Shqiptarët e Maqedonisë të përkatësisë islame, rikthimin në gjirin kombëtar të vëllezërve të tyre ortodoksë duhet ta marrim si kthim të vëllezërve të gjakut, të cilët për një kohë kishin braktisur familjen kombëtare, ka thënë për Telegrafin publicisti Kim Mehmeti, i cili është me prejardhje nga rajoni i Rekës së Epërme, ku vlerësohet se jetojnë afër 300 mijë banorë ortodoksë me prejardhje shqiptare. Mehmeti ka thënë se rikthimi i disa shqiptarëve ortodoksë në gjirin kombëtar nuk duhet të vulgarizohet duke i pritur ata me daulle e dekorata, por se këtë duhet lënë në rrafshin e vetëdijes individuale.
Telegrafi: Në Kosovë është aktualizuar së fundi çështja e atyre banorëve ortodoksë maqedonas me prejardhje shqiptare, që po e deklarojnë përkatësinë e tyre etnike. Kryekuvendari i Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka pritur në një takim Branko Manojlovskin, ndërsa presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dekoruar akademikun Mateja Matevski. Si i vlerësoni këto hapa?
Kim Mehmeti: Shqiptarët ortodoksë janë degë të trungut tonë kombëtar, degë nga të cilat kanë origjinë edhe të parët e mi që kanë pranuar fenë myslimane. Andaj atë degë kombëtare shpesh e kam trajtuar në shkrimet dhe veprat e mia letrare. Fati i tyre është i ngjashëm me atë të shumë shqiptarëve tjerë me përkatësi fetare myslimane e katolike, të cilët gjatë periudhës së socializmit, mbrojtjen e religjionit e vunë përpara mbrojtjes së gjuhës dhe përkatësisë etnike.
Por, për dallim nga dhjetëra mijë shqiptarë katolikë që u shpërngulën në Kroaci, dhe qindra mijë të fesë myslimane që u davaritën në Turqi, gjatë periudhës së socializmit, në vitet kur në këto hapësira ishte shumë e rrezikshme të jesh shqiptar, pjesa dërmuese e shqiptarëve ortodoksë nga këto treva, mbetën në Maqedoni, por duke e mbuluar përkatësinë e tyre etnike shqiptare me atë maqedonase, e duke e shkëputur lidhjen e tyre me vëllezërit e vet katolikë e myslimanë.
Më gëzon kur dëgjoj se disa nga ata i përgjigjen thirrjes së qumështit të nënës, sot u kthehen rrënjëve. Kjo më gëzon jo shkaku se do e shtojnë numrin e popullit tim, por se shkaku i tyre do mund të jetojnë në paqe me vetveten.
Më në fund, vetëdija për përkatësinë kombëtare është çështje individuale dhe shikuar nga ky këndvështrim, kthimin e tyre në gjirin kombëtar e shoh vetëm si të drejtë individuale. Andaj, nuk jam i prirë që këtë proces të mundshëm ta ngre në shkallën e ndonjë heroizmi me përmasa mbarëkombëtare. Njësoj siç nuk e kam trajtuar si tradhti edhe atë që ka ndodhur dikur dhe që është duke ndodhur edhe sot: që shqiptari ta mohojë përkatësinë e tij etnike! Dhe, nuk dua që këtë rikthim të disa shqiptarëve ortodoksë në gjirin kombëtar ta vulgarizojmë, duke i pritur ata me daulle e dekorata. Pra, dua që këtë dukuri ta lëmë aty ku e ka vendin: në rrafshin e vetëdijes individuale.
E them këtë ngaqë kam parasysh faktin se ne çdo gjë e politizojmë, jemi të prirë çdo gjë ta shohim si mundësi për të mbuluar shumëçka tjetër që na ndodh në kohët e sotme (edhe sot, shkaku i mbijetesës, për të marrë një pasaportë apo leje pune, ka shqiptarë që heqin dorë nga përkatësia e tyre etnike dhe ka të reja shqiptare të cilat, shkaku i varfërisë, martohen me maqedonas e serbë).
