LAJMI I FUNDIT:

Tërnava na ktheu në Serbi!?

Të lutemi për shpirtin e atyre që nuk po e lënë këtë popull as edhe një festë fetare ta gëzoj dhe festoj bashkë dhe në një ditë.

Populli shqiptar, si rrallë ndonjë popull tjetër bashkëjeton me tri fe të mëdha botërore. Dhe, ajo që është e rëndësishme, populli shqiptar edhe pse ka përqafuar tri fe, kurrë nuk ka patur as me të voglën telashe për shkak të këtyre besimeve të ndryshme në dukje, por të njëjta në thelb (besimi në një Zot, të njëjtit profetë…).

Se religjionet, besimet janë në thelb të njëjta dhe nuk duhet të paraqesin asnjë problem midis tyre (kështu do të duhej të ishte edhe në botë) e kanë kuptuar dhe dëshmuar me mirë së kushdo tjetër në botë shqiptarët. Por, kështu nuk besojnë, nuk sillen dhe nuk veprojnë ata që quhen "shefat" e tyre shpirtëror, kleri. Kleri fetar i këtyre tri feve (ka përjashtime dhe shembuj përkushtimi të lartë për Atdheun) kanë ushqyer dhe vazhdojnë të përpiqen ta ushqejnë, për interesa të tyre të ulëta, ndarjen, përçarjen dhe telashet midis shqiptareve… Por, shekujt kanë dëshmuar se ky angazhim i tyre ka shkuar, po shkon dhe do të shkojë përgjithmonë huq falë pjekurisë dhe atdhedashurisë se pashembullte të popullit tonë, popull që mbi të gjitha ka gjuhën e tij, gjakun, kombin, atdheun dhe flamurin; komb që është i lidhur me Zotin, por jo me matrapazët që thirrën në Zotin dhe veprojnë kundër Tij…


Nami Tërnava dhe Bashkësia Islame Shqiptare e Kosovës me vendimin e tyre për të festuar festën e flijimit (Kurban Bajramin), këtë festë të vjetër sa vetë njeriu, në një ditë me Serbinë, dëshmuan edhe njëherë se më së paku i shërbejnë Zotit dhe popullit shqiptar. Naim Tërnava dhe kompania e tij nuk e lejuan Kosovën (për herë të dytë këto vite pas çlirimit) të festojë bashkë me pjesën tjetër të kombit, por u përpoqën të japin mesazhin ogurzi se Kosova nuk është pjese e kombit shqiptar dhe se Kosova ende është e lidhur me Bashkësinë Islamë në Serbi dhe duhet të festojë në një ditë me Serbinë!

Kjo mund të jete edhe dëshirë dhe kërkesë e disa "politikanëve" "kosovarë", që s’po mund të shkëputën nga e kaluara e tyre dhe po vdesin nga nostalgjia për atë kohë të "artë" të Jugo-Serbisë!! Turp e haram! Madje edhe shqiptarët e pushtuar nga Serbia (përfshirë edhe Tregun e Ri, që dikush po e quan "boshnjak") do të duhej të festonin bashkë dhe në të njëjtën ditë me pjesën tjetër të kombit… Njësoj edhe shqiptarët në Stamboll e Turqi, në Greqi e kudo në botë…

Naim Tërnava dhe grupi i tij (tërësisht në shërbim të politikave dhe qarqeve antishqiptare) nuk e lanë Kosovën të festojë dhe gëzojë këtë festë me Shkupin, Tiranën dhe Stambollin! Po e përmendi edhe Stambollin, sepse historikisht është banuar nga pellazgët, ilirët dhe shqiptarët. Edhe sot jetojnë miliona shqiptarë në Stamboll dhe Turqi. Prandaj, cila është arsyeja që ne nuk duhet ta bëjmë festën
me Stambollin, Shkupin e Tiranën?!

Populli shqiptar i Kosovës nuk besoj se do t’i tolerojë me këta naimër që ta poshtërojnë deri në këtë shkallë… Sot do të duhej që hoxhallarët e mbrapshtë t’i gjenin xhamitë të zbrazëta… Dhe këtë do ta bënin besimtarët shqiptarë sikur mos të "frikoheshin" akoma se do të etiketoheshin, siç bëjnë këta matrapazë, si të "pa fe"… Shqiptarët edhe festat fetare të njëri-tjetrit gjithmonë i kanë festuar dhe gëzuar bashkë, kurse Naim Tërnava përpiqet t’i ndajë edhe shqiptarët e të njëjtit besim; ua mohon të drejtën që të festojnë dhe gëzojnë në të njëjtën ditë të njëjtën festë! Jazëk!

Kjo shtron si urgjente nevojën e organizimit të këtyre bashkësive islamë shqiptarë në një Bashkësi Islame Shqiptare të vetme. Nëse vërtetë këto bashkësi islame shqiptare janë organizuar t’i shërbejnë Zotit dhe vetëm Zotit, ato kurrë nuk do të duhej të pranonin copëtimin e tokave të Shqipërisë nga pushtuesit sllavo-grekë, sepse ky nuk ishte vullnet i Zotit, por vullnet i me të fortit…

Përkushtimin e tyre, besimin dhe vendosmërinë se këto bashkësi islame shqiptare njohin vetëm vullnetin e Zotit dhe i përkulën dhe shërbejnë vetëm atij, duhet ta bëjnë dhe dëshmojnë vetëm duke u riorganizuar në një Bashkësi Islame Shqiptare – të vetme… Përndryshe mbeten siç kanë qenë shërbëtorë të politikave të ditës, të huajit dhe të me të fortit; shërbëtorë të interesave të tyre materiale dhe financiarë, siç po ndodhë sot…

Thirrjet e tyre me altoparlanti dhe në gjuhe të huaj vazhdojnë të dëshmojnë se këto bashkësi nuk po munden ende ta gjejnë rrugën për te Zoti dhe vetëm të Zoti dhe rrugën për të populli dhe
Atdheu i tyre i vetëm, Atdhe dhe Popull i bekuar nga vetë Zoti…