LAJMI I FUNDIT:

Stavileci: Për pesë vite, 11 mijë vende të reja të punës

Stavileci: Për pesë vite, 11 mijë vende të reja të punës

Iniciativa e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik për krijimin e një fondi i pavarur për mbështetje të kompanive të reja, e që synon rritje të teknologjisë së informacionit dhe inovacionit, synon që brenda pesë vitesh të krijojë rreth 11 mijë vende të reja të punës.

Kjo iniciativë pritet që më së largu deri në fillim të vitit të ardhshëm të fillojë të funksionalizohet. Qeveria e Kosovës për këtë do të ndajë një fond investiv prej dy milionë euro.

Kjo shumë do të përputhet me një fond shtesë prej 2 milionë euro nga donatorët dhe pastaj do të nxisë dy milionë euro investime nga sektori privat.


Sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, kjo shumë në total prej gjashtë milionë eurove do të nxiste investime nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe diaspora, derisa fondi do të t‘ju ofrojë qasje në financim kompanive të reja dhe në rritje të TIK-ut – në vend dhe atyre nga jashtë.

Stavileci tha se ky fond synon të nxisë investimet e përbashkëta me investitorët privatë, që pastaj do të nxiste edhe interesimin e institucioneve ndërkombëtare financiare për të krijuar një fond të pavarur investiv për sektorin e TIK-ut, përkrahjen e inovacionit dhe rritjen e sektorit.

Sipas tij, përmes zhvillimit të sektorit të teknologjisë informative dhe inovacionit, mund të bëhet edhe një kthesë sa i përket numrit te të punësuarve.

“Fondi synon që renda pesë viteve të krijojë rreth 11 mijë vende të punës dhe këto janë dhënë në tabelat me indikatorët se si do të mbështeten: vlerat të cilat i përmenda, sa projekte prej vitit në vit, cilat do të jetë rritja, cili do të jetë kthimi i investimeve”, tha ai.

Më tutje, Stavileci deklaroi se projektet investive që do të mbështeten, do t’i kenë tre kritere elementare: punësimi, edukimi dhe inovacioni.

Sipas ministrit Stavileci, me investimet që do të behën, në vitin e tretë projekti do të jetë i vetë-qëndrueshëm. Ai madje se deri në fund të këtij viti, apo fillim të vitit të ardhshëm, do të bëhet funksionalizimi i fondit.

Fondi të cilin MZhE e ka konceptuar do të mbështesë një model të një partneriteti publiko-privat, ku fondet publike do të bëhen bashkë me ato të donatorëve dhe të sektorit privat.

Menaxhimi i fondit parashihet të bëhet nga një menaxher i specializuar privat – pa ndikim nga Qeveria – i cili sipas MZhE-së, do t’i jepte kredibilitetin Fondit dhe do të mundësonte investimin e mjeteve shtese nga donatoret dhe fondet investive. /KP/