LAJMI I FUNDIT:

Telegrafi dhe “Dodona” dhurojnë bileta për komedinë më të njohur në botë

Telegrafi dhe “Dodona” dhurojnë bileta për komedinë më të njohur në botë

Teatri i Qytetit të Prishtinës - “Dodona”, në bashkëpunim me portalin Telegrafi, dhuron bileta dyshe, për çifte, për ta parë reprizën e komedisë më të njohur në botë, “Në mbrojtje të njeriut të shpellës”, që jepet të enjten, më 5 dhjetor, në ora 19:30, në skenën e “Dodonës”. Bëhuni pjesë e lojës duke u përgjigjur në pyetjen në banerin e postuar më poshtë.

Autor i kësaj monodrame është dramaturgu dhe aktori i njohur amerikan, Rob Becker. Për ta shkruar këtë komedi, atij i janë dashur tri vite, gjatë të cilave ka bërë një studim edhe të antropologjisë, parahistorisë, psikologjisë, sociologjisë dhe mitologjisë. Kështu, ia doli ta realizojë një shfaqje që nga shumë kritikë cilësohet si paqebërëse e keqkuptimeve të vazhdueshme mes burrave dhe grave.


“Në mbrojtje të njeriut të shpellës” është një shfaqje plot humor, por që i bën edhe femrat e edhe meshkujt të qeshin njësoj, sepse çdokush e gjen veten në rrëfimet dhe përvojat e Robit, kryepersonazhit të veprës. Kjo është edhe një nga arsyet se pse kjo shfaqe preferohet të ndiqet sidomos nga çiftet dhe pse nga shumë njohës të teatrit dhe psikologë cilësohet edhe si një sesion terapie që synon të zgjidhë luftën e përjetshme midis gjinive.

Për herë të parë “Në mbrojtje të njeriut të shpellës” është dhënë në San Francisco më 1991, e pastaj në Dallas, Washington, Philadelphia dhe Chicago. Në Broadway premiera jepet më 1995, për të mos u ndalë kurrë reprizat e saj, deri në ditët e sotme. Kështu, arriti të futet në librin e rekordeve si monodrama më jetëgjatë në historinë e Broadwayt.

Për këtë shfaqje, gazetat kryesore në SHBA kanë shkruar si më poshtë:

The New York Times: “’Në mbrojtje të njeriut të shpellës’ është një fenomen mbarëkombëtar komik”.

The Dallas Morning News: “‘Njeriu i shpellës’ hulumton gjërat që i shtyjnë burrat dhe gratë të luftojnë, të qeshin e të dashurojnë. Ndjejë se si njerëzit përreth meje bien e ribien në dashuri”.

The Herald Miami: “‘Njeriu i shpellës’ na bënë të plasim nga të qeshurat për veten tonë, qoftë a jemi meshkuj apo femra”.

The Chicago Sun-Times: “’Në mbrojtje të njeriut të shpellës’ shkon drejtë e te kocka e së qeshurës. Dashuria e tij për gratë dhe mbrojtja e shkujdesur ndaj burrave e bën ‘Njeriun e shpellës’ fitues për të dy gjinitë”.

Variety: “’Njeriu i shpellës’ është për të qeshur deri në histeri”.

The Seattle Post-Intelligencer: “Fytyra të dhemb nga të qeshurat me zë”.

Kjo shfaqje është përkthyer në 18 gjuhë të botës, është dhënë në 45 shtete, 150 qytete, para hiq më pak se tetë milionë shikuesve. Në gjuhën shqipe për herë të parë jepet në teatrin “Dodona”. Realizimi është bërë në bashkëpunim me kompaninë e njohur të produksionit teatral “Theater Mogul”, shfaqjet e së cilës jepen në 300 qytete të ndryshme, në 50 shtete të shtrira në gjashtë kontinente. Kjo premierë njëherazi paraqet bashkëpunimin e parë të një teatri në trojet shqiptare, me një produksion të nivelit të tillë botëror.

Për versionin e dhënë në “Dodonë”, producenti i “Theater Mogul”, Simon Peirson, ka thënë: “Ishte kënaqësi që isha në Kosovë dhe që isha dëshmitar i një shfaqjeje të tillë të mrekullueshme. E kam parë ‘Njeriun e shpellës’ në shumë shtete, në shumë gjuhë, por mbrëmja e së premtes ishte një nga performancat më të mirat që kam parë ndonjëherë në jetë”, ka thënë ai.

Mos e humbisni këtë shans. Merrni pjesë në lojën e Telegrafit dhe shijojeni shfaqjen që ju bën të reflektoni më ndryshe për jetën tuaj dhe lidhjen tuaj. /Telegrafi/