LAJMI I FUNDIT:

Striptiz politik

Striptiz politik

Nuk të pëlqejnë rrobat politike? Mundesh me i hedh! Mundesh me veshë të tjera, të larme! Mundesh mos me veshë fare! Striptizi është legal në shoqëritë e lira! Por, vetëm kur zhvishen femrat! Kur zhvishen burrat bëhet skandal! Nuk e kapërdinë egoja jonë!

Në Tiranë, “8 marsi”, dita ndërkombëtare e gruas, tashmë u bë “traditë” të festohet me striptiz!! E meshkujt , skllevër seksi, vallëzojnë nudo para femrave të eksituara!

Kur femrat bëjnë striptiz, kjo quhet kulturë! Kur politikanët zhvishen lakuriq para publikut, kjo është shkathtësi politike! Kur njerëzit publik vetlëvdohen si mafiozë nëpër media, kjo është humor pa sherr! E kur një striptist me ngjyrë vallëzon nudo para femrave “tona”, kjo është çmenduri! Kjo nuk durohet! Portalet vlojnë nga komentet për këtë!


Një politikan ballkanik, bazuar në besimin e tij pat deklaruar se nuk beson në barazinë gjinore! Në vendin e tij mashkulli mund të shkojë në shtëpitë me fener të kuq! Femra jo! Femra mundet veç të pres klientët! S’ka barazi!

Në fund të fundit, çdo gjë del të jetë biznes! Kështu, një ish udhëheqës i krahinës së dikurshme socialiste autonome të Kosovës, pasi e kishin (keq)përdorur skajshmërisht , e kishin larguar vrazhdë nga skena politike! Pas rënies ai kishte filluar të ecë këmbë dhe të punonte për të mbijetuar! Filloi të merrej me biznes. Tregti hesapi! Tregti me shumicë! Po shiste e po blinte sheqer me maune! Tregti e ëmbël do të thoshit! Por, gjithsesi më e hidhur se karriera e tij e dikurshme politike! Kishte rënë!

“Nuk i shes dot nja dy maune me sheqer! Më kanë mbetur në depo”, po i ankohej ai një partneri të tij të besueshëm afarist! Thuhet se partneri paska qeshur me zë aq të lartë sa të gjithë në kafenenë e tyre të preferuar e paskan kthyer kokën me kureshtje!

“Po ti e shite krejt Kosovën mor burrë, e këndej po ankohesh se nuk i shet dot dy maune me sheqer”!

Njëzet vjet më vonë, një politikan tjetër ka dalë në treg. Jo në Bruksel. Në Prishtinë! Ka dalë në tregun e gjelbër i cili gjendet në njësinë e tij zgjedhore. Në prag të zgjedhjeve nacionale kur kryeministri del në treg për të blerë speca apo mollë, kjo merr ngjyrime politike.

Natyrisht, mos krijoni paralele me ish politikanin e shtrydhur politikisht, as mos e mendoni se kryeministri ka dalë për me ble vota! Kur i duhen votat, ai thjesht i merr! Se nuk i merr për vete, por për Kosovën! Ai Kosovën nuk e shet! Ai po e blenë! E do për vete dhe për miqtë! Një copë Kosovë është më! Pastaj, ai nuk mund të lejojë që pushteti të bjerë në duar të gabuara! Do të ishte fatale për të!

Ai ka kohë që banon me qera në këtë lagje. Ka mbetur nëpër miq, po ankohet, pasi që gazetarët nuk po e lënë me e ndërtua megashtëpinë e tij! Me Kushtetutën tonë çdokush ka të drejtë të ndërtojë edhe megashtëpi! Nëse ja mban xhepi! Por, këtu është problemi formal!

Kryeministri e ka rrogën më të vogël se Presidentja e madje edhe se kryeparlamentari! Të ardhurat vjetore nuk e arsyetojnë koston e supozuar të shtëpisë së tij, prandaj çdo gjë mbeti pezull, e kryeministri mbeti me qera! Edhe dhuratat nuk i pranon dot, edhe pse në bizneset familjare përmenden edhe megandërtimet. Ai nuk merr dot një banesë apo shtëpi si dhuratë! Një zyrtar me ligjet e vendit mund të pranojë dhurata vetëm deri në 50 euro! Çmimi i banesave po bie, por ende nuk e ka arritur shumën nën 50 euro!

I mahnitur, kryeministri po i prekte pemët dhe perimet dhe po pyeste për çmimet. Pastaj i prekte paratë! Ka kohë që nuk e ka futur dorën në xhep! Kujdesej logjistika! Gojëkëqijtë thonë se nuk paska pyetur fare për çmim, se kryeministri nuk ka probleme materiale, por unë mendoj se kjo duhet të jetë veç thashetheme qëllimkeqe. Atij me siguri i interesojnë çmimet e pemëve dhe perimeve në vendin e tij. Edhe ashtu të gjitha janë nga importi dhe këto ndikojnë dukshëm në shportën e konsumatorit! Edhe te tatimet dhe doganat! Aty e ka bukën!

Kryeministri i Kosovës më në fund ka aterrua Jo në aeroportin e vetëm ndërkombëtar, turk, pas kthimit të tij nga Brukseli ku shkon në baza javore për të takuar Ivicën! As për me e marrë Nobelin! Jo! Kryeministri, aterroi në realitet. Paskam jetuar në hava, mendoi! Ai doli në tregun e gjelbër dhe po shikonte me çudi pemët dhe perimet e vendit të tij. Dikur, nën okupim, vendi i tij prodhonte pemë dhe perime! Kishte bagëti edhe bujqësi! Por, tashmë me sukses të madh i importon ato! Importon edhe bagëtinë dhe bujqësinë! Vendi ka lulëzuar nën qeverisjen e tij! Krejt asfalt e ka ba!

Nuk mbillet në asfalt, ankohen bashkëvendësit e tij. As bagëtitë nuk kullosin në asfalt! Tashmë e dini që krejt barsoletat e reja për vendlindjen e kryeministrit dhe lobit të tij politik kanë të bëjnë me asfalt. Edhe livadhet, bashqet, odat! Është modernizue vendi!

Pra, specat dhe domatet kryeministri ka fillu me i ble vet, në prag të fushatës paraelektorale! Po dërgon mesazhe se ai është njeri i shpisë, dhe i lagjes. A do ta votojë lagjja e tij për kryeministër? Nuk dihet! Ai i ndërron shpesh lagjet! Pastaj edhe po ndërton lagje të reja!

Sa herë i ndërron lagjet, i ndërron edhe “marrëdhëniet publike”! Kështu, dalja në treg dhe fotot selfije janë trendi më i ri i agitpropit të tij virtual! Kryeministri në çdo fushatë ndërron edhe identitet! Ai është fletë e bardhë politike. Aty mund të shkruash çka të duash! Tabula rasa do të thoshin latinët!

Por të kthehemi te striptizi! Ju kujtohet ajo përralla për rrobat e tejdukshme të mbretit dhe fëmijën që klithë: mbreti është lakuriq! Mbreti nuk ka qenë lakuriq! Rren është! Ku dinë fëmijët! Mbreti veç po bënte politikë! Po bënte striptiz politik!

Dikur kryeministri aktual i kokës perëndimore të shqiponjës pat veshur rroba të tilla! Në vend të fëmijëve, të rriturit po thoshin se kryebashkiaku qenka lakuriq! Ani çka?! Kështu e do moda! Edhe politika!

Përndryshe krejt fajet i ka kryetarja e vendit! Ajo vendosi me ndejtë deri në fund të mandatit! Po rri tha në zarf! Posti i saj nuk është në Pazar, tha kryeambasadorja!

E “8 marsi” simbolizon luftën e femrave proletare për liri! E ato mund të ndihen krejtësisht të lira vetëm kur edhe ato të kenë skllevërit e tyre për lojë! Krejt është veç biznes, njeri!