Siguria e brendshme dhe kriza e veriut
Veriu i Mitrovicës është problemi më i rëndë kombëtar i Kosovës dhe ndër problemet më të mëdha të rajonit.
Siguria e brendshme dhe siguria e kufijve është ndër sfidat më të mëdha të Kosovës së pavarur. Vendi është i qetë, madje Kosova realisht është ndër shtetet më paqësore në rajon: pa dridhje sociale, pa demonstrime të dhunshme të pakënaqësive, me një polici të organizuar mirë që mund ta mbajë qetësinë e brendshme dhe me trupat e Forcës së Sigurisë që mund të garantojnë në të ardhmen kufijtë. Kryesisht në dy vjetët e pavarësisë ka mbizotëruar atmosferë e qetë nëpër rrugë e sheshe. Pati manifestime të pakënaqësive, në numër jo të madh (disa qindra) për statusin politik, për rritjen e pagave, për rregullimin e statusit social apo për mospajtime të mënyrës së privatizimit. Edhe enklavat serbe (minoritetet e tjera ishin të qeta e bashkëpunuese që nga fillimi), të cilat kanë paraqitur problem gjatë kohës së administrimit të UNMIK-ut sikur kanë filluar të qetësohen. Një pjesë e minoritarëve serbë me joshje të ndryshme, kanë filluar të pranojnë institucionet e Kosovës dhe të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Për pjesëmarrje në zgjedhjet qendrore pritet të shihet, sepse në zgjedhjet e kaluara serbët nuk morën pjesë dhe përfaqësuesit serbë nuk janë në institucionet qendrore. Vendet e rezervuara të deputetëve dhe vendet për deputetët që mund të zgjidheshin sikur të merrnin pjesë në zgjedhje, janë të zbrazëta.
Veriu i Mitrovicës është problemi më i rëndë kombëtar i Kosovës dhe ndër problemet më të mëdha të rajonit. Serbia, në fqinjësi me enklavën militante të lagjeve të veriut të Mitrovicës, nuk është e interesuar ta lërë Kosovën në qetësi. Nuk është veriu i qytetit problemi i pazgjidhshëm, gjërat janë të qarta në aspektin politik, gjeografik, etnik e territorial, sepse veriu është pjesë përbërëse e Kosovës. Askush nuk e ka kontestuar deri tash këtë fakt, mirëpo interesat e larmishme të një pjese të bashkësisë ndërkombëtare, kalkulimet e ndryshme dhe ngurrimet kanë bërë që veriu i Mitrovicës të bëhet një lloj kanceri për Kosovën. Në atë pjesë të vendit autoritetet qendrore ende nuk kanë mundësi ta ushtrojnë pushtetin dhe nuk kanë mundësi të shpartallojnë organet paralele serbe, të cilat e terrorizojnë popullatën shqiptare dhe e bëjnë ligjin. Ndërkaq, për përdorimin e dhunës është dhënë udhëzim i prerë se nuk mund të bëhet.
Gjatë dhjetë vjetëve të trazirave të kohëpaskohshme, të cilat i nxitën paramilitarët, ose u dirigjuan drejtpërdrejt nga Serbia kanë rënë dhjetëra viktima, kryesisht shqiptarë vendës, janë vrarë e plagosur edhe policë ndërkombëtarë, pati djegie shtëpish e plaçkitje. “Kriza e vazhdueshme e ngatërruar nga Milosheviqi, simbolizohej nga kacafytja në Mitrovicë, midis serbëve në veri të lumit Ibër dhe të shqiptarëve në jug të tij, të ndarë nga ura që ndehet sipër saj. Diplomacia ndërkombëtare që nga fillimi i ka identifikuar fajtorët dhe e pati të qartë situatën. “Gjenerali Wesley Clark, ambasadori Richard Hoolbruck dhe përfaqësues të tjerë të NATO-s e të ShBA-së tashmë i kishin identifikuar agjentët e regjimit të Milosheviqit si fajtorët kryesorë lidhur me përleshjet në Mitrovicë, por aksionet e vendosura munguan.
Kriza në veriun e qytetit të Mitrovicës u intensifikua edhe kohët e fundit kur u paraqit Strategjia për rregullimin e gjendjes. Ish-gjenerali Ramadan Qehaja, analist i çështjeve të sigurisë, në një vrojtim të gazetës “Koha Ditore” shkruan: “Për strategjinë e shtrirjes së pushtetit tonë në pjesën veriore të Kosovës këtyre ditëve është folur mjaftë. Deklarata e Piter Faithit se vendosja e pushtetit kosovar në pjesën veriore të vendit do të zgjasë me vite, është dëshmia më e mirë se Strategjia e hartuar dhe e proklamuar për veriun, që në start mund të jetë e gjykuar për të dështuar”.
