LAJMI I FUNDIT:

Të shkruash për Hajdarin!

Sfidat e komunikimit me lexuesin (Ose anatomia e “shtabit” ideologjik)

Para se të hyj në temë po i lejoj vetes të meditoj me zë për arsyen e vërtetë të këtij shkrimi. Është krejt e qartë se, shkruaj si të shkruash, dikujt nuk do të i pëlqej. Kjo është krejt e kuptueshme e madje edhe e dëshirueshme. Mediumet si interneti, me një shkallë të lartë të “demokracisë së drejtpërdrejtë”, mundësojnë një lexim jo vetëm kreativ, por edhe një koment i cili automatikisht bëhet pjesë e shkrimit autorial. Kështu lexuesi me komentin e tij bëhet bashkë-autor, pavarësisht se çka thotë. Lexuesit kënaqen me leximin apo injorimin e një teksti, por ka edhe mjaftë të tillë që duan të bëjnë me dije nëse u ka pëlqye shkrimi i juaj ose jo. Bëjnë komente dhe japin argumentime pro et contra ose japin përshtypje apo kualifikime subjektive.Por në këtë analizë nuk do të merrem me lexuesin e zakonshëm, por me një lexues, me lexuesin e dytë dhe të tretë të cilët e plotësojnë vargun dhe në fund e synojnë devalvimin e shkrimit, e sidomos të autorit.

Grupe të ndryshme ideologjike tashmë janë specializuar në këtë lëmi, madje i kanë edhe “shtabet” e tyre të cilat merren vetëm me autorët që nuk u shkojnë për shtati. Falsiteti ia argumentimit të tyre është shembull shkollor i një mendësie kolektive autoritare e cila synon te autorët të instaloi mekanizmin e autocenzurës si mekanizëm për të ruajtur vetrespektin dhe për të evitua pasojat e ekskomunikimit social i cili synohet me këtë metodologji. Pra, kësaj radhe do të merrem me komentin e një lexues, të postuar nën një shkrim timin analitik, në njërën nga mediumet virtuale më të shfletuara në vend. Pas kësaj, edhe me lexuesin tjetër, edhe një tjetër …dhe shpresoj se do të shohim konturat e lojës së zakonshme të “shtabit” ideologjik i cili me reagime dhe “telegrame të përkrahjes” që vijnë nga kooperativat e zonave të thella, paturpshëm ndërhyjnë në lirinë e medias dhe lirinë e shprehjes dhe synon të ruaj sistemin e frikës si ambient të vetëm ku mundet të mbijetoj autoritarizmi.


Lexuesi që dëshiron të jetë bashkë-autorë

Pra, si të bëjmë kur lexuesi nuk mjaftohet të jetë vetëm lexues, e madje as vetëm komentues anonim, por do të ndikoi edhe në teknikat e madje edhe përmbajtjen e tekstit tënd bazë?.
Si të veprojmë në raste kur komentuesi të mban edhe orë edukative gratis, madje edhe orë riedukimi e resocializimi! Orë patriotizmi! Të jep gratis “biletën” për teatrin e kukullave ku ai frymëzohet zakonisht. Madje, shpesh të ofrojnë te jesh edhe kukull, e ti duhet ta kesh për nderë këtë ofertë …ose eks-komunikohesh, fyhesh!

Pse shkruajmë?

Derisa gazetari profesionist e di pse shkruan dhe për këtë e merr pagën në fund të muajit, ne të tjerët kemi motive nga më të ndryshmet.
Dikush shkruan të ndajë opinionet e tij, apo dilemat , me të tjerët.
Dikush shkruan për të treguar dijen e tij dhe për afirmim personal.
Dikush shkruan për të treguar besnikëri ndaj dikujt apo diçkaje!
Pra motivet janë të ndryshme, por gjithsesi të gjithë shkruajmë për lexuesin. Sepse trohë kuptimi nuk do të kishte nëse shkrimi nuk do të lexohej.

A shkruajmë për secilin lexues?

Gjithsesi jo! Edhe publiku segmentohet …edhe zgjidhet. Autori e di kujt i drejtohet…ose së paku do të duhej ta dinte. Por të merremi më në fund me Hajdarin J.

SFIDA 1
Hajdari, me të cilin e filluam tekstin, shkruante se kishte filluar t’a lexonte shkrimin tim, por sipas të gjitha gjasave e kishte humbur durimin dhe nuk e kishte lexuar deri në fund.
Por të shohim komentin e tij, të cilin po e sjellim pa kurrfarë ndërhyrjeje, në formën e virgjër, ashtu si e kemi marrë nga ky forum me “copy-paste”:
“o daj” – shkruante ai, … “adim mum kallzu qka ki shkru se ja nisa me lexu shkrimin ta dhe kryet boz maki ba.konkret o burr dije se nuk jan krejt analista qe mujn ti shtjellojn shkrimin tan:-( ”
Dukshëm i nervozuar, dhe duke u prezantuar si Hajdar X , ai ishte bërë pjesë e komunikimit tim me lexuesit e tjerë. Mbiemrin e Hajdarit nuk po e theksojmë për disa arsye e sidomos për shkak të mundësisë që të jetë i rremë, apo për të mos e personalizuar shkrimin. Hajdarin po e marrë vetëm si njërin nga ata. Mu kujtua rregulla e artë se si konceptohet fjalimi, e cila shprehur në një interpretim pak më të lirë mund të përmblidhet kështu: thuaju në fillim dëgjuesve (apo lexuesve) lidhur me atë që do të flasësh, pastaj thuaje atë që do të thuash dhe në fund tregoju atyre se çfarë u the pak më parë.

