LAJMI I FUNDIT:

Shtohet numri i të sëmurëve nga kanceri

Shtohet numri i të sëmurëve nga kanceri

Edhe pse Kosova nuk posedon shënime statistikore për numrin e të sëmurëve nga kanceri, vlerësohet që ky numër të jetë shqetësues. Sipas zyrtarëve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës, është shtuar dukshëm numri i atyre që janë prekur nga kanceri. Mjekët thonë se faktorët kryesorë që çojnë deri te kjo sëmundje vdekjeprurëse janë, para së gjithash, ambienti i ndotur, konsumimi i ushqimit të pakontrolluar dhe duhani e alkooli.

Numri i personave të sëmurë nga kanceri, në vendin tonë, është në shtim e sipër, e për këtë, ndikojnë shumë faktorë. Para së gjithash, mungojnë shënimet statistikore për numrin dhe shkaqet se përse vjen deri te kjo sëmundje. Sipas dr. Besim Sllamnikut, Kryetar i Shoqatës së Onkologëve të Kosovës, “Kancer-regjistri” do të mundësonte njohuri të sakta për situatën e përgjithshme të të sëmurëve në vend.

“Duhet të funksionojë “kancer regjistri”, në mungesë të evidencës në nivel të Kosovës është shumë vështirë të japim përgjigje të saktë ose të përafërt se si është gjendja me sëmundje malinje në popullatën tone”, thotë Sllamniku.

Shoqata e Onkologëve të Kosovës, thotë se shkaktarë kryesorë i kancerit, është konsumimi i duhanit.


“Dominant te gjinia mashkullore, numër një është kanceri i prostatës, do të thotë ka qenë kanceri i mushkërive e ai ka ra në vendin e dytë tash. Kurse te femrat është kanceri i gjirit, në vendin e dytë, vjen kanceri i mushkërive, çka do të thotë se edhe femrat kanë filluar të përdorin duhanin në mënyrë të pakontrolluar”, thonë zyrtarë të kësaj shoqate.

Ligji kundër pirjes së duhanit, i aprovuar më herët në Parlamentin e Kosovës, ka mbetur vetëm në letër, thotë nënkryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Rita Hajzeraj-Beqa.

“Ne si Komision, vazhdimisht kemi dal për të parë implementimin e këtij projektligji. Mirëpo, ky projektligj, absolutisht, nuk po realizohet dhe nuk po zbatohet”, është shprehur Hajzeraj-Beqa.

Ndërkaq, zyrtarë të INKSH-së, thonë se, kohët e fundit, po punohet me intensitet të shtuar rreth hulumtimit të rasteve me kancer në vend.

“Janë shpërndarë fletëparaqitjet për sëmundjet malinjë, që të raportojnë në INKSH për sëmundjet malinje”, ka thënë Erlinda Hoxha, nga INKSH.

Përveç duhanit, shkaktarë tjerë, vlerësohet të jenë edhe ushqimi i pakontrolluar që hyn nga Serbia në vendin tonë, thotë dr. Sllamniku.

Selatin Kaçaniku, drejtues i Organizatës për të Drejtat e Konsumatorit, dyshon edhe në produktet që hyjnë në Kosovë nga Serbia.

“Edhe ne kemi dyshime se në Serbi funksionojnë linja të veçanta që prodhojnë për tregun e Kosovës. Ajo që ne e bëjmë si shoqëri që të vetëmbrohemi është të sjellim informata si dhe fakte që konsumatori jonë të jetë sa me i arsimuar për të qenë më i aftë për t’u mbrojtur”, thotë Kaçaniku.

Me gjithë insistimin tonë që të marrim përgjigjen nga zyrtarë të Inspektoratit Sanitar të Kosovës, ata nuk pranuan që të prononcohen për Radio Kosovën, rreth asaj se çfarë cilësia është ushqimi që vjen nga Serbia në tregun tonë. Por, këta zyrtarë, nuk pohojnë e as nuk mohojnë se në Kosovë ka ushqim të kontaminuar. Nga ana tjetër, sipas mjekëve, kancerin mund ta shkaktojë edhe ambienti i ndotur.

“Në botë punohet me filtra të caktuar special për këtë gjë, e të cilët mirëmbahen dhe mbrohen në mënyrë periodike, që fatkeqësisht, këtu te ne, nuk ka ndodhur prej viti 1990” Dr. Skender Bacaj, pulmolog.

Sylë Tahirsylaj nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, informon se në Kosovë po punohet në drejtim të matjes së ndotjes së ambientit.

“Në bazë të rezultateve që ne kemi, në momentin që ka tejkalime nga vlerat e kufizuara, rasti me i freskët është në Drenas ku “Ferronikeli” është dënuar me 5 mijë euro, për shkak se nuk e ka ulur shkallen e ndotjes”, shpjegon Tahirsylaj.

Sa i përket mbikëqyrjes së shkallës së ndotjes së ambientit, në përpilim e sipër është strategjia sipas standardeve të Bashkësisë Evropiane, shprehet Tahirsylaj. Sido që të jetë, sigurimi i shënimeve statistikore për personat e prekur nga sëmundja e kancerit në vend, do të mundësonte ndërmarrjen me kohë të masave preventive për parandalimin e kancerit në vendin tonë. /RTK/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Plaga e hapur në lukth: Të gjitha simptomat e të thatit dhe si t’i zbusim vështirësitë e pakëndshme!

Shëndetësi
Kalo në kategori