Sipas kësaj Strategjie problemi fondamental: shpartallimi i njësive paralele apo i organeve paralele nuk do të bëhet, ndërsa problemi thelbësor janë pikërisht këto organe të sigurisë, mercenarë të Beogradit, për të cilat EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës, që thotë se ka hartuar Strategjinë në bashkëpunim me ndërkombëtarët, nuk do të merret, por do të përpiqen që t’i anashkalojnë apo t’i margjinalizojnë.
Ndërkaq, dihet që në fillim se Beogradi nuk do të lëshojë pe, përderisa nuk është pajtuar me këtë strategji. Veriu i Kosovës është problemi që nga viti 1999 kur hynë trupat e NATO-s në Kosovë. Faktorë ndërkombëtarë, administrata e UNMIK-ut, por edhe EULEX-i kanë bërë përpjekje të vazhdueshme që të ofrojnë zgjidhje dhe t’u propozojnë oferta serbëve lokalë, mirëpo asnjërën nga to nuk i kanë pranuar. “Çelësi për përparim në pjesën problematike (është fjala për veriun e Mitrovicës, vërejtja jonë), qëndron te promovimi i pajtimit ndëretnik dhe forcimi i institucioneve shumetnike”: Intervistë me përfaqësuesin special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Lamberto Zanierit. Ky çelës ende nuk është gjetur, sepse serbët nuk e pranuan as pajtimin ndëretnik, megjithëse vetë i kanë shkaktuar të gjitha vrasjet, ishin të fajshëm edhe për trazirat e kohëpaskohshme pas hyrjes së trupave të NATO-s, u konfrontuan edhe me policinë ndërkombëtare, por edhe me trupat e KFOR-it.
Kriza e veriut të Mitrovicës filloi në kohën e UNMIK-ut dhe do të vazhdojë edhe me EULEX-in dhe me organet legjitime të shtetit të Kosovës. Pas rikonfigurimit të UNMIK-ut, apo pas reduktimit në disa dhjetëra nëpunës, Zanieri thotë se kjo gjë është bërë për t’i dhënë hapësirë BE-së që të luajë rol më të madh. Po për problemin e veriut të Mitrovicës, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, thotë: “NATO-ja do të mbështesë të gjitha strategjitë që ndihmojnë sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës, duke përfshirë edhe ato për integrimin e të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare” .
“Tani është koha e duhur për zbatimin e Strategjisë për integrimin e veriut të Kosovës, mirëpo strategjia është test për seriozitetin e faktorëve të përfshirë në zgjidhjen e problemeve atje”, vlerëson në intervistën ekskluzive për Radio Kosovën, më datën 2 shkurt 2010, ekspertja e Iniciativës Evropiane për Stabilitet, Verena Knaus. Sipas saj, ka ardhur koha edhe për rishikimin e fuqive ekzekutive të ICO/EUSR, pasi koha e protektorateve në Ballkan ka përfunduar. “Personalisht jam e zhgënjyer me faktin se Bashkimi Evropian nuk ka qëndrim unik për pavarësinë e Kosovës.
Fakti se pesë vende të BE-së nuk e kanë njohur pavarësinë e vështirëson punën e EULEX-it në terren dhe e detyron misionin që të veprojë sipas idesë së neutralitetit. Mirëpo, çfarë do të thotë të jesh neutral në lëmin e sundimit të ligjit. Neutraliteti në këtë rast do të thotë të veprosh në emër të sundimit të ligjit, pasi kjo është natyra e misionit dhe duhet të sigurohet se funksionon sistemi i drejtësisë. Po, është e vërtetë se ka një përmbajtje brenda EULEX-it dhe kjo e dobëson pozitën e Bashkimit Evropian. Unioni duhet të jetë më i vendosur dhe duhet t’i thotë Beogradit se të bashkohesh në rrugën evropiane nënkupton më shumë se sa miratim të ligjeve, pra nënkupton ndryshim në mënyrën e të bërit politikë .
