LAJMI I FUNDIT:

Si e “zhvirgjëroi” Bispuri burrneshën shqiptare

Si e “zhvirgjëroi” Bispuri burrneshën shqiptare

E mbetur tanimë fillikat e vetme, në një shtëpi të ftohtë, papritmas Hana-Marku (Alba Rohrwacher) me një çantë në shpinë dhe e veshur, në pantallona e xhup xhins, vendos të largohet.

Boshllëku i përshkrimit të mendimeve apo ndjesive të Hanës, që e shtyjnë të largohet nga vendi i saj ndihet më së shumti në filmin “Burrneshat” me regji të Laura Bispurit.

Filmi u prezantua dje për herë të parë në Kinema Milenium në Tiranë. Në një sekuencë të shkurtër jepet Hana-Marku e përgjumur të lëvizë ndoshta në mënyrë të pavetëdijshme nën afshin e nevojave dhe dëshirave të saj.

Por vetëm kaq! Hana-Marku ditën punon duke mbajtur bagëtinë, pret dru, mban pushkë, bën me pak fjalë punët e burrit, si një burrneshë e denjë për ligjin e Kanunit.


Mirëpo kur Hana-Marku mbyll derën e shtëpisë cilat janë vallë ëndrrat e saj?

Vihet re ndjeshëm mungesa e zbërthimit të brendësisë shpirtërore së personazhit.

Hana-Marku shkon në Itali, ku jeton kushërira-motër e saj, Lila (Flonja Kodheli).

Përse u largua Hana-Marku nga Shqipëria?

“Justifikimi i jashtëm është, që ajo vendos ta shmangë dhe ta braktisë zgjedhjen e saj, për të takuar motrën në Itali, por edhe sepse e ëma para se të ndahej nga jeta u kërkon dy motrave që të lexojnë një letër. Pra këtu bëhet kërcimi i fortë i historisë, që dy motrat të vazhdojnë bashkë”, shpjegon regjisorja.

Lehtësia e rrugëtimit nuk ishte në paralelizëm me rrugëtimin e parë jashtë vendit të një femre që jeton në malet e Shqipërisë.

Mungojnë elementët, si habia e takimit me të renë, apo ndoshta edhe përhumbja në takimin me një realitet krejt të ndryshëm nga ai që Hana-Marku ishte mësuar. Hana-Marku shkon te motra-kushërirë.

Publiku përballet me një ftohtësi të pajustifikuar për 14 vite të gjata pa u parë, por edhe pa dëgjuar asnjë lajm.

Hana-Marku tregon për vdekjen e Katerinës (Ilire Çelaj), nënës së Lilës, e cila i ka rritur. Lilën, femrën malësore që jeton prej 14 vitesh në Itali, autorja ka menduar ta distancojë, jo vetëm fizikisht nga vendi i origjinës.

Ajo flet për vdekjen e nënës në mënyrë të përgjithshme, nuk bën asnjë pyetje rreth asaj që mund të ketë ndodhur gjatë mungesës së saj, dhe duket se traditat e ligjet e Kanunit ashtu si dhe kujtimet i ka shkrirë në harresë.

Ajo tanimë ka një vajzë adoleshente, e cila nuk e njeh jetën vajzërore që ka bërë Lila dhe as Hana-Markun, motrën kushërirë më të cilën u rrit. Bispuri nxjerr në pah kontrastin e jetesës së vajzës malësore, duke mishëruar këndshëm në rol aktoret me origjinë tropojane, Drenica dhe Dajana Selimaj, në përballje me jetën e vajzës së Lilës.

Nga njëra anë kemi dy vajza malësore Hanën dhe Lilën, të cilat nuk mund të dalin të pashoqëruara, nuk mund të zgjedhin njeriun e jetës, nuk mund të shkaktojnë mërzitje në shtëpinë e bashkëshortit, sepse në të kundërt ky i fundit mund t’i vrasë me plumbin e dhënë nga vetë babai i vajzës (Bruno Shllaku). Pastaj përballë dëshirave, ëndrrave të kufizuara nën hijen e Kanunit kemi një brez të ri, në një qytetërim tjetër, e cila mundet të ketë dhe të bëjë çdo gjë që dëshiron.

Nga ana tjetër kemi përballjen e jetës së një burrneshe, Markut, në kontrast të thellë me jetën e Lilës grua, vajzës së saj apo femrave që has në Itali, të cilat mund t’i gëzohen feminilitetit dhe dëshirave të tyre. Hana u betua dhe u bë Marku. I preu flokët, u vesh si burrë që shtëpia të kishte një djalë. Tanimë ajo shikon kushërirën e saj të martuar dhe me një vajzë.