Kur jemi te Mateja Mateski, ai meriton shumë dekorata si poet maqedonas, por kur bëhet fjalë për kthimin e tij në gjirin e kombit që i takon, mua për shembull, më mbetet dilema se kush më parë i meriton dekoratat e presidentëve të “Shqipërive” tona: Akademik Ali Aliu, i cili kurrë nuk e ka fshehur se është shqiptar, apo cilido tjetër i shkolluar e i vetëdijshëm, që lë përshtypje se çështjen kombëtare e trajton si diçka sezonale. Do ta përsëris që të jem edhe më i qartë: le të mos e ngremë në heroizëm përkatësinë etnike, ngaqë ajo është çështje fati dhe nuk bënë pjesë në vlerat profesionale e individuale.
Pastaj, le të mos i vulgarizojmë gjërat edhe para vëllezërve tanë me përkatësi fetare ortodokse që u kthehen rrënjëve, duke i ndarë ata në të "vlefshmit" që do t’i mirëpresim me dekorata, që do t’i mirëpresin kryetarët e Kuvendit, dhe në “të tjerët”.
Çdo shqiptar ortodoks, sa i përket kthimit të tij në gjirin kombëtar, për mua është njësoj i vlefshëm dhe i afërt. Aq më shumë, jam i prirë ta çmoj më lartë ndonjë shqiptar hallexhi që ka heq dora nga përkatësia etnike për të mbijetuar, dhe që i rikthehet gjirit kombëtar, sesa një njeri të famshëm e të vetëdijshëm, të cilit i janë dashur disa dekada që ta kuptojë se është shqiptar, apo që ta shmangë frikën e të deklarojë lirshëm përkatësinë e tij etnike.
Telegrafi: Përflitet se në Maqedoni mund të ketë 300 mijë banorë ortodoks me prejardhje shqiptare. Si mund të ngjallej thirrja ndaj këtij komuniteti për t’u rikthyer në rrënjët e tyre dhe për ta deklaruar përkatësinë shqiptare?
Kim Mehmeti: Nuk jam i prirë që njerëzit t’i shoh si numra, ngaqë çdonjëri për mua është një botë në vetvete. Edhe sikur të ishin vetëm dhjetë veta, për mua janë shumë, janë dhjetë fate. Pastaj, nuk dua ta bëjë atë që në vitet e socializmit, në këto hapësira, e bënin “rilindësit” e vonuar maqedonas të tipit të “limanovskave”, e që dikur unë publikisht i tallja: që shkonin fshat në fshat, për t’i numëruar e vetëdijesuar “maqedonasit myslimanë”, vetëm për ta shtuar numrin e popullit të tyre.
Le t’i lëmë këta vëllezër tanë ta dëgjojnë të qetë zërin në vetvete, e le të vendosin ashtu siç u thotë vetëdija. Ata e dinë se cilët janë më mirë se kushdo nga ne. Unë e di se janë shumë, ngaqë siç thash, edhe vetë kam origjinën nga Reka e Epërme. E di se shumë kushërinj të mi të largët, të parët e të cilëve nuk ndërruan fenë si të parët e mi, u shkrinë në detin e madh të sllavëve të jugut.
Kjo ishte zgjedhja e tyre, njësoj siç u takon atyre të zgjedhin se a do t’i rikthehen gjirit kombëtar apo jo. Unë ata gjithmonë i kam ndje si të afërt, dhe e thash, i kam trajtuar nëpër shkrime e në veprat letrare, por duke iu përmbajtur parimit se vetëdija kombëtare nuk është diçka që mësohet nëpër tribuna e mitingje politike, por ajo thithet së bashku me qumështin e nënës. Ne shqiptarët e Maqedonisë, si edhe gjithë të tjerët, rikthimin e tyre duhet ta marrim si kthim të vëllezërve të gjakut, që për një kohë kishin braktisur familjen kombëtare.
Në një shkrim timin të para ca viteve kam shkruar se ne shqiptarët e Maqedonisë – edhe pse në shumicë jemi myslimanë – duhet të kërkojmë nga Kisha Ortodokse Maqedonase të na i kthejë kishat e manastiret shqiptare dhe kam shtuar se nëse nuk do mund t’i përdorim për vete, atëherë do mund t’ua japim me qira maqedonasve, por le të dihet se cili është pronar i tyre, ngaqë ato i kanë ndërtuar të parët tanë.
