LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë po lagen!

Të gjithë po lagen!

U lag krejt skena publike, globale! Një sëmundje, deri tani e panjohur për shumicën e njerëzve, në këtë mënyrë po bëhet e njohur dhe kështu po mblidhen fonde për “luftimin” e saj! Me mjete paqësore, kuptohet! Kështu vihet në lëvizje rrota e madhe globale e vëmendjes publike!

Pasi e përmendëm rrotën, të gjithë e dimë se zbulimi i sajë kishte pasoja të jashtëzakonshme në zhvillimin e llojit njerëzor! Por, zbulimi i kovës dhe përdorimi i sajë me ujë dhe akull, po bën revolucion nëpër rrjetet sociale. Po e këndelli median! Edhe politikën! Mbetën pa tema, mediat! Rri politika, rri ata! Vrasjet më nuk paraqesin lajm! Pastaj… filluan me u lagë!

Kur e zbuloi rrotën, njeriu u bë më i shpejtë se sivëllezërit e vet, majmunë, dhe më nuk kacavirrej nëpër drunj, por shtrihej sa gjerë e gjatë në qerre dhe tërhiqej nga gjallesat e tjera. Kështu dominoi mbi llojet. Vëllezërit e dikurshëm, sot shërbejnë vep për argëtim në krah të ndonjë marinari, ose për kopshte zoologjike. Leksion për fëmijët, me temën: “Ku ishim dhe ku jemi”. Eh, po të mos ishte rrota…!


Por, tash e zbuluam kovën! Kosovës të topitur nga qeverisja e njëtrajtshme e oligarkisë, i dha gjallëri. Kosova, para dhe pas… kovës! A po lagemi, kështu po eksitohen skena publike në këtë fund vere?

Aplikimi i kovës u bë për të sensibilizuar opinionin, përmes nominimit të (ar)miqve, dhe arriti me tërheq vëmendjen publike deri te figurat me potencë të jashtëzakonshme. Në lojë hynë njerëz që njihen për kokën e tyre të mençur, njerëz me pushtet, njerëz me kuleta të thella, apo edhe të tjerë të cilët fuqinë jo veç për me e tërheqë vëmendjen, por edhe me e ngritë… Vetëdijen e kanë te gjinjtë, bythët apo çfarëdo pjese tjetër (jo)intime të trupit të tyre. Tash kjo (jo)intime është relative, sepse për mendjen time nuk ka pjesë të trupit e cila është më intime sesa truri. Gjithçka bëhet për me e pa lakuriq trurin e dikujt! Por, shkenca është ende larg prej këtij objektivi, madhor! Ose kështu ishte derisa nuk u rizbulua… kova! E po të arrihej kjo shumë profesione do të shuheshin. Sidomos politika!

Është veç çështje kohe kur kova do të gjejë përdorim edhe si mjet protestues. Për shembull, si kundërpeshë e marketingut islamist me prerje kokash, mund të gjendet ndonjë alternativë e cila po ashtu dërgon mesazhe të frikshme, në drejtim të kundërt! Jo me prerje kokash, por mund të kombinohet lagia me uiski dhe akull, për shembull! Kjo pa kovë, nuk bëhet!

Paramendojeni një porno yll e cila laget me kovë, të mbushur me uiski dhe akull! A ka kundërpërgjigje më të rëndë për marketingun me prerje kokash? S’po di…!

Por, jam i bindur që performansa me kovë, edhe pasi të jetë pashitur si ide, atje ku u lind, ndër ne do të vazhdojë të jetë e ardhmja e elitave tona publike, ku do të kombinohet arti, shkenca dhe… politika. Sidomos ajo! Kova, pas rrotës, është zbulimi më madhështor i civilizimit tonë! Me kovë do të përballemi me ekstremizmin, korrupsionin, krimin. Ata sulmo, e na… lagu!

Për çudi, kryeministri në detyrë dhe stafi i tij nuk vrapuan me e marrë primatin si të parët në lagje që e zbuluan kovën! Ashtu si patën vepruar me “selfiet”! Por, unë e kam të qartë përse?

