LAJMI I FUNDIT:

Shteti laik dhe e drejta e manifestimit të besimit

Shteti laik dhe e drejta e manifestimit të besimit

Java e kaluar ngjalli përsëri në shoqërinë tonë debatin e mbuluar për një kohë mbi të drejtën e manifestimit të besimit nga individi në organet shtetërore, apo organet edukativo-arsimore publike. Si çdo herë ky debat, ashtu si e është bërë zakon në klasën tonë politike u shoqërua me postime të ndryshme në rrjetet sociale, duke u munduar secili të shpreh sa më shkurt bindjet e tij. Secili shfrytëzoi të drejtën e tij të shprehjes së lirë të mendimit, që zakonisht keqinterpretohet si e drejta e mendimit, ngjashëm si e drejta e manifestimit të bindjeve (besimit) që shpesh e hasim sikur e drejta e besimit apo e drejta për të besuar. Këto dy të drejta themelore i gjejmë si kategori kushtetuese, të renditura thuajse njëra pas tjetrës në Kushtetutën e Republikës.

Nuk do të dëshiroja të tingëllonte gabim ky opinion imi, mirëpo e drejta e shprehjes së lirë të mendimit në debatin e lartpërmendur, në një formë ose tjetrën është duke u keqpërdorur në vazhdimësi, për arsye se ashtu si jemi mësuar deri më tani, njerëzit e shkencës në Kosovë vazhdimisht qëndrojnë larg shoqërisë me aktivitetin e tyre shkencor, të izoluar në rrethet e tyre, thuajse nuk janë pjesë e shoqërisë ku jetojnë (diskutime të natyrës së tillë të cilat kërkojnë një qasje objektive nga personat kompetent nuk i kemi pasur asnjëherë). Jo që unë tani dua të marrë përsipër këtë barrë, mirëpo dua të thërras që temat e një rëndësie të madhe të mos jenë diskutime kafenesh, rrjeteve sociale, pjesë e fushatave politike apo promovim personal para miqve ndërkombëtarë si po ndodhë tani.

Në një interpretim gjuhësor, fare thjeshtë e drejta për të manifestuar besimin e caktuar konform Nenit 38, garantohet edhe me Kushtetutën tonë. Si e tillë ajo është e drejtë e patjetërsueshme. Gabimi që e përmendëm më lartë e që të shumtë e bëjnë duke e quajtur e drejta e besimit, do të ngërthente në vete të drejtën për të besuar (apo mos besuar) të drejtë të cilën realisht askush nuk mund ta pengojë, ashtu si të drejtën për të menduar sepse ajo zhvillohet brenda individit dhe është larg aftësive të njeriut për të ndërhyrë në mendjen apo shpirtin e tjetrit.


Këtë temë më tepër e hasim të kundërshtohet me konceptim e shtetit laik në Kosovë, e si çdoherë janë laikët (ata që nuk e kanë profesion) e jurisprudencës që marrin guximin të interpretojnë akte juridike, duke harruar apo ndoshta edhe asnjëherë nuk kanë dëgjuar se “gjuha e ligjit shkruhet dhe lexohet njëjtë, por kuptohet ndryshe”. Duke mos dashur më tepër të argumentoj mbi gjuhën juridike, mjafton t’i referohemi librave të tërë të shkruar për frymën e ligjit, për gjuhën e ligjit apo për interpretimin e Ligjit.

Në rastin tonë, interpretimi më i mirë që do t’i përshtatej zbërthimit të kuptimit të shtetit laik, do të ishte aspekti historik, duke u munduar të kërkojmë ata faktorë shoqërorë-politikë të cilët kanë determinuar një përcaktim të tillë kushtetues. Shpesh kam dëgjuar që tentohet të tërhiqen paralele përmes laicizmit francez apo turk, të dy këto shtete të ndërtuara nga elitat e reja politike në periudha pas revolucionare. Dihet se shoqëria franceze nuk mund të pranonte më dominimin e Kishës në jetën e saj, për shkak të bekimit që u ishte bërë mbretërve në kohën e monarkisë absolute, ndërsa elita turke e cila kishte lidhje të forta me kishën ortodokse greke kishte dashur të shkëpuste çdo lidhje të saj me Perandorinë Osmane duke ndërtuar identitetin e ri të shtetit të parë turk.

Në rastin e Kosovës, ky nen besoj se ka ardhur si rrjedhojë e diversiteteve dhe dëshirës së madhe të klasës politike për të garantuar tolerancën e madhe fetare, e cila ndër shekuj mbretëron në shoqërinë tonë dhe e cila vërtetë është vlera jonë më e madhe. Kësisoj shteti ynë ka garantuar një rend juridik laik, përmes të cilit garanton se e drejta e aplikueshme në vendin tonë nuk ka bazë në burimet e së drejtës së ndonjë religjioni të caktuar, por në të njëjtën kohë respekton të drejtën e manifestimit të besimit ndaj individit.

Mirëpo, ky parim kushtetues nuk është kompletuar sa duhet, sepse Kushtetuta e Republikës së Kosovës do të duhej të rregullonte edhe raportin e institucioneve fetare në Kosovë, sepse vetëm në këtë mënyrë do të krijohej balanca e kërkuar në raportin e shtetit me to dhe do të shuhej çdo debat i panevojshëm. Por, në të nj[jtën kohë do të parandalohej edhe paraqitja e situatave të tilla në shoqëri.