Telegrafi: Qeveria aktuale e Gruevskit është e njohur për politikat nacionaliste të maqedonizimit të shtetit. Cila do të duhej të ishte agjenda e shqiptarëve për t’iu kundërvënë kësaj politike?
Kim Mehmeti: Gabimi më i madh që mund ta bëjë një kolektivitet etnik është që shpirtngushtësisë së huaj nacionaliste, t’i përgjigjet me urrejtje. Por, gabim edhe më i madh është të mos ndërtosh mekanizma mbrojtës nga cilido nacionalizëm përjashtues, siç është ky i regjimit aktual të Gruevskit. Problemi i sotëm i shqiptarëve të Maqedonisë nuk është nacionalizmi institucional që promovon Gruevski, por injoranca politike e përfaqësuesve shqiptarë në qeverinë e tij, injoranca e atyre që nuk e shohin se u bënë mbulesë e këtij nacionalizmi institucional.
Thjesht, politikanët e këtushëm shqiptarë nuk kanë koncept për këtë shtet, por vrapojnë pas koncepteve të Gruevskit. Duke mos pasur koncept për një Maqedoni edhe të shqiptarëve, ata sot janë në pozitën e vasalit dhe nuk ia dalin ta shohin se Maqedonia nuk mund të ketë as parlament as qeveri legjitime pa shqiptarët. Duke mos e parë këtë, ata e ç’vlerësuan potencialin politik të shqiptarëve të këtushëm. Duke mos qenë të vetëdijshëm se Gruevski blen kohë, duke e harxhuar të ardhmen e shqiptarëve të këtushëm, partitë shqiptare nuk ia dolën të bënin të mundshmen: ta formonin parlamentin e shqiptarëve të Maqedonisë e pastaj të niste çdo gjë nga e para, që pastaj njëherë e përgjithmonë të definohej se nëse njëra nga shtyllat bartëse të këtij shteti janë shqiptarët, atëherë është e palogjikshme, për shembull, që pasaporta ime të jetë dygjuhësore, e ajo e bashkështetasit tim maqedonas vetëm në gjuhën maqedonase.
Pra, ne kemi përfaqësues politik të cilët nuk e dinë as më elementaren: çdo të thotë dygjuhësi, çdo të thotë bashkëdrejtimi i shtetit! Duke mos e ditur këtë, ata mendojnë se dygjuhësi është që unë pa përkthyes ta kuptojë gjykatësin që më drejtohet maqedonisht, e atij t’i përkthehet gjuha ime amtare. Pra, përfaqësuesit tanë në qeverinë aktuale, lënë përshtypje se shtetin e popujve të barabartë e kanë kuptuar ashtu që Gruevski mund të ndërtojë përmendore edhe të botojë enciklopedi fyese për shqiptarët edhe me parat e taksapaguesve shqiptarë, e ne të ndërtojmë përmendore e të botojmë monografi për Shkupin me paratë tona. Ky nuk është shtet i të barabartëve, por vend ku të qeverisë sunduesi – Gruevski, e të kontrollon vasali i tij – partia shqiptare në qeveri! /A. Fazliu/Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëZbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
"Mund të shkojë deri në 1 milion dollarë?": Ekspertët tregojnë se çfarë mund të ndodhë, nëse SHBA nën Trump krijon një 'rezervë kombëtare me bitcoin'
Këshilltari i Trump për sigurinë kombëtare tregon se si e sheh ai “fundin e luftës në Ukrainë”
Ruben Amorim kritikon haptas yllin e Man United pas barazimit ndaj Ipswich Town
Ngjarja me Drilonin dhe Edin - Sarës i përkeqësohet gjendja në Big Brother VIP Kosova?
Pochettino e injoroi dhe bëri sikur nuk e njeh, ish-ylli i Chelseat ka një përgjigje për argjentinasin
Real Madridi në mesin e klubeve të interesuara për transferimin e mbrojtësit nga Serie A