Pas sulmeve terroriste në Paris, me 23.11.2015, edhe në Shqipëri u vunë në lëvizje institucionet shtetërore dhe agjencitë ligjzbatuese për forcimin e punës dhe bashkërendimin e veprimeve me qëllim parandalimin e akteve terroriste, që mund të kryhen nga aktorë të brendshëm, apo të jashtëm.
Për t’u vlerësuar është mbledhja më 21 nëntor 2011, e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, nga ana e Presidentit Nishani. Masa të kësaj natyre u morën edhe nga institucionet e Republikës së Kosovës. Megjithatë, si në njoftimet zyrtare, ashtu edhe në “analizat” dhe “ekspertizat” që, këto ditë, kanë përmbytur mjetet e informimit masiv, bie në sy që nuk ka një koncept të qartë se çfarë është terrorizmi sot për botën, në përgjithësi dhe për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët, në veçanti. A përbën ai rrezik apo kërcënim? Nëse rrezik, në çfarë shkalle? Nëse kërcënim, në çfarë niveli?
Jo vetëm kaq, por ka një ngatërrim, moskuptim dhe keqpërdorim të termave “rrezik” dhe “kërcënim”. Në të shumtën e rasteve, ato përdoren si terma me kuptim të njëjtë, por ka edhe jo pak raste që përdoren me kuptime të ndryshme, jo atë që kanë në të vërtetë, por duke i dhënë termit “rrezik” kuptimin e “kërcënimit” dhe anasjelltas.
Në emisionin “Opinion” të datës 16.11.2015, njëri prej të ftuarve, ish ministër i mbrojtjes së Shqipërisë, u shpreh se përshkallëzimi i së keqes, në këtë rast i terrorizmit, shkon gradualisht, nga kërcënim, në rrezik. Mendimin e tij e mbështetën edhe të ftuarit e tjerë, përfshirë edhe një ekspert i sigurisë.
E kundërta është e vërtetë. Përshkallëzimi i së keqes shkon nga rrezik në kërcënim. Në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos, në atë realiste, si dhe në doktrinat e sigurisë apo të mbrojtjes të shteteve, termi “rrezik” (danger) nënkupton situatën kur e keqja, fatkeqësia, dëmi mund të ndodhë, mund të ngjasë, por edhe mund të mos ndodhë, a të mos ngjasë. Në këtë kuptim, “rreziku” ka të bëjë më shumë me sigurinë kombëtare, në përgjithësi. Ndërsa “kërcënimi” është paralajmërim apo kanosje e drejtpërdrejtë e së keqes, në rastin tone, e terrorizmit. Në këtë kuptim, “kërcënimi”, jo se nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare, por më shumë lidhet me mbrojtjen kombëtare.
Atëherë, terrorizmi është rrezik apo kërcënim për ne shqiptarët?
Këshilli i Sigurimit të OKB-së, më 20.11.2015 miratoi Rezolutën nr 2249 kundër terrorizmit, në të cilën kjo dukuri klasifikohet si “kërcënim global” për paqen dhe sigurinë dhe u bëhet thirrje të gjitha shteteve që të mobilizojnë forcat dhe burimet e tyre kundër tij, t’i jepet fund dërgimit të luftëtarëve të huaj në Siri, të ndërpriten burimet e financimit të terrorizmit, etj.
Sa i takon vendit tonë, tashmë, dihet publikisht që shërbimet sekrete të partnerëve tanë kanë informuar që kryeqyteti ynë, Tirana, është një ndër objektivat e sulmeve terroriste. “Arsyet” përse Shqipëria është cak i terrorzmit janë komplekse. Një prej tyre, mund të jetë fakti që vendi ynë është anëtar aktiv i aleances antiterror, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një tjetër, mund të jetë miratimi i ligjeve që penalizojnë individët që shkojnë për të luftuar jashtë shtetit. Një tjetër “arsye”, mund të jetë arrestimi i një numri klerikësh apo individësh që akuzohen për rekrutim xhihadistësh.
