LAJMI I FUNDIT:

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunimi në kulturë

Shqipëri-Kosovë, bashkëpunimi në kulturë

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe të Kosovës, në Prizren, ka përcaktuar edhe fushat ku dy Ministritë e Kulturës do të bashkëpunojnë.

Detajet u përvijuan në takimin mes Mirela Kumbaros e Memli Krasniqit, ku u diskutua edhe vijimësia e platformës së përbashkët të kalendarit artistik dhe detyrave të takimit të datës 21 nëntor 2013 në Tiranë.

Tanimë, synohet krijimi i një hapësire kulturore mbarëshqiptare e mbështetur në formë institucionale, ku hapësira kulturore e dy vendeve të trajtohet si një, por me më shumë qendra. Në këto qendra (Tirana, Prishtina, por edhe të tjera) do të duhet të komunikojnë lirshëm veprat artistike dhe kultura.

Përpos përmendjes së disa aktiviteteve të realizuara tashmë, u fol për fillimin e procesit të përafrimit të ligjeve për art, kulturë, me takim në nivel ekspertësh, përgatitje për një takim të madh mes drejtuesve të institucioneve artistike Kosovë – Shqipëri, analiza, kujdesi dhe veprimi i përbashkët për trashëgiminë kulturore etj. /GSH/BW/