepnim edhe jetën. Unë nuk e fsheh se kjo është një padrejtësi që na bëhet, sepse një institucion i tillë nuk është krijuar as në Bosnjë, as në Kroaci e as për Serbinë.
Po ashtu, ne nuk i frikësohemi drejtësisë, nuk kemi asgjë për të fshehur, kemi qenë tërësisht të hapur e bashkëpunues ndaj tribunalit të Hagës, ndaj UNMIK-ut dhe EULEX-it, të cilët kanë pasur mandat që të merren me çështjet e luftës. Populli ynë ka zhvilluar një luftë të drejtë, të pastër dhe të ndershme, e prandaj fituam mbështetjen e gjithë botës që beson në të drejta të njeriut dhe demokraci. Akuza që kanë synuar që të njollosin luftën dinjitoze të popullit tonë janë bërë edhe më herët.
Ne kemi parë se si për vite me radhë ka pasur përpjekje për të përbaltur veprën e komandantëve të shquar të UÇK-së, si Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj në Hagë, por e vërteta triumfoi përmbi shpifjen. Ne u besojmë Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, Bashkimit Evropian dhe vendeve të tjera mike që na janë gjendur pranë në kohë të vështira, dhe për t’u dëshmuar këtë besim, mirënjohjen tonë të përjetshme dhe sigurinë se kemi bërë një luftë të drejtë për liri, ne kemi gëlltitur këtë pilulë të hidhur, që është gjykata speciale, për të hedhur tutje njëherë e mirë çdo hije dyshimi për luftën tonë. Unë jam i sigurt që ne kemi qenë në rrugën e drejtë në një luftë dinjitoze për liri e pavarësi, dhe asnjë gjykatë nuk do të mund ta ndryshojë historinë e Kosovës, e cila është shkruar njëherë e mirë me gjakun e mijëra heronjve.
Marrëdhëniet midis Kosovës dhe Shqipërisë janë karakterizuar nga avancime pozitive, por ende ka pakënaqësi në të dyja anët e kufirit lidhur me ritmet dhe cilësinë e këtij bashkëpunimi. Duket sikur bashkëpunimi Kosovë-Shqipëri është shumë larg bashkëpunimit Greqi-Qipro, apo edhe larg bashkëpunimit Serbi-Srpska Republika. A ka një ndrojtje apo edhe hezitim në të dyja shtetet shqiptare për të ecur me ritme dhe nivele më të larta bashkëpunimi, siç e kërkon specifika e lidhjeve midis dy shteteve shqiptare?
Thaçi: Unë mendoj se marrëdhëniet mes shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë janë të shkëlqyera dhe në nivel të paprecedent. Si asnjëherë më parë, ne jemi më pranë e më të bashkuar me njëri-tjetrin dhe marrëdhëniet tona vëllazërore nuk lidhen vetëm me përkatësinë etnike, identitetin, historinë, që janë të natyrshme, por lidhen akoma më ngushtë edhe me aspiratat, proceset dhe orientimet pro-amerikane dhe pro-Brukselit, të cilat i kemi plotësisht në të njëjtën gjatësi vale. Të dyja shtetet janë të lidhura jo vetëm shpirtërisht, por edhe në projektin e përbashkët të integrimit evropian dhe të konsolidimit të lirisë, demokracisë si dhe të zhvillimit të ekonomisë së tregut.
Kuptohet që, shumë më tepër punë ngelet për t’u bërë sidomos në ekonomi, duke përjashtuar këtu sektorin e turizmit. Mirëpo duhet të kuptojmë edhe disa kufizime të natyrshme dhe të pashmangshme strukturore, që duan kohë që të kapërcehen për të mundësuar një shkëmbim edhe më të madh ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë. Konkretisht, në të dyja vendet tona prodhimi është i kufizuar dhe kryesisht prodhojmë produkte të ngjashme, të dyja vendet nuk përmbushin nevojat e brendshme për produkte të konsumit të gjerë dhe janë importuese të mëdha, kështu që është e vështirë të pritet që të eksportojmë masivisht te njëri-tjetri. Autostrada e Kombit ka luajtur një rol të veçantë në këtë forcim të shkëmbimeve ekonomike, dhe së shpejti, një peshë të ngjashme do të ketë edhe autostrada energjetike, e cila është në përfundim e sipër.
Sot ne vazhdojmë ta zgjerojmë dhe thellojmë bashkëpunimin në të gjitha nivelet në fushën e kulturës, sportit, artit dhe shkencës, dhe ju them me bindje të plotë që ky trend ka për t’u amplifikuar gjatë mandatit tim si president. Me rëndësi është që jemi në rrugën e duhur dhe me ritme të kënaqshme. Përpos kësaj, dua të shtoj se hallet e trashëguara, problemet e rrëmujshme të përditshmërisë dhe sfidat e mëdha të së ardhmes na e kanë bërë disi të pamundur që të vetëdijesohemi e reflektojmë mbi rrugëtimin e jashtëzakonshëm që kemi bërë. Le t’i hedhim për një moment sytë prapa; këto që po gëzon sot Kosova, kjo lidhje që ka me Republikën e Shqipërisë dhe bashkatdhetarët, kanë qenë të paimagjinueshme 17 vite më parë, kanë qenë një ëndërr në mendjet dhe zemrat e sa e sa gjeneratave që sot është bërë realitet.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Plagosja e dyfishtë në Prishtinë, plumbi qëlloi derën e shtëpisë së ish-koordinatorit në dialog
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
“Ka vdekë një grua nga mbidoza, gjithë natën dëgjohen zhurma”, shtëpitë e pabanuara në kryeqytet strehë e narkomanëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje