Sot do të shkruaj paksa përçart! E kam nga hemorragjia! Po rrjedh populli damarëve të kontinentit dhe po grumbullohet në turma të vogla me bagazhe nëpër duar, duke u zhagitur kufijve që na i kanë vënë. Vetëm për ne! Pastaj fillon gjahu! Sa kosovarë i kape ti, sa i kapi ai polici tjetër kufitar? Këtë “lojë” luajnë policët serbë, hungarezë, gjermanë, rreth “barkut të butë të Evropës”! Sa kosovarë i ke kapur sonte në kufi! Ai polic kufiri që ka kapur më shumë ilegalë, ai e ka pijen gratis nga kolegët! Pastaj, ata pyeten në mes vete hutueshëm: përse po ikin këta njerëz nga vendi i tyre? Por, nuk arrijnë të kuptojnë! E fituan lirinë! Votuan! Gota e përcjell gotën dhe krejt llafi kthehet në një debat metaforik për globalizmin, lirinë e lëvizjes dhe kombet që luftuan për lirinë e vet!
“Ku po shkoni?”, e pyet polici i dehur serb një të ikur, dhe pastaj nuk durohet pa u thënë të tjerëve në grumbull, që të kthehen në shtetin për të cilin kishin luftuar. “Nuk na donit ne, përse vini tash këndej”?
Edhe ministri serb i Policisë e shijon cinizmin e vet! Deklaron se kosovarët po na e njohin shtetin dhe po kërkojnë pasaportat serbe! Por, ata nuk ndalen në Serbi! I njohin veç autostradat dhe kufijtë, ministër!
E ne, që mbetëm pa dalë, na ka kapë zjarrmia! Kështu e ka anemia! Pra, mos ma zini për të madhe po fola jerm! Nëse sonte, në këtë shkrim, ngatërrohen legjenda, reklama, dhe realiteti, mos u hutoni! Krejt kjo jemi ne! Të kapur përdore në karantinën e quajtur Kosovë, aty ku Evropa po na ndihmon me e ndërtua modelin! Na e fshin softuerin e moçëm, ja i riu… me virus! Në sytë e të ikurve shihet dëshpërimi, sikur një njoftim: “Virus alert”! Dëshpërimi është shndërruar në karburant të ikjes. Ikjes nga liria, si do të thoshte dikush emri i të cilit nuk e di përse sonte s’po më thotë asgjë!
Në formë alarmi u përhap fjala, nëpër rrjetet sociale, se po i kthejnë të gjithë! Krejt! Të madh e të vogël! Pavarësisht sa hoqën për me dalë! Eh, kjo ëndrra shqiptare për me dalë! Ëndrra që fundosi anijet në Otrant! Ëndrra që fundosi barkat në ujërat e ftohta të lumit Sava…!
Në kujtesë reklamat bëjnë kërdi. U përhap fjala se ai u kthye! Po thonë se Sabiti u kthye. E pyetën, ashtu si e do rendi: a u ktheve a? Ai u tha se nuk është kthyer, por se erdhi me t’i merr të gjithë me vete! Krejt po dalim! I madh e i vogël! Kështu, tha Sabiti! Krejt pa pare ish. Loçkë! Dorën në xhep nuk më kanë lanë me e shti! Tingëllon si përrallë! SI legjendë e ikjes madje! Pastaj edhe aktori, të cilin nga serialet e njohim si daja Skender, me një setër hedhur krahëve shpreh magjishëm, realisht, fudullëkun e një klase pushtetarësh primitivë e të uritur, të një qeverisjeje që promovonte idenë e përfitimit në çfarëdo mënyre; idenë e ikjes diku tjetër, pavarësisht se ku! E vranë idenë e shtëpisë, pushtetarët! Më mirë nëpër kontejnerë, sesa me e punua tokën! Tri herë në ditë po japin bukë me pashteta!
Pra, Qeveria e kishte gati strategjinë e ikjes! Apo, ishin naivë dhe nuk e dinin se sloganet marrin kuptimin tjetër, porsa shlyhet ngjyra e parë! Me dalë, veç me ikë, se diku tjetër është gjithqysh më mirë!
“O burra, a muert vesh a jo? Sabiti kish dalë! Edhe familja e doktorit! Edhe Xhambazët! Edhe dhurata u kanë dhënë kur kanë shkue atje! Po, po, Mihria e kish marrë burrin, e fëmijët dhe komplet kishin dalë!
Paskan p’shtu, se edhe ashtu nuk u patën ba rahat kurrë! Po, po, krejt kanë me dalë”! Ky është teksti i plotë i një reklame të para do viteve! Nuk e kuptuam atëherë!
As kam shtuar, as kam hequr ndonjë fjalë! Këtu, nga kjo reklamë nuk marrim vesh asgjë se a ka mbërritur në Hungari edhe Kosovarja, vajza që u lind pikërisht në ditën kur për të satën herë e shpallëm pavarësinë me zërin tonë patetik!
Por, e keni kuptuar gabim tërë këtë zinxhir sloganesh, edhe ju bashkë me mua! Kthehuni o njerëz, se krejt ka qenë veç një hajgare e madhe me ju! Ka qenë një reklamë! S’ka dhurata! Veç 100 SMS falas! Edhe pashteta!
Jo, jo! Mos mendoni se ky është zinxhiri i thashethemeve i cili e ka nxitur emigrimin e fundit masiv të kosovarëve drejt vendeve të Evropës ! Edhe pse dikush me prirje që prapa çdo gjëje me pa konspiracion, krejt këtë edhe mundet me e pa si një strategji të krijimit të psikozës së ikjes nga vendi. Megjithatë, krejt kjo është veç një reklamë agresive e një operatori ekonomik i cili po godiste pasurinë publike për interesa te xhepave privatë! Apo grupeve! Grupet nuk patën asgjë! Pastaj, morën gjithçka! Krejt kjo u bë model i suksesit! Filloi gara dhe zhurma e madhe kush po ikën prej fukarallëku sa më shpejt! Pulsi i kombit po rrihte si i çmendur! Pasion, dëshirë…! Populli u shtri në kokërr të shpinës dhe po priste të ja sillnin parajsën! Askush nuk po i thoshte popullit se parajsën e krijoni me duart e juaja! Me punë!
Kështu, damarët shpërthyen dhe populli rrodhi autostradave me bohçe në krah!
E, një video amatore, me temën e kurbetit, po qarkullon nëpër rrjetet sociale! Një i ri nga Kosova, i shtrirë në kokërr të shpinës, me duart nënë kokë, po e vajtonte fatin e tij të zi, fatin prej kurbetçari.
Ai po këndonte një nga ato këngët e vjetra popullore të cilat rapsodët i këndojnë sikur e nxjerrin zërin prej thellësive të shpirtit. Këndej këndonte për plagën e kurbetit, e andej ëndërronte t’i jepej lejeqëndrimi! Plagë e rendë ishte dikur kurbeti! Iknin burrat e nuk ktheheshin. Mbetnin gratë të veja për së gjalli, e nënat pa djem. Kënga është vaji i burrave, kanë thënë, por sot është holluar shumë, edhe dallimi në mes të gjinive – duke u kufizuar kryesisht në gjenitale dhe disa karakteristika tjera fizike. Dikur vajtonim se në Evropë po na ikte truri! Tash po ikë edhe trupi i kombit!
A mbet kush, po pyetemi në mëngjes! Pak na ra zjarrmia! Policia e ka mbyllur kufirin! Evropa po na e demonstron modelin e lëvizjes së lirë! Sa me e pa se si duket! Dorën në zemër, Kosova e lirë nuk është një model Ferri! Eksperiment social! Jemi veç në karantinë! Në njëfarë mënyre jemi në Purgator! As andej – e as këndej!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëGerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
Pas trajtimit në spital, Gjesti kthehet në Big Brother
Gjesti lë përkohësisht shtëpinë e Big Brother VIP Albania
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet
LVV, LDK dhe PDK ndëshkohen me gjoba të majme nga PZAP për shkelje në fushatë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Gerta flet pas incidentit: Nuk kam për qëllim të dëmtoj sytë e Gjestit
Gerta Gixhari e lëndon Gjestin? I hedh alkool në sy
‘Trazira’ në Big Brother VIP Albania - pas lëndimit të Gjestit shpërthejnë debatet në shtëpi
Babai i Haalandit thumbon keq Arsenalin pas turpërimit që i shkaktuan Man Cityt
A është ende e sigurt të fluturosh me aeroplan? Ekspertët e aviacionit japin 'verdiktin e tyre' pas incidentit në Uashington
Musk: USAID është një organizatë kriminale – është koha që të shuhet