LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët midis fesë dhe politikës

Shqiptarët midis fesë dhe politikës

A po humb respekti i ndërsjellë midis komuniteteve fetare e bashkë me të edhe toleranca midis komuniteteve në Kosovë? A po bëhen gara për ngritjen e kulteve fetare si garat për blerjen e automobilave luksozë? A jemi duke e konsideruar fenë si besim dhe ndjenjë shpirtërore, që fundja është pjesë e qenies njerëzore, apo si revansh midis komuniteteve fetare?

Revanshi është ndjenja më e egër njerëzore, madje kur ai struket qoftë edhe vetëm te një person, mund të nxitë krime të rënda. I disejnuar midis një kombi me disa besime dhe aq më keq kur ai nxitë një besim kundër besimit tjetër, atëherë revanshi mund të merr përmasa katastrofike.

Mbas suprimimit të autonomisë së Kosovës në vitin 1989 dhe instalimit të terrorit serb në Kosovë, jo rrallë në kancelaritë evropiane është thënë: “Kujdes me Kosovën”! Së pari kjo nuk vinte si rezultat pse Evropa nuk i donte shqiptarët, por ishte rezultat i propagandës qindvjeçare serbe ndaj Kosovës. Diplomacia serbe brenda grushtave të saj i fshihte zaret e besimeve të shqiptarëve, në veçanti atë të besimit islam, që ta hidhte mbi tavolinën e bisedimeve kur asaj i duhej që ta fillonte lojën. Së dyti, kjo ndodhte edhe për faktin e ngritjes së dhjetëra kulteve fetare në Kosovë, pra në kohën kur nga terrori serb për shqiptarët ishte e ndaluar gjithçka përveç ajrit.


Shqiptarët e Kosovës kishin fatin e tyre të madh, pasi liderët e tyre ishin intelektualë dhe besimet fetare i promovonin jo vetëm si besime, por edhe si kultura fundamentale të një kombi. Loja e diplomacisë serbe me zarin e besimit islam të fshehur në grushta nuk ka përfunduar dhe në këtë pikë ende duhet patur kujdes.

* * *

Midis Hasan Tahsinit dhe At Gjergj Fishtës, secili shqiptar do të ndjehej krenar, por mjegullnajat e dy dekadave të fundit i ka prodhuar epoka e kampit komunist, në të cilin shqiptarët jetuan për gjysmë shekulli dhe në dy modele komuniste. Meshtari françeskan dhe intelektuali i shquar At Ambroz Martini, i persekutuar gjatë regjimit të diktatorit Hoxha, thoshte: “Çdo shqiptar që ka lindur gjatë regjimit komunist mbetet komunist”! Derisa në vitet gjashtëdhjeta diktatori shqiptar ndaloi fenë me ligj dhe shpalli shtetin shqiptar ateist në sy të botës, në anën tjetër të kufirit ku jetonin gjysma tjetër e shqiptarëve, “liberali” Tito nuk i ndaloi besimet fetare, përkundrazi i keqpërdori ato për qëllime politike kur e sa herë dëshiroi.

Shqiptarët që i takojnë fesë islame, kanë hise më shumë në ruajtjen e tolerancës fetare pasi janë shumicë në raport me besimet tjera, por edhe shqiptarët e besimeve të tjera janë të obliguar që ta kultivojnë këtë frymë, ashtu siç ka ndodhur gjatë gjithë ekzistencës sonë kombëtare.

Viteve të fundit, jo rrallë në rrjetet sociale kemi parë tek ngriten “fortifikata”, por edhe tek bëhet njëfar gare e mbështjellë me velin e propagandës fetare se kush është më besimtar se tjetri. Në fillim ndodhi kryesisht midis komunitetit të besimit të njëjtë, por më vonë u hodhën edhe katapulte në “fortifikata” të besimeve të tjera, të cilat mund ta dëmtojnë rëndë tolerancën fetare. Këto po ndodhin edhe nga pasojat e debateve të pamatura që kanë ndodhur viteve të fundit në mjetet e informimit publik dhe për pasojë të tyre, çdo debat për fenë sikur është shndërruar në temë tabu.

