LAJMI I FUNDIT:

Sistemi i ujitjes i domosdoshëm për kultivimin e pjeprit

Sistemi i ujitjes i domosdoshëm për kultivimin e pjeprit

Pavarësisht investimeve që janë bërë në sistemin e ujitjes, fermerët vazhdojnë të përballen me mungesën e ujit për ujitjen e kulturave të mbjella bujqësore. Ky problem si dhe dëmtimet e kulturave nga vrugu po u sjellin vështirësi në veprimtaritë e tyre bujqësore fermerëve vendorë. Madje, me këtë telashe po përballen edhe kultivuesit e perimeve të ndryshme,të cilët kanë traditë në këtë veprimtari.

Njëri ndër ta është edhe fermeri Hysni Mustafa, nga fshati Bajskë i Komunës së Vushtrrisë, i cili tregon se viteve të fundit ka mungesë të ujit dhe dëme nga vrugu në kulturat e tij. Por pavarësisht kësaj, ai thotë se do të vazhdojë që të rrisë sipërfaqet e kultivuar me perime dhe kultura të tjera bujqësore.

Mustafa thotë se merret me kultivimin e pjeprit për më shumë se 20 vite, por që këtë vit ka pasur disa probleme. “Kultivimin e pjeprit kemi filluar qysh par lufte ku kemi kultivuar sipërfaqe të mëdha, por tash pas lufte sipërfaqet i kemi zvogëluar pasi që kemi probleme me ujë. Sistemi i Iber Lepencit i cili ka qenë më herët tash është në defekt dhe nuk e kanë rregulluar e kjo po na krijon vështirësi për neve si fermerë pasi që kultivimi i kulturave të ndryshme po bëhet më i vështirë”, tha Mustafa.

Ai tregon se po të kishte përkrahje financiare e po ashtu edhe sistem të ujitjes do të rriste në masë të madhe numrin e kulturave të kultivuara e po ashtu edhe të sipërfaqeve kultivuese. Fermeri Mustafa tregon se sivjet edhe tek pjepri ka bërë dëme vrugu. “Në sipërfaqen prej 20 ari me pjepër një pjese më është dëmtuar pasi që i ka rrokur edhe vrugu për shkak të lagështisë dhe të reshurave të cilat kanë qenë gjatë këtij viti”, thekson ai.


Fermeri Hysni Mustafa tregon se tregun e shitjes së pjeprave e ka kryesisht në Vushtrri dhe Mitrovicë për shkak të afërsisë së këtyre qyteteve me fshatin e tij, ku i kultivon kulturat bujqësore. Sipas statistikave zyrtare në Kosovë me pjepër kultivohen brenda një viti 271 hektarë me një prodhim vjetor prej 2455 tonëve.

Në anën tjetër, zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë, tregojnë se për të shmangur problemet, e fermerëve, nga viti në vit i kanë shtuar investimet edhe në zgjerimin e sistemit të ujitjes së tokave bujqësore. Sipas këtyre zyrtareve, Ministria e Bujqësisë, edhe sivjet do të investojë në sigurimin e ujit për ujitjen e tokave bujqësore, në shtrirjen e sistemit për ujitje në sipërfaqe sa më të mëdha dhe në menaxhimin e suksesshëm dhe afatgjatë të sistemeve të ujitjes.

Investimeve në sistemin e ujitjes shumë fermer ia kanë parë hairin, pasi sipas tyre në këtë mënyrë përveç shtimit të prodhimtarisë, e kanë rritur edhe cilësinë e prodhimeve të tyre bujqësore. /FermaIme/Telegrafi/