Natyrisht në këtë disonancë të Bashkimit Evropian sipas reagimit Qeveria amerikane dhe ambasada amerikane në Prishtinë, kanë rol vendimtar në mos lënien vetëm të Bashkimit Evropian. Duhet të jemi të ndershëm dhe të pranojmë se pa përkushtimin e fuqishëm të Qeverisë amerikane as arritja e pavarësisë nuk do të ishte e mundur, pasi brenda BE-së ka shumë dallime. Tani, roli fillimisht duhet të jetë: të ofrojnë mbështetje, të shtyjnë Qeverinë e Kosovës që të shtyjë Bashkimin Evropian në drejtimin e nevojës së integrimit të Kosovës.
Sipas Planit të Ahtisarit rishikimi i tij duhet të bëhet brenda dy vjetëve. Verena Knaus mendon se opsioni i duhur është futja edhe më thellë e Kosovës në procesin e integrimit evropian, duke forcuar më tepër anën evropiane të përfaqësuesit ndërkombëtar. Kjo do të shmangte problemet me Serbinë apo me vetë komunitetin serb në Kosovë, por edhe do të ndryshonte mënyrën e “ushtrimit të presionit” ndaj Qeverisë së Kosovës.
Qëndrimi armiqësor i Serbisë, shantazhet e vazhdueshme, mospajtimi me pavarësinë e Kosovës, në përpjekje për të imponuar koncesione të ndryshme, ka ndikuar që grupet e armatosura dhe serbët militantë ta mbajnë në tension veriun e Mitrovicës, duke terrorizuar shqiptarët vendës.
Instrumentalizimi i gjatë i serbëve të Kosovës, të mbetur në enklava që nga koha e Milosheviqit dhe më herët, më shumë do të përdoret nga Beogradi për të shantazhuar institucionet e Kosovës dhe për të bërë presione mbi faktorët relevantë ndërkombëtarë. Një pjesë e minoritarëve serbë do të përdoren vazhdimisht kundër pavarësisë, ndërsa Kosovës do t’i shkaktojnë probleme të vazhdueshme, sepse përfaqësuesit e institucioneve do të jenë nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, duke kërkuar të trajtohet çdo rast veç e veç. Për këtë gjë do të lypen energji dhe para, por do të jetë shumë më i madh dëmi moral para subjekteve ndërkombëtare, nëse nuk trajtohet problemi në thelb, sepse edhe eksesi më i vogël mund t’i frikësojë pastaj kapitalistët perëndimorë që të investojnë në Kosovë. Ndërkaq, njëra ndër minierat dhe industritë e përpunimit të xeheve është “Trepça”, të cilën duket se e synojnë serbët, ose përpiqen ta bllokojnë.
Presionet serbe mbi veriun e Mitrovicës bëhen edhe për ndarjen e një pjese të Kosovës. Ndarja e Kosovës, të cilën pak ditë para shpalljes së pavarësisë e hodhën në “treg” serbët, e ka zanafillën shumë më herët dhe sa herë që shqiptarët kanë këmbëngulur për t’u shkëputur ka dalë serish ideja për një prerje trup e tërthor të territoreve të Kosovës. Ndarja është përmendur edhe më vonë, por në formën e propozimit serb për copëtimin e Kosovës, përkatësisht për shkëputjen e tri komunave të veriut të Kosovës nga trungu dhe bashkimin e tyre me Serbinë. Në fakt, Serveri mund ta ketë kuptuar me Preshevën Luginën e Preshevës, që nënkupton gjithë hapësirën, ku hyjnë edhe komuna e Bujanovcit dhe ajo e Medvegjës, sepse shqiptarët gjithherë i përmendin së bashku këto tri komuna.
Ngjashmëria e krizës në veriun e Mitrovicës, ku veprojnë grupet paramilitare dhe përpjekjet e fuqishme të Serbisë për destabilizim kanë ekzistuar edhe në Sllavoninë lindore të territorit kroat, ku serbët po ashtu një kohë janë përpjekur të bëjnë presion, të imponojnë koncesione territoriale, madje edhe ta shkëpusin. Një kohë ajo krahinë u qeveris nga përfaqësuesit ndërkombëtarë (ishte Uiliam Uolker administrator) dhe pastaj iu bashkua shtetit kroat, të cilit edhe i takonte. Një gjë të këtillë Beogradi e ka bërë një kohë edhe me Kninin dhe Liken, po ashtu në Kroaci, ku vepronin formacione të fuqishme serbe, të mbështetura nga armata e ish-Jugosllavisë dhe terroristët e tjerë serbë, mirëpo në atë territor shteti kroat pati më shumë vendosmëri, natyrisht edhe më shumë mbështetje ndërkombëtare dhe i dëboi të gjitha forcat kriminale serbe në aksionin ushtarak të koduar “Oluja (Stuhia). Mbi pesëdhjetë mijë refugjatë e ushtarakë të shpartalluar serbë erdhën në Kosovë në atë kohë, në vend që të shkonin në Serbi, duke krijuar probleme të shumta dhe acarime, sepse pos që një pjesë e tyre kishin bërë krime në Kroaci, me këtë kontingjent ndër më të numërt gjatë historisë më të re, mëtohej rikolonizimi tjetër serb i Kosovës për ta plotësuar minoritetin serb që qeveriste atëbotë shumicën shqiptare me ndihmën e ushtrisë e të policisë.
