Nga: Frano Kulli
“Tesha arsimore” do t’i quante Fishta ata që drejtonin punët e arsimit në vitet njëzet të shekullit të kaluar – “do të vetthanun pedagogë tânë, kopjatorë programesh shkollore, me moral t’themeluem m’i rrypa letrash, thupra shportash, llastra teneqesh, thua se pënjimend t’gjithë shqiptarët do t’bahen kafexhi e bozaxhi…”.
Jemi, saktësisht në vitin 1923, gati njëqind vjet më parë. Edhe pse debati asokohe ka qenë mbi tjetër çështje, konteksti, besoj se është i pandryshuar, i njëjtë. Nëse atëherë kjo urdi e drejtuesve të arsimit në Shqipëri e shihte, më e pakta si të papërshtatshme atë çka vinte si kulturë e edukim prej katolikëve shqiptarë për ta qasë në shkollat e Shqipërisë, ende sot kjo prurje vjen si e papërshtatshme. Sigurisht, në një tjetër mënyrë.
Askush nga “tesha arsimore” e sotme nuk guxon të sillet e veprojë njëlloj si atëherë. Së paku në formë, jo. Askush nuk del haptazi e të thotë se trashëgimia kulturore e letrare, ardhur si produkt i tillë prej përfaqësuesve më në zë të klerit katolik e i shkollave të tyre është e pavlerë, askush nga ata nuk thotë se letërsia e Fishtës a veprimi shkrimor i Harapit, Zadejës, Prendushit, Dodajt, Gjeçovit, e albanologëve Valentini, Ernesto Cozzi, Fulvio Cordigniano … e të tjerë e të tjerë, nuk është i vlertë. Madje, ka pasë veprimtari përkujtimore edhe nga entet shtetnore për Fishtën, veçanërisht këto vitet e fundit, që, tashma e kanë nxjerrë prej errësirës së harresës.
Për Fishtën flitet e shkruhet. Përmendet ai e shkruhet për té që kur u lejua të flitej për té. Qyshsekur, intelektualë dashamirë, shkrimtarë e artistë: Ndrekë Luca, Aurel Plasari, Rudolf Marku e të tjerë, tuboheshin e flitshin për të në Kishën e Gjuhadolit në Shkodër, a Danjel Gazulli, Tonin Çobani e të tjerë, përreth tyre bënin të njëjtën gjë në Lezhë. Por, jo vetëm flitet për Fishtën. Referuar mbamendjeve tona, janë bërë edhe të tjera akte të çmueshme e vepra përreth tij. Prej më se një dekade është ngritur një kompleks skulpturor në Lezhë, nga Ministria e Kulturës, e kohës drejtuar nga z. Bujar Leskaj, me shtysën e Agron Gjekmarkajt, dashamir i Fishtës, asokohe zyrtar aty; më herët në Shkodër një tjetër. Vjet u përurua e rikonstruktua shtëpia ku ka banuar në fëmijërinë e hershme Fishta, nën përkujdesjen e Kryeministrit aktual, z. Edi Rama. Biblioteka, rrugë e të tjera vepra publike, janë shënuar me emrin e tij. Edhe ente jopublike kulturore e librore, gjithashtu, e mbajnë prej dekadash emrin e tij. Sivjet, për së pari është krijuar çmimi letra “Gjergj Fishta” dhe një çmim në publicistikë, gjithashtu.
Ka filluar realizimi i projektit “Itinerari fishtjan”, një nismë e projekt i mirë, përpos se për Fishtën edhe për ruajtjen dhe vitalizimin e trashëgimisë sonë kulturore. Ky itinerar do të ndërlidhë pikat historike ku ka jetuar e vepruar Fishta, i cili nëse do të realizohet, siç ka nisur, do ta shërbejë rrugëtimin e vonuar të Fishtës në Panteonin e vlerave madhore të kombit. Por do të jetë njëherësh edhe një atraksion me interes kombëtar i turizmit kulturor në Shqipëri.
Është përmendë, gjithashtu edhe vendosja e një shtatoreje tjetër në Tiranë … e, në sinkron, këto të arritura e kanë rikthyer Poetin Kombëtar, nga humnera e harresës ku qe hedhur. Një institut joqeveritar e ka shpallur vitin e sivjetmë viti i Fishtës dhe ka realizuar disa veprimtari, përkujtimore, në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave në Tiranë e në qytete të tjera, në Shqipëri e Kosovë.