Sepse, këta janë mësuar me e kalu lumin, pa u lagur! Nuk eksitohet, shteti!

Nejse, nuk je i rëndësishëm në një shoqëri nëse dikush nuk të fton me u lag! Pa ndonjë debat për motivet në këtë verë në përfundim, edhe shoqëria shqiptare i ka hyrë me një lezet të dukshëm publik lagies me motive humanitare. Jemi humanistë! Nëse veç me një të lagur mundemi me kontribu për ndonjë “çështje”, le të sakrifikohemi të gjithë!

Grevat e urisë, tendat para Qeverisë – sikur ajo në Prishtinë që rri e injoruar me muaj – apo protestat e zhurmshme e të dhunshme, krejt këto po tejkalohen. Mediat promovojnë ose gjëra të lezetshme ose gjëra të tmerrshme. Ose koka të prera ose kovën me akull dhe ujë!

Temat, “ato të mençurat”, mos i kërkoni në media. Nuk i interesojnë askujt. Urtia është monotone. Në tregun tonë të plaçkave, të gjithë “shesin” mend e pak kush blen!

E “baba” Enver, prapë e hodhi pa u lagur! Mendova me e nominu, për me u lag publikisht me ujë, akull dhe pak raki rrushi për me sensibilizu opinionin për sëmundjen e oligarkisë dhe korrupsionit, por e dita se nuk e pranon nominimin. Është mësua me e hedh lumin pa u lagur.

E kur jemi te të lagurit, u lag edhe filan gazetarja, po i thoshte një ditë nipi gjyshes së vet tradicionale, me shami! Ajo ia dhezi një shapullë, e cila ja “terri” krejt entuziazmin nipit të habitur. Këtë storie e kam me të dëgjuar!

“Marre, marre”, thuhet të ketë klithur gjyshja mbi kokën e nipit të hutuar, i cili kurrqysh nuk po e kuptonte përse e hëngri atë shapullë! Fëmijët e pafajshëm nuk e kuptojnë kuptimin e dytë, a të tretë të fjalës me “u lagë” ! Për seksin nuk flitet në familjet tona tradicionale me nga 2-13 fëmijë! Fjalë jo, e punë… mashallah!

Pa u lag shpëtoi kësaj radhe edhe kryeministri në detyrë! Ai i vazhdoi të gjitha kontratat e obligueshme dhe ato të dëshirueshme! E bllokoi shtetin! Ata që duhet i rimorën tenderët! Ne lagemi, e karvani ecë!

E, kur jemi te fjalët me ngarkesë erotike të cilat kanë hy në fjalorin tonë politik, më duhet të jem pak edhe vetëkritik, pasi shpesh jam shprehur për “kapjen” e shtetit nga krimi! Në Kosovë me “e kap” shpesh e ka kuptimin…! Po e dini?!

Dorën në zemër, edhe kjo fjalë, sikurse edhe fjala “lagie” në Kosovë merr konotacione erotike! Por, ku ka Eros posa të përmendet fjala shtet?!

E në kulturën globale, Erosi është në themel. Energjia e jetës! Me i mbulu apo me i zbulu, femrat? Me i veshë apo zhveshë, mitet?! Civilizimet u përplasën te femrat!

Te ne, si të përmendet shteti, ulet menjëherë… adrenalina! Aktivizohet energjia negative. Frojdi do të thoshte se energjia e vdekjes dhe e jetës janë në luftë të përhershme. Kur tërhiqet njëra avancon tjetra. Pra, Erosi, lagja jonë po laget me kova, po tregon vitalitet! Pozitivitet.

E “kapja” e shtetit? Hmmm… keq e kanë kapë shtetin! S’ka asgjë pa dëme kolaterale, po na bindin!? Ani, se verë është, ta lagim pak edhe demokracinë, pse jo! Kush e di çka del pas nëntë muajsh, kur qytetaria laget e kur shteti “kapet”?!