LAJMI I FUNDIT:

“Të punojmë sot më shumë, për të nesërmen”

“Të punojmë sot më shumë, për të nesërmen”

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka shprehur besimin e tij se ky do të jetë viti i fundit i izolimit të futbollit kosovar. Këtë besim Vokrri e ka paraqitur të mërkurën në letrën publike dërguar drejtuesve të klubeve, futbollistëve, trajnerëve, gjyqtarëve, kontrollorëve, vëzhguesve, futbolldashësve dhe gazetarëve sportivë, para fillimit të edicionit pranveror të Superligës së Kosovës në futboll.

Më poshtë ju paraqesim letrën e plotë të kryetarin të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrrit.

Të nderuar!
Drejtues të klubeve, futbollistë, trajnerë, gjyqtarë, kontrollorë, vëzhgues, futbolldashës dhe gazetarë sportivë.

Të premten nis edicioni pranveror i Kampionatit të futbollit 2012/2013, ku maratona e skuadrave për më të mirin në futbollin e Kosovës merr rrugën drejt përmbylljes. Sa do që në vitet që shkuan, në një mënyrë ka ekzistuar një mendim se ka një përparim, megjithatë ende aty këtu „çalojmë“ dhe se ende ka vend për përmirësime në të gjitha segmentet.


Kështu që, ka ardhur koha e fundit që veprimtarinë tonë ta kanalizojmë në përputhje me synimet, kërkesat aktuale dhe rrethanat e reja. Kjo vlen si për KE të FFK-së, ashtu edhe për prijësit e skuadrave, futbollistët dhe adhuruesit.

Është koha që të spastrohet ndërgjegjja e të gjithëve që janë të angazhuar rreth futbollit. Tash kur nga afër na sodit bota, jemi të obliguar edhe më shumë, të gjithë të ndryshojmë shumëçka dhe të vëmë shumëçka në vend e në rend, nëse dëshirojmë arenat ku garon e mbarë bota.

FFK-ja, do të jetë vërtet një shtëpi ku do të ketë rend: do të jetë një shtëpi ku secili anëtar i saj të merr përgjegjësitë, por edhe obligimet e tij. Te jetë një shtëpi me zot shtëpie që secilin anëtar të shikojë njësoj e pa anime, të lavdërojë të mirët të ndëshkojë të padisiplinuarit që përpiqen të rrënojnë shtëpinë. Por edhe më shumë guxim për ndryshime pozitive sepse çdo vonesë do të na kushtojë shtrenjtë. Së këndejmi FFK-ja është e vendosur për reforma të thella në të gjitha segmentet duke u bazuar në cilësi e profesionalizëm.

Prijësit e skuadrave të jenë në nivelin e kërkuar, të marrin atë që u takon e të refuzojnë atë që nuk e meritojnë.

Trajnerët e futbollistët – të punojnë me zell e në mënyrë profesionale dhe suksesi i tyre të jetë rezultat i punës e jo rezultat i dhunës, i kurdisjeve dhe allashverisheve. Të mbretërojë korrektësia dhe fryma sportive.

Gjyqtarët – të matin me peshojën e barnatores, të gjykojnë atë që dinë dhe shohin, t‘i lënë anash përfitimet personale të ruajnë nderin e gjyqtarit.

Adhuruesit – të japin përkrahje idhujve të tyre, të brohorisin dhe të duartrokasin për më të mirin e kështu i japin ngjyrën e vërtetë sportit.

Gazetarët – të pasqyrojnë atë që shohin, të largojnë nga vetja adhurimin intim, e të shohin të vërtetën edhe nëse ajo dhemb, kështu u shërbejnë të mirëve dhe të vërtetës, ndërkaq të padisiplinuarve ua tërheqin vërejtjen.

Unë dua të besoj që ky vit do të jetë viti i fundit pa praninë ndërkombëtare. Për këtë po punojmë të gjithë dhe bashkërisht me miqtë tanë do të ia arrijmë qëllimit. Urojmë e besojmë që edicioni pranveror kur edhe përmbyllet ky kampionat të arsyetojë plotësisht punën e të gjithëve, me shpresa dhe dëshira të mëdha që do të gabojmë sa më pak, por që do të angazhohemi të gjithë për dashuri dhe mirëkuptim me ura të reja bashkimi, sepse sporti është sinonim i mendjes dhe shpirtit të shëndoshë. Me fat e suksese të gjithëve.

Me nderime,
Fadil Vokrri, kryetar i FFK-së. /Telegrafi/