Por, por … rrallë e hiç vjen në përmendjen e enteve shtetnore, fakti thelbësor se vepra e Fishtës, prej kohësh është botuar e plotë dhe ndërkomunikon me lexuesin e dëshiruar. Përpjekja e parë e “Rilindjes” së Kosovës, në fillimvitet ’90, është pasuar nga një botim i plotë në vitin 2012, i “Botimeve Fishta”. Përgatitur nga një redaksi me shkrimtarë, gjuhëtarë e studiues të autorit, ku secili prej tyre është autor i më shumë se një botimi studimor për Fishtën. Certifikuar herët e bindshëm prej opinionit studimor si të tillë. Botimi është i pajisur me një aparat filologjik e gjuhësor. Ndoshta ndihma më e vyer në ngushtimin e shkurtimin e komunikimit të gjatë të veprës me lexuesin e vet. Dhe së fundi, sivjet, përpjekjet e pareshtura të “Botimeve françeskane” janë kurorëzuar me një botim tjetër të plotë, të transliteruar. Madje, bashkëlidhur me veprën është sjellë i përmbledhur edhe “Letërshkëmbimi” i Fishtës, i munguar deri tani. E gjitha kjo, natyrisht për t’u përgëzuar, se është arritë kështu që Poeti Kombëtar, me veprën e vet, të gjallojë te lexuesi i dëshiruar. I rikthyer plotësisht në vëmendjen e Kombit, gjithashtu. Me apo pa pëlqimin e të gjithëve.
Të vetmit që nuk janë ndjerë deri tani janë entet e arsimit kombëtar të Shqipërisë… Fishta mezi ka hyrë me pikatore në kurrikulat mësimore të shkollave të mesme. Pak, gjithashtu në shkollat e larta. Produkti që del prej andej, pra, të mësuarit e Fishtës është edhe më i mangët se “lënda e parë”, që hyn në to…
Edhe pse ka dhjetë vjet që nuk ka pasë një listë me libra të rekomanduar për letërsinë në shkollat e mesme, me të cilat pasurohet fondi i bibliotekave të shkollave, sivjet, më së fundi, me gjasë kjo do të ndodhë. Po si?
Është ngritur një bord i administrimit nga Ministria e Arsimit, të cilit i është besuar hartimi i kësaj liste. Dhe ai, thonë se e ka hartuar një listë. Se si, gjithmonë, bordet te ne veprojnë në terr. A e di kush se u bë ndonjë diskutim publik me grupet e interesuara? Sa publik është bërë vendimi që shtëpitë botuese të propozonin nga 5 tituj të tyre, gjykuar si më të zgjedhurit për atje?
Për Fishtën, bie fjala, dikush atje i ka dhënë vetes tagrin edhe të përçmojë ndonjërin prej versioneve të botuara të veprës. Krejt apriori, ex cathedra. Pa pasë dhënë deri tani ndonjë provë publike për studimin e veprës së Fishtës. Pjesëmarrës të përhershëm bord-esh (me kohë të plotë)… druaj se as provë leximi, gjithashtu.
Di se nga ai bord vetëm Prof. Lili Sula ka botime për Fishtën dhe do të qe jo vetëm mirëkuptueshëm, por edhe më i besueshmi vlerësimi i saj. Të tjerë vlerësime pa iu referuar aspak veprës, po thjesht një opinioni paraprak, janë të refuzueshme e të neveritshme.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Disa nga këngët e Unikkatilit me të vëllanë, i cili u gjet pa shenja jete në Prishtinë - kanë bashkë hite të pavdekshme

Bashkatdhetarët votuan me disa fletëvotime të zgjedhjeve të 2021-ës

A mund të sigurojë Evropa paqen në Ukrainë, pa SHBA-në?

Man Utd po shpreson ta rikthejë në ekip lojtarin të cilin e larguan para pesë viteve

Numërohen gjysma e votave të ardhura me postë, LVV e para në 8 komuna, pasojnë LDK dhe PDK

Kompania norvegjeze ndërpret furnzimin me karburant për forcat amerikane për shkak të politikës së SHBA-së ndaj Ukrainës