Pyetja një milionëshe është: si t’ia shpjegoj Hajdarit çka kam thënë?

Në fakt, unë pata menduar se më thjesht se kaq nuk di të shprehem, dhe me gjasë Hajdari ka të drejtë. A ka lexuesi gjithnjë të drejtë? E ku është kuptimi i krejt shkrimit nëse Hajdari nuk e merr vesh çka ke shkruar? Ai është votuesi mesatar. Këtu dallohet analisti prej politikanit. Për bindjen time analisti nuk shkruan për votuesin por për qytetarin.
Por të shohim edhe komentin tjetër të cilin e kishte nënshkruar një mik i imi i dikurshëm. Ky është lexuesi i dytë për të cilin ju premtova më lartë dhe për të cilin do të diskutojmë tash, nëse veç nuk e keni humbur durimin nga gjatësia e tekstit.

SFIDA 2
BASHK – LEGJENDARET
Komenti tjetër për nga forma dhe niveli ishte i ndryshëm me atë të Hajdarit, por esencialisht kishte edhe pika të përbashkëta. Sidomos në synimin për të ndikuar në mënyrën time të shkrimit dhe për efektin që donte të e arrinte te lexuesi. Ky nuk merrej me argumentet e mija por më kontestonte në segmente tjera dhe duke më qitur përpara një “argument” për të cilin sipas tij nuk mund të diskutohet. Në aspektin akademik, miku im qëndron larg nga niveli i Hajdarit. Por sfida që paraqitet në rast të një komenti të tillë, është po aq reale. Miku im i dikurshëm, nuk pajtohej me vlerësimin tim lidhur me sloganin: “liri, pavarësi, demokraci” ku thosha se : “Ajo që dikur shpesh përqeshej si formulë e zbrazët e liderit shpirtëror të pavarësisë së vendit, në fakt ishte udhëzues i menduar mirë i rrugës që duhej ndjekur ”. Pika e vlimit ishte prekur si duket kur si lider shpirtëror të pavarësisë e kam parë një personalitet tjetër e jo atë të cilin e preferonte ai.

Por të shohim si i shtjellon gjërat ai.
“z.F.Lepaje me dt.27.08.2010 se bashku me vellan tim qe jeton dhe punon ne Gjermani isha per vizit ne Prekaz te Heronjet, Ideatoret dhe Vizionaret e shtetit te Kosoves te kisha preferuar qe te vizitosh kete vend sa here qe paraqet para opinionit ndonje vleresim.”

Shiheni se si u shkon me radhë gjërave J:

Në radhë të parë ai legjitimohet si patriot dhe vijë e luftës dhe dëshmon se është i përkushtuar dhe besnik. Pastaj e tërheq linjën me një pohim “shkencorë” i cili nuk mbështetet në asgjë përpos respektit tonë të natyrshëm për një luftëtarë i cili duke mos mundur të ndërtoi ushtri me të tjerët, e ndërtoi me familjen e tij, dhe disa miq, të vetmit në të cilët mund të bazohej. U flijua ai dhe gjithë familja e tij ( me disa miq e dashamirë) në themelet e këtij vendi. Dhe u bë legjendë. Por ai nuk e respekton legjendën, ai don me e përdorë për nevoja të veta L. Megjithatë, a ishte vizionar dhe ideator, apo ishte një hero i përmasave antike, këtë komentuesi as që lejon të diskutohet.

Duke nxjerrë këtë konstatim “shkencorë” dhe duke e imponuar si obligues, komentuesi synon që duke u fshehur pas sakrificës së familjes Jashari të legjitimoi veten dhe rrjetin e tij si pasuesit besnik të Jasharajve dhe si të tillë edhe si përcaktues të asaj çka është kombëtare ose jo. Ai dhe ata janë bashklegjendarë!!!
Parimi i mikut tim, thënë me ton jo aq miqësor dhe pak a shumë urdhërues është i thjeshtë, i qartë dhe i obligueshëm:

“shko ne vendin e shenjët , frymëzohu dhe shkruaj”

Në fakt kjo më vuri në siklet. Ndarja në besimtar dhe kritik është e stërlashtë por edhe ndarja në analizë dhe propagandë është gati po aq e vjetër. Dhe miku im i dikurshëm më fton të shkruaj si të isha pjesë e agit-propit autoritar përderisa unë isha nisur të shkruaj vetëm një opinionin tim lidhur me atë temë.

