LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët dhe forca shkatërrimtare ndaj objekteve të trashëgimisë!

Shqiptarët dhe forca shkatërrimtare ndaj objekteve të trashëgimisë!

Nga: Machiel Kiel (pasthënia e librit Arkitektura Osmane në Shqipëri: 1385-1912)

Fillimisht, më se 40 vite më parë, planifikoja të kryeja një punim madhor për trashëgiminë osmane ne Ballkan. Shumë shpejt u bë e qartë se një punim mbi Hungarinë nuk përbënte prioritet parësor, sepse sasia e vogël e monumenteve që mbijetonin në këtë vend ishin studiuar tashmë. E njëjta gjë vlente po ashtu edhe për Jugosllavinë, vend në të cilin veprat e rëndësishme të arkitekturës osmane ishin studiuar mirë e botuar që prej vitit 1925. Kështu, vendosa të shkruaj një trilogji me vëllime për Shqipërinë, Bullgarinë dhe Greqinë. I shkrova të tria pjesët e trilogjisë, por vijoja vazhdimisht t’i përmirësoja tekstet dhe përfundimisht c kuptova që do të më duhej t’i rishkruaja duke ua shtuar të dhënat e vyera që gjendeshin në Arkivat Osmane në Stamboll, dhe në një masë më të vogël në Ankara dhe në Sofje. Pas vitit 1983, m’u mundësua të zhvilloja hulumtimet disamujore në arkivat e Turqisë dhe kështu, më 1990, munda ta përfundoj vëllimin mbi Shqipërinë duke shtuar shumë materiale burimore osmane.

Baza e studimit tim mbi Shqipërinë osmane ishin tri vizitat e mia në vend si turist. Nuk m’u dha asnjë leje nga autoritetet shqiptare për të kryer hulumtime në vend. Në këto kushte, përfundimi i një shqyrtimi të plotë i monumenteve osmane ishte bërë krejt i pamundur dhe, për pasojë, shumë syresh i shpëtuan vëmendjes sime. Kjo është veçanërisht e vlefshme për urat e vjetra dhe teqetë monumentale të dervishëve bektashinj që gjendeshin në fshatra dhe jashtë qendrave urbane, udhëtimi drejt të cilave ishte rreptësisht i ndaluar. Në qytetet që përmbante programi ynë turistik, përgjatë gjithë të cilit shoqëroheshim, na lejohej të fotografonim ndërtesa të ndryshme historike. Bëra edhe skica planimetrish. Dy apo tri vajza vërtet të pashme të grupit tonë, i mbanin shoqëruesit të zënë, ndërsa unë, së bashku me një koleg me të cilin me të cilin kisha punuar për vite të tëra në Shërbimin Kombëtar të Monumenteve Historike në Holandë, nxitonim të kryenim disa matje themelore të ndërtesave që vizitonim.

Gjatë vizitës së dytë, më 1978, pjesë e grupit tonë ishte baronesha Van Heemstra, trashëgimtare një familjeje të vjetër fisnikësh holandezë. Asaj i pëlqeu mjaft mënyra ime e drejtimit të vizitës dhe “metoda” jonë e matjes së ndërtesave të vjetra. Në fund të udhëtimit, ajo më mundësoi njohjen me vëllain e saj, baronin Van Heemstra, i cili ishte ambasadori i Madhërisë së Saj në Beograd, i akredituar gjithashtu edhe në Shqipëri. Baronit Van Heemstra ia dhashë kopjet e skicave të mia planimetrike dhe në një prej vizitave të tij zyrtare në Shqipëri, ai i bëri një vizitë Institutit të Monumenteve të Kulturës në Tiranë dhe u kërkoi studiuesve të atjeshëm t’i kontrollonin ato dhe, nëse ishte e nevojshme, t’i korrigjonin. Përfundimisht, të gjitha korrigjimet u kryen më së miri

Gjatë udhëtimit tim të fundit, më 1983, u takova me disa anëtarë të Institutit të Monumenteve të Kulturës, Emin Rizën, Aleksandër Meksin, Gjerak Karaiskajn, Sulejman Dashin etj. Me këtë rast, ata më dhuruan disa fotografi të vjetra të monumenteve osmane dhe të dhëna të tjera të vyera dhe nisën të më dërgonin çdo numër të revistës Monumentet – deri në vitin 1991. Gjatë këtij viti u botua edhe numri i fundit i periodikut më se të shkëlqyer, Monumentet, i cili më pas reshti së botuari.

Prej Revolucionit Kulturor të vitit 1967, ruaj në kujtesë minaret e gjata që shtriheshin në një prej rrugëve kryesore të Shkodrës, duke e bllokuar tërësisht trafikun. Në vende të tjera vumë re letra të vogla udhëzimesh, të cilat u mësonin njerëzve si të shkulnin minaret. Nuk na lejuan t’i fotografonim këto copa letrash tejet udhëzuese. Më 1967, vizitova xhaminë e Peqinit, ende në gjithë lavdinë e saj. Më 1978 vetë xhamia ishte shkatërruar, por hajati i dyfishtë i pikturuar aq bukur (tipik shqiptar) ishte shndërruar në kafene. Më 1983 ishte zhdukur gjithçka, duke dëshmuar kështu se forca shkatërrimtare ishte më e forte se ajo ruajtëse. Në punimet e mia për arkitekturën osmane në Shqipëri, shkatërrimin e komplekseve te xhamive të Kavajës dhe Peqinit e kam quajtur “sakrificë barbare azteke” gjatë së cilës prifti shkul nga trupi i gjallë zemrën që rreh.