Në veriun e Mitrovicës bashkësia ndërkombëtare përpiqet që në mënyrë paqësore t’i neutralizojë forcat e shërbimit sekret serb dhe ta shtrijë pushtetin mbi atë hapësirë. Në aspektin kohor proceset janë duke shkuar shumë më ngadalë sesa në territorin kroat. Madje ngadalësia është shqetësuese, ndërsa toleranca që u bëhet serbëve është e pakuptueshme, sepse nacionalizmi i tyre u ka kushtuar shumë kroatëve, u ka kushtuar boshnjakëve, e sidomos po u kushton edhe më tutje shqiptarëve. Është vështirë që me taktikën të cilën e ka zgjedhur bashkësia ndërkombëtare të japë fryte.
Konfliktet nacionaliste kanë shkaktuar vuajtje shumë të mëdha, drejtpërsëdrejti apo tërthorazi. Nacionalizmi nuk është thjesht një fenomen, është gjithashtu një problem . Nacionalizmi serb, i mbufatur në shovinizëm të tërbuar racist u shkaktoi probleme të gjithë popujve në Ballkan, sidomos ata që ishin në ish-Jugosllavi. Fatkeqësisht me gjithë masakrat e gjenocidin që e shkaktoi, nacionalizmi serb nuk u ndëshkua sikurse ndodhi me nacionalsocializmin gjerman, pra bashkësia ndërkombëtare e kurseu Serbinë, e anashkaloi në ndëshkimin kolektiv, prandaj ai nacionalizëm do të vazhdojë t’u shkaktojë probleme edhe në të ardhmen disa kombeve në Gadishull, gjë që e pranojnë faktorët ndërkombëtarë, duke u përpjekur të gjejnë udhëheqës serb më pak nacionalist dhe më të pranueshëm për bisedime. Mirëpo, asnjëri prej tyre kur është fjala për Kosovën, për Bosnjë-Hercegovinën dhe çështje të tjera nuk ndryshojnë nga qëndrimi i pararendësve të tyre, të zhytur në krime të thella.
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumë"Po e shkel Kosovën me këmbë", Gerta, Laerti e G Bani në debat të ashpër me Gjestin pas përjashtimit të Jozit
Djali i presidentit Trump shpërndan postimin e Grenellit, në të cilin thotë Kurti po gënjen se është i afërt me SHBA-në
"Ku ke qenë në luftën e Kosovës, çfarë ke bërë në 99' për vendin budalla", G Bani i drejtohet me fjalë të ashpra Gjestit pas përjashtimit të Jozit
Gjesti tallet me Jozin pas daljes dhe i kushton këngë: Ai nuk është më me ne, na ka sharë e ofenduar - në fund Vëllai i Madh e ka përjashtuar
Leonora Jakupi eskalon ndaj Jozi Markut: O i pa fe, o fëlliqësirë - e nderove babain tënd që ka qenë pjesë e UÇK-së
"Tiroli i Jugut si model për Asociacionin" Mandl: Jo një Republika Sërpska, duhet të jetë një zgjidhje praktike, pa kërcënim
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!
Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Më të lexuarat
Krizë lëndimesh te Real Madridi: Ancelotti fton "Van Dijkun e ri" në skuadër
Donald Trump krijoi Fondin Sovran - cilat vende e kanë dhe pse është e rëndësishme?
Një tjetër shans për Gertën: 'Po' ose 'Jo' - publiku vendos nëse ajo duhet të vazhdojë rrugëtimin e saj në Big Brother VIP Albania
Zelensky ofron furnizim me minerale për SHBA-në në këmbim të mbështetjes ushtarake
Ledion Liço njofton se spektakli i së shtunës anulohet për shkak të zgjedhjeve në Kosovë: BBVA ka treguar se sa të bashkuar janë shqiptarët
Shala, Januzi dhe Bahtijari pranuan fajësinë e u dënuan, Haradinaj: Populli vendos – heronj apo dështakë?