Përballë kësaj panorame nuk shfaqet një burrneshë, e cila stërmundohet nga dëshira për të dashuruar, për të qenë grua apo qenë nënë, por mbizotëron nevoja dhe kurioziteti i përjetimit të marrëdhënies fizike. Kështu Hana-Marku në terrin e natës qëndron përballë shtratit martesor të Lilës dhe ‘e rrëmben’ atë për ta pyetur rreth seksit.

Më pas Hana-Marku do të shoqërojë shpesh vajzën e Lilës në kursin e kërcimit në ujë, në ambientet e një pishine, ku do të zhvillohen edhe ngjarje të rëndësishme. Hana-Marku, e cila struket nën petkun e veshjeve mashkullore, vihet përballë ‘mbesës’, femrave dhe meshkujve, që vishen me rroba banoje, qëndrojnë me njëri-tjetrin, dhe notojnë në ujë pa komplekse.

Përsëri mendimet dhe ndjesitë e Hana-Markut përballë kësaj tabloje janë të kursyera.

Gjithsesi kjo panoramë e mban aty për një kohë të gjatë. Mirëmbajtësi i pishinës i flet që të largohet, e tërheq lehtazi prej dore, duke kujtuar se është mashkull. Dhe burrnesha ‘rizgjohet’ duke i thënë me një shqipe invalide se nuk duhet ta prekte kurrë.
Por jeta në një qytetërim tjetër duket se e vrasin betimin e burrneshës, madje shkojnë më tutje duke vrarë edhe traditat e ligjin e Kanunit për vajzën malësore. Ndërsa Bispuri thotë këtë kapërcim ka zgjedhur ta trajtojë në mënyrë delikate ajo që filmi përcjellë duket krejt ndryshe.

Hana-Marku e shtyrë nga ndjesitë e trupit gjendet përballë mirëmbajtësit të pishinave dhe lejon veten të ketë kontaktin e parë me një mashkull. Krejt papritur burrnesha e përbetuar gjendet duke masturbuar një mashkull për të cilin nuk ka asnjë kureshtje e aq më pak ndonjë ndjenjë.

Një gjetje kjo e ekzagjeruar, për një vajzë malësore e rritur me moral të fortë, e aq më tepër për një burrneshë që heq dorë nga të qenurit femër me dëshirën e saj, që familja e cila e ka rritur të ketë në shtëpi një djalë.

Bispuri zgjedh ta drejtojë Hana-Markun drejt instinkteve të saj, duke e zhvirgjëruar me një të panjohur, në rrethana thuajse të rëndomta, qoftë edhe për një vajzë normale. Krejt papritur ajo zhduk pasiguritë e Hana-Markut, besnikërinë ndaj betimit të mbajtur për së paku 14 vjet, duke vrarë njëherazi, pa frikë e dhimbje si Markun dhe Hanën malësore.

Regjisorja Bispuri kur pyetet se pse Hana-Marku pyet për seksin, pa i dhënë mundësinë publikut që të njihet me ndjesitë e saj shpirtërore i përgjigjet: “Rrugëtimi i Markut në Itali nuk është kaq i thjeshtë. Ajo që thoni ju varet dhe ndoshta është ashtu. Nuk është aq e thjeshtë. Marku është në kërkim të vazhdueshëm të vetvetes dhe të qenies së tij. Është një personazh që në anën figurative, i thonë: nëse je burrë duhet të sillesh kështu, nëse je grua duhet të sillesh kështu. Është një personazh që ka humbur prindërit e tij dhe ka probleme, është shumë kompleks prandaj vendosë që të bëjë rrugëtim. Është një udhëtim që ka dhe frikëra, por unë nuk doja që t’i bënim bisht situatës”.

Edhe pas kësaj askush nuk i ka të qarta mendimet dhe ndjesitë e Hanës së re. Regjisorja nëpërmjet saj përcjellë se gjithkush mund të jetë i lirë. Mirëpo çfarë dëshiron tanimë Hana e re të bëjë me këtë liri?! Një kapërcim të tillë në jetën e Hana-Markut pa frikë, pa siguri apo pendesë vështirë ta imagjinosh apo t’ia bashkëngjitësh realitetit.

Në fund të filmit Hana shkon pranë kushërirës motër për të lexuar bashkë me të letrën e Katerinës së ndjerë, në të cilën shprehet dëshira e saj për t’i parë vajzat bashkë. Edhe kjo skenë përcjellë shumë pak emocion, qoftë nga ambient i zgjedhur apo ftohtësia e aktoreve. Në këtë skenë ndjehet një afërsi e vonuar ndërmjet motrave-kushërira. Lili këndon me Hanën e buzëqeshur për të përcjellë një fund të lumtur të një vazhdimësie sipërfaqësore. /Valeria Dedaj/shekulli/

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
KANGË

KANGË

Poezi
HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

HISTORIA E DY NJERËZVE QË PANË NJË ËNDËRR

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
DURIMI

DURIMI

Fjala+
Kalo në kategori