Në vigjiljen e erës së re i shkrova një letër zyrtare autoriteteve shqiptare, përmes së cilës i këshilloja të merrnin parasysh mundësinë e rindërtimit të disa prej ndërtesave më të rëndësishme, tashmë të shkatërruara, dhe t’i rimëkëmbnin ato me besnikëri sipas planimetrive, vizatimeve, skicave dhe fotografive që ruhen në arkivat e tyre. Këtë janë duke e bërë sot njerëzit në Bosnjë, në vendet si Foça mbi Drinën, në Banja-Llukë me Ferhadijen madhështore. Në Mostar kanë rindërtuar ndërtesa të shkatërruara më 1948, në kuadrin e politikave anti-fetare të fillimeve të regjimit të Titos, asokohe në linjë të drejtpërdrejtë me Moskën. Këto ndërtesa ishin shtuar për më se gjysmë shekulli, ndërsa tashmë, që prej vitit 2000, kurorëzojnë kodrën që mbizotëron Urën e Vjetër (Xhamia c Nazirit), dhe gjallërojnë hyrjen e njërës prej rrugëve kryesore të qytetit të vjetër (Xhamia Tere Jahjës). Nuk mora kurrë përgjigje mbi letrën time dërguar Tiranës.

Monumentet osmane në Shqipëri janë të përmasave relativisht të vogla dhe arsyet e kësaj dukurie e kanë të thjeshtë shpjegimin. Në Shqipëri nuk është ndërtuar kurrë ndonjë Taxh Mahall apo Alhambra, sepse vendit i mungonte një kryeqytet i madh islam. Në shekullin XVI, ndërsa arkitektura osmane njihte zenitin e vet, bashkësitë islame ishin ende fare të pakta, mungonte kështu nevoja për ndërtesa të mëdha. Vështirësia më e madhe në Shqipëri është se kanë mbijetuar vetëm fare pak monumente – 97 përqind janë shkatërruar. Ndërtesa si ajo e Xhamisë së Mirahorit në Korçë, Xhamia e Sulltan Sulejmanit në Vlorë, apo Xhamia e Plumbit në Berat janë relativisht të vogla, por u përkasin shembujve më të shkëlqyer të arkitekturës klasike osmane, për nga raportet, elementet ornamentale dhe masoneria e mrekullueshme.

Vetëm pak kilometra jashtë kufirit të sotëm krejtësisht artificial, në qytetin e Prizrenit qëndron një prej xhamive më të mrekullueshme dhe më hijerënda në të gjithë Ballkanin, ndërtuar më 1615: Xhamia e vezirit Sofu Sinan Pasha, një shqiptar i lindur në qarkun e afërt të Lumës. Gjatë kësaj kohe, Prizreni ishte një qendër e madhe, e banuar nga një shumicë dërrmuese myslimane dhe e pajisur me disa xhami të mëdha. Më 1573, sanxhakbeu i Shkodrës, Gazi Mehmed Beu, ndërtoi një xhami të madhe me kupolë, një medrese të madhe, një bibliotekë, një shkollë fillore (mektep), një tyrbe modeste për veten e tij dhe një hamam të madh të dyfishtë. Shumica e këtyre ndërtesave ruhen ende. Kur soditet nga brenda, kupola e ndërtesës krijon një ndjesi sikur dikush të tërheq drejt sferash të larta; duket sikur “bie lart”, aq të bukura i ka raportet hapësira e saj e brendshme.

Shtoj se kompleksi i ndërtesave përreth Xhamisë së Plumbit në Berat ka qenë dikur qendra e një kompleksi lë madh shoqëror, fetar dhe arsimor (kulliye), i cili përbëhej nga një xhami, medrese, hamam, një imaret në të cilin ushqeheshin falas udhëtarët dhe të varfrit, një shkollë fillore dhe një rrugë e gjatë me dyqane e cila e lidhte kompleksin me qytetin e vjetër mbi kodër. Në mesin e shekullit XVI, ky përbënte një investim vërtet të madh. Sot ruhet vetëm një fragment prej tij.

Arti i mirë e pasqyron vetvetiu situatën e një zonë në një moment të caktuar. Ai i tregon influencat e ndryshme ndaj të cilave është ekspozuar. Është pasqyrë e historisë. Arkitektura islame shqiptare e pasqyron më së miri vendin e Shqipërisë në histori: në udhëkryqet e qytetërimeve lindore dhe perëndimore. Është pikërisht kjo arsyeja pse duhet të vajtojmë dhe të pendohemi për shkatërrimin e trashëgimisë së veçantë shqiptare dhe të tregohemi më të kujdesshëm me shembujt e saj të paktë të mbijetues.

Studimi im duhet parë si një hap për të mundësuar njohjen e trashëgimisë islame në Shqipëri thuajse krejtësisht e panjohur deri më tash. Duhet kuptuar gjithashtu si një përpjekje për të korrigjuar konceptet e gabuara, të dëmshme për mbarëvajtjen e marrëdhënieve midis popujve të ndryshëm të Ballkanit dhe si një përpjekje për të dhënë një panoramë më realiste të historisë gjatë epokës osmane. Por, edhe për të zgjuar interesin e botës perëndimore për historinë shqiptare dhe pasuritë e saj kulturore.

Në trend Kultura

Më shumë
Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kryerja e haxhit nga shqiptarët e Kosovës gjatë periudhës osmane

Kulture
Esat Pasha kishte parfum me emër të tij: Formula sekrete e princit të Skënderbeut!

Esat Pasha kishte parfum me emër të tij: Formula sekrete e princit të Skënderbeut!

Kompleksi i Prometeut

Kompleksi i Prometeut

Kulture
NDAL KËTU, KALIMTAR

NDAL KËTU, KALIMTAR

SHPIRTRAT E VDEKUR

SHPIRTRAT E VDEKUR

Maestro Janaq Paço

Maestro Janaq Paço

Kalo në kategori