Mitet në raport me lirinë e mendimit dhe shprehjes

A duhet të nënshtrosh lirinë e mendimit para miteve, para ideologjisë zyrtare, aq më tepër para miteve të cilat shpesh dinë të keqpërdoren për motive ditore politike nga ana e “shtabeve të ndryshme ideologjike” ??? Duke dashur të përgëzoj mikun për pelegrinazhin e tij të rregullt, megjithatë kam një dilemë: a ka vlerë më të madhe se liria e mendimit dhe shprehjes dhe a ka vlerë apo normë ideologjike e cila mund të e kufizoi atë në emër të çfarëdo merite qoftë?

Përse luftuan heronjtë?

Për lirinë tonë të mendimit, shprehjes dhe të zhvillimit apo për të fituar mbi kokë një diktaturë tjetër por tash nga bashkë atdhetarët dhe pushtetarët e rinj të pasuruar brenda nate?

Dhe krejt kjo duhet të gëlltitet në emër të lirisë?

Përgjigjja ime, mikut, lidhur me këshillën e tij është e thjeshtë dhe tejet personale: Para se të shkruaj, miku im, i vetmi ritual të cilin ia lejoj vetës është një meditim i papenguar nga asgjë dhe një vendosmëri për me shpreh vetëm mendimin tim lidhur me atë që shkruaj.

“Poshtë Skënderbeu”

Duke shtrydhur trurin, mu kujtua shoku kulturor i një studenti idealist të letërsisë kur lexoi titullin “Poshtë Skënderbeu” në kopertonat e një libri të ekspozuar në vitrinën e një librarie të kryeqytetit.
Sidoqoftë Skënderbeun nuk doli kërkosh ta mbrojë, nga Mufa, aq më tepër se vet titulli i çuditshëm s’kishte të bënte aspak me meritat e Skënderbeut apo luftën e tij.
A thua si do të reagonte sot një student idealist po të shihte në vitrinën e librarisë, librin me titull “Poshtë Adem Jashari” apo “Poshtë Ibrahim Rugova”?
A do të e kuptonte këtë klithmë në funksion të mendimit të lirë, kundër shndërrimit në ideologji të obliguar, apo do të e merrte si mohim të luftës apo paqes së tyre?

Lexuesi i tretë … (Ad hominem)

Dhe në fund, po e sjellim komentin e tretë për ta shpjeguar se si funksionon sistemi i përqeshjes publike me autorin i cili merr guximin të sfidojë lojën e retushimit të historisë në funksion të inxhinieringut të krijimit të liderit të ri shpirtëror . Pra, për të gjithë ata që mendojnë ndryshe pason vlerësimi i “Shtabit” i plasuar me emra të rrem, mundësisht simbolik:
Autori , “eshte konfuz vete dhe gjithqka per rreth i duket konfuze e pa qarte, e pa vizion” – thotë Gazmendi një lexues tjetër i cili edhe më herët ka treguar prirje të vlerësoj jo shkrimet e autorit, por vet autorin.
Ky sikur e njeh autorin! Kështu, të quajnë konfuz, të vlerësojnë si të pakuptueshëm, dhe në fund edhe të kontestojnë ndenjën tënde për vendin dhe të këshillojnë që para se të marrësh guximin të shkruash diçka që “Shtabit” nuk i pëlqen, duhet të shkosh të maresh “avdes” … dhe me pyet “në shtab” a ka me ra shi dhe ku ka me ra …natyrisht nëse dëshiron me kapërcye krejt lojën pa u “lagë”. Vetëm meteorologët e shtabit mund të të garantojnë jetë në të “terët”.

Në trend

Më shumë
Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Tragjedia në Jabllanicë, pamjet nga kamerat e sigurisë tregojnë momentin e shembjes së objektit ku humbën jetën tre fëmijë

Lajme
“Nuk mund të të marr seriozisht, sepse je veshur si unë

“Nuk mund të të marr seriozisht, sepse je veshur si unë", Gjesti vjen me një justifikim të çuditshëm gjatë debatit të tyre

Magazina
Prokuroria nis hetimet pas shembjes së objektit në Jabllanicë që ka shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve

Prokuroria nis hetimet pas shembjes së objektit në Jabllanicë që ka shkaktuar vdekjen e tre fëmijëve

Lajme
Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Milani arriti marrëveshje me skuadrën italiane për shitjen e Theo Hernandez, por francezi refuzoi këtë lëvizje

Serie A
Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar  nga “Fundjavë Ndryshe”

Klajdi përlotet nga pamjet e shtëpisë së tij të rinovuar nga “Fundjavë Ndryshe”

Magazina
Skandal në Holandë, Heerenvenit i iku fitorja nga dora pasi kundërshtari barazoi me 12 lojtarë në fushë

Skandal në Holandë, Heerenvenit i iku fitorja nga dora pasi kundërshtari barazoi me 12 lojtarë në fushë

Ndërkombëtare
Kalo në kategori