LAJMI I FUNDIT:

Shteti rrudh dorën për sportistët kosovarë

Shteti rrudh dorën për sportistët kosovarë

Tri projekt-rregulloret e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ajo për bursa të shpresave olimpike, për shpërblime të sukseseve të sportistëve dhe për mbështetje të përhershme financiare të sportistëve, kanë çuar shumë pluhur te sportistët dhe federatat sportive për shkak të vlerave të vogla që janë propozuar në to.

Por në fund, të tri këto projekt-rregullore kur të kthehen në rregullore mund të prekin direkt jo më shumë se 20 sportistë e ish-sportistë së bashku, kurse buxhetit të MKRS-së t’i kushtojnë muaj për muaj jo më shumë se nja dy rroga mujore të cilitdo ministër të Qeverisë së Kosovës.

Në të vërtetë, pas shumë vërejtjeve në këto projekt-rregullore, vlerat në to pritet të rriten para se të kthehen në rregullore me një firmë të ministrit Memli Krasniqi, por edhe po të dyfishohen ato, prapë pritet te bëhet fjalë për rreth 20 sportistë dhe 4.000 apo 5.000 euro në muaj.

“Jemi pak sportistë dhe nuk e prekim fare buxhetin e shtetit. Pastaj nuk besoj se shumë sportistë mund të arrijnë rezultate kulminante. Është vështirë të fitosh medalje në lojërat olimpike, evropiane e botërore. Duhet që shpërblimet të jenë më të arsyeshme në mënyrë që sportisti në pension të shijojë jetën ashtu siç i ka hije një sportisti kulminant”, ka thënë për Koha Ditore sekretari i përgjithshëm i Federatës së Boksit të Kosovës, Mehmet Bogujevci. /Telegrafi/