Predikimi i fesë, veçanërisht në mediat elektronike, çdo ditë dhe me orë të tëra, në hapësirat shqiptare po shihet me njëfar habie të mbështjellë me frikë, ndërsa nga faktori ndërkombëtar po shihet si tendencë për acarim të raporteve ndërmjet komuniteteve fetare, por edhe si cenim i sigurisë kombëtare, të cilat për botën shqiptare mund të sjellin pasoja të pariparueshme.

* * *

Po ashtu, në dekadën e fundit qetë dhe “pahetueshëm” feja është ulur këmbëkryq në selitë e partive politike shqiptare. Impenjimi i fesë në politikë, fillimisht e dëmton Kushtetutën, por më vonë mund të sjell edhe pasoja të rendit kushtetues. Kjo tendencë në rritje, jo vetëm që do ta dëmtonte imazhin e vendit në sy të botës, por do t’i dëmtonte rëndë edhe raportet ndërnjerëzore të shqiptarëve brenda dy shteteve. Askush më mirë se popujt e Ballkanit nuk e dinë se ç’përmasa katastrofike shkaktoi vendimmarrja dhe dominimi i Kishës serbe gjatë gjithë historisë së shtetit serb. Vendimmarrja e ndjeshme e Kishës serbe në politikë, shkaktoi disa herë përgjakjen e popujve të Ballkanit, veçanërisht te kombet që jetuan në ish-Jugosllavi, por edhe jashtë kufijve të saj.
Për sa i përket ndikimit të fesë në politikë, rol vendimtar në këtë çështje luajnë institucionet fetare, më saktë Bashkësia Islame e Kosovës dhe Ipeshkvia e Kosovës. Në zgjedhjet e fundit lokale, jo rrallë patëm rastin të shohim përfaqësues të klerit mysliman, që hapur dolën në mbështetje të kandidatëve për kryetarë komunash në Kosovë. Për këtë “avancim” të ri, kleri mysliman i shtoi vetes edhe një detyrë “fisnike”, që të bëj edhe promovimin e kandidatëve për kryetarë të komunave dhe për më keq, cili kandidat sipas tyre mund të ketë ndihmën e Zotit e cili jo! Për këto shkelje të vijave të kuqe, nuk mund ta bëjnë veshin e shurdhër as Bashkësia Islame e Kosovës, as partitë politike në Kosovë.

Kështu, shtrohen pyetjet: Çka nëse në një të ardhme dhe në moment të duhur, Serbia do ta inskenonte një valë incidentesh të kësaj natyre në Kosovë, derisa askush nuk mund të mohoj se prania e shërbimeve të saj inteligjente është e pranishme në Kosovë? Sa janë të konsoliduara mekanizmat e sigurisë dhe të inteligjencës kosovare për t’i izoluar incidentet e këtilla, në shtetin që sivjet mbushi vetëm pesë vjet të themelimit të tij?

Përgjegjësia për këtë për aq sa do të binte mbi institucionet dhe partitë politike, po aq do të rëndonte edhe mbi Bashkësinë Islame të Kosovës.

Para pak muajsh një “predikues” i ri, që ishte i ri edhe në njohuritë e fesë islame, provonte me çdo kusht të më jepte “leksione të reja” për fenë, për të cilat sipas tij, mund të mos i kisha dëgjuar ndonjëherë! Ishte e pamundur t’ia shpjegoja se çështja e fesë nuk është risi për mua dhe familjen, aq më shumë kur stërgjyshi im në vitin e largët 1937 kishte ndërruar jetë pikërisht në qytetin e shenjtë në Mekë gjatë procesioneve fetare. Leksionet për shkencën dhe jetën ndryshojnë, ashtu siç njeriu dhe shkenca kanë evoluar gjatë shekujve, por besimi në Zotin dhe librat e shenjtë mbeten po ato. Vetëm me kultin e tolerancës, shqiptarët do të shkëlqenin midis Mekës dhe Romës, ashtu si xhevahiret, të cilët për aq sa bëhen më të moçëm, po aq u rritet vlera dhe shkëlqimi.