Për të mos shkuar më tej, këto “arsye” janë të mjaftueshme për të nxitur hakmarrjen e terroristëve ndaj Shqipërisë, por edhe ndaj Republikës së Kosovës, që përafërsisht, ka të njëjtin qëndrim ndaj kësaj dukurie.
Përsëri vijmë tek pyetja themelore: terrorizmi përbën rrezik apo kërcënim për ne?
Nisur nga sa u tha më lart, duket se përgjigja është krejtësisht e qartë: terrorizmi sot përbën një kërcënim real, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Kosovën. Ai është kërcënim për interesat tona shtetërore dhe kombëtare.
Ҫështja duhet të shtrohet ndryshe, jo të vihet në pikëpyetje fakti, nëse terrorizmi përbën kërcënim, por të njihet si i tillë dhe të përcaktohet se i çfarë niveli është ky kërcënim. Në vende të ndryshme ekzistojnë klasifikime të ndryshme të nivelit të kërcënimit, por, përgjithësisht, njihen 5 nivele: i ulët, i moderuar, substancial, i lartë dhe kritik.
A është përcaktuar ky nivel nga institucionet shtetërore të Shqipërisë? Po nga ato të Kosovës? Nëse po, mirë ështe që ai të bëhet i njohur publikisht, si nga Tirana, ashtu edhe nga Prishtina zyrtare. Nëse jo, do të ishte mirë që të përcaktohet sa më shpejt. Sepse në varësi të nivelit të kërcënimit, merren edhe masat përkatëse nga institucionet shtetërore dhe agjencitë e zbatimit të ligjit.
Në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare, më datë 23.11.2015, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, S. Tahiri, jo vetëm që nuk foli për kërcënim, por edhe kur përdori termin “rrezik” deklaroi se “nuk ka rrezik të shtuar”. Përpjekja për të shmangur shfaqjet e panikut është për t’u marrë në konsideratë, por kjo nuk duhet bërë në dëm të së vërtetës. Pa diagnostifikim të saktë, nuk mund të ketë as kurë efikase.
Mesazhe “qetësie” po përcjellin, këto ditë, edhe udhëheqësit tanë më të lartë shtetërorë, Kryeparlamentari Meta, Kryeministri Rama dhe Presidenti Nishani, të cilët, njëherësh, kanë marrë rrugët e botës. Askush nuk thotë që zyrtarët e lartë shtetërorë të mos udhëtojnë jashtë shtetit, por përse të udhëtojnë të gjithë njëherësh dhe përse pikërisht tani? Nëse, mos e thashtë zoti, prishet kjo “qetësi”, kush do t’i marrë vendimet për t’u ballafaquar me rrezikun apo kërcënimin?
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka paralajmëruar qytetarët amerikanë, lidhur me kërcënimet terroriste. Paralajmërimi përfshin periudhën nga tani, deri më 24 Shkurt 2015. Por ne mund të rrimë “të qetë”. Sepse ne nuk jemi amerikanë. Udhëtime të këndshme të dashur udhëheqës shqiptarë!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëAksident i rëndë në Suharekë, vdes një person
McKee: Nuk pres që SHBA-ja të ndryshojë qasje ndaj partnerëve evropianë, përfshirë Kosovën
Këngëtarja Grimes flet për betejën e kujdestarisë së fëmijëve me Elon Musk: Flija dhe qaja, postimet e mia në Instagram u morën si provë që nuk jam nënë e mirë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve
Nëse e shihni këtë grua, lajmërojeni policinë - dyshohet për vjedhje
"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë e do me ngulm rivali i tyre
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”
Ish-deputetët e LVV-së kritikojnë kryeministrin Kurti për mungesën e fokusit në bashkimin kombëtar
"Kam 90 për qind gjasa që s'do mbijetoj", zbardhet biseda telefonike që Diana realizoi me babanë e saj para se të largohej nga BBVK
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës
Zyrtari i lartë ushtarak britanik: Jemi të gatshëm qysh sonte të luftojmë me Rusinë