LAJMI I FUNDIT:

Shprehitë jo korrekte dhe dhimbja e shpinës si pasojë e punës me kompjuter

Shprehitë jo korrekte dhe dhimbja e shpinës si pasojë e punës me kompjuter

Pozita jo korrekte e trupit gjatë kohës së qëndrimit ulur, sidomos gjatë punës me kompjuter rrit shanset e paraqitjes së dhimbjes së qafës dhe shpinës. Mund të vijë edhe deri te ndezja e tetivave dhe sindroma e tunelit carpal në dorë. Një arsye më tepër është edhe stresi ditor.

Dr. Fatos Kelmendi
Neurokirurg
QKUK – Klinika e Neurokirurgjisë, Prishtinë
tel. + 377 44 128 255
www.fatoskelmendi.com
dr.kelmendifatos@gmail.com
Ambulanca “Vita-hm”, Pejë
039 421 572 dhe 044 886 681

Edhe pse jeta moderne na imponon që në baza ditore të punojmë në kompjuter me orar të gjatë, ne nuk jemi të krijuar për këtë. Qëndrimi i gjatë para kompjuterit mund të shkaktojë dhimbje shpine ose qafe, e cila dhimbje ndikon negativisht në kualitetin e jetës sonë. Këto dhimbje shkaktohen si pasojë e lëvizjeve të përsëritura apo si pasojë e pozitës së detyruar të trupit. Dhimbjet e tilla janë më të shpeshta në dorë, qafë dhe pjesën e poshtme të shpinës.

Pse paraqiten dhimbjet te lëvizjet e përsëritura?
Të gjitha lëvizjet në trup janë të përcjella me dridhje, me ç‘rast vjen deri te dëmtimi mikroskopik i indeve. Në kushte normale pas një lëvizje të përfunduar, organizmi shumë shpejtë e rigjeneron dëmtimin indor të shkaktuar. Mirëpo, në situatën kur një lëvizje (e njëjtë) përsëritet shumë shpesh për një periudhë kohore të gjatë, organizmi nuk ka kohë për regjenerim. Si pasojë e kësaj vjen deri te grumbullimi i dëmtimeve mikroskopike, çka në fund paraqitet ndezja (inflamacioni) lokale dhe dhembja.


Në vendet e zhvilluara problemit të tillë i kushtohet mjaft rëndësi dhe në tastierën dhe miun e të gjithë prodhuesve të njohur botëror është e evidentuar kjo si paralajmërim. Në të kundërtën këto dhimbje janë të evidentuara si RSI (Repetitive Strain Injury) apo RMI (Repetitive Motion Injury).Dhimbja më e shpeshtë e lëvizjeve të përsëritura është tendinitis (e emërtuar si ndezja e tetivave). Tetiva është ind lidhor i fortë përmes të cilit lidhet muskuli për ashtin. Te lëvizjet e përsëritura ndezja më së shumti ndodh në vendin ku tetiva kapet për asht. Meqenëse tetiva ndodhet në mbështjellësin e saj si pasojë mund të shkaktohet edhe ndezja e saj, poashtu, në këtë rast bëhet fjalë për tendosinovitis. Duke pas parasysh mekanizmin e shkaktimit, simptomatologjinë dhe metodën e shërimit, nuk ka dallim në mes të tendinitisit dhe tendosinovitisit.

Gishtat e dorës janë më të ekspozuar RSI lëndimeve
Gjatë punës me kompjuter, më së shpeshti shkaktohen ndryshime në tetivat e gishtave dhe dorës. Shembull konkret është ndezja e tetivës së gishtit tregues, si pasojë e përdorimit të gjatë. Po ashtu, edhe përdorimi i një mausi/miu joadekuat, mund të shkaktojë ngarkesë shtesë në tetivat e dorës.

Simptomat dhe shkaktarët e tendinitisit
Simptomë kryesore e tendinitisit është dhimbja e cila paraqitet në nyjen e atakuar (sëmurë) dhe rritet gjatë lëvizjes së saj. Lëkura mbi tetivë mund të jetë e skuqur dhe e ngrohtë. Dhimbja ndonjëherë është e pranishme edhe gjatë natës kur dora ‘pushon’.
Ndonjëherë dhembja është aq e fortë sa pengon aktivitetet normale ditore: të shkruarit, pastrimin e dhëmbëve, etj.

Rreziqet bazë gjatë punës me kompjuter për paraqitjen e tendinitisit janë:
– Pozita joadekuate e dorës/trupit gjatë punës në kompjuter (shiko foton)
– Teknika jo adekuate e shtypjes në tast
– Puna që kërkon qëndrim të gjatë ulur në kompjuter
– Përdorimi i gjatë i kompjuterit (më gjatë se katër orë në ditë)
– Mosshfrytëzimi i pauzës gjatë punës në kompjuter
– Mungesa e ushtrimeve fizikale
– Thonjtë e gjatë (shkaktojnë pozitën jo adekuate të gishtave gjatë punës)
– Pozita ulur – stili i jetës
– Pagjumësia
– Sëmundjet tjera (diabeti, artriti reumatoid,

Pse lindin dhimbjet te pozita e detyrueshme e trupit?

Ngarkesa në pjesën e poshtme të shtyllës kurrizore nuk është e njëjtë në të gjitha pozitat e trupit. Ngarkesa është më e vogël në pozitën shtrirë, më e madhe gjatë qëndrimit në këmbë, dhe më e madhe në pozitën ulur dhe shtypja është më e madhe ulur/lakuar përpara.

Vet puna me kompjuter është e lidhur me qëndrimin për një kohë të gjatë ulur, ku si pasojë e kësaj rritet presioni në shtyllën kurrizore.
Problemi është edhe më i madh kur ulja në ulëse bëhet në pozitë jo adekuate, pa mbështetëse adekuate për shpinë, në pozitë të lakuar përpara, çka edhe është problemi në numrin më të madh të rasteve. Pozita jo adekuate e trupit gjatë qëndrimit ulur sjell deri te ngarkesa e vetëm një grupi muskujsh të shtyllës kurrizore, që si rezultat vjen deri te lodhja e tyre. Në raste më të lehta kjo manifestohet me dhimbje kalimtare të shpinës. Në raste më të rënda kjo manifestohet me sindromën miofasciale.Shtypja në boshtin kurrizor varësisht nga pozita

Karakteristikat bazë të sindromës miofasciale janë: dhimbja, ndjeshmëria lokale në shtypje, forcimi i muskulit të atakuar, zvogëlimi i forcës muskulore pa atrofi muskulare. Një prej arsyeve të dhimbjes së shpinës mund të jetë edhe hernia diskale.
Gjatë punës me kompjuter është shume ë e rëndësishme edhe pozita e kokës. Koka duhet te jetë në pozitë neutrale. Çdo pozitë e kokës e lakuar përpara gjatë punës i ngarkon muskujt e qafës ku në raste të lehta ka dhimbje qafe, ndërsa në raste më të rënda paraqitet sindroma miofasciale.

Si të parandalojmë dhimbjet e shpinës?
Për parandalimin e paraqitjes së këtyre dhimbjeve, një rëndësi të veçantë ka pozita adekuate e trupit gjatë punës me kompjuter.
Pozita duhet të jetë ashtu që shputa e këmbës të qëndrojë horizontalisht në dysheme, ndërsa kofsha dhe nëngjuri të krijojnë një kënd prej 90-110 shkallë. Shtylla kurrizore me kofshët duhet të formojë një kënd prej 100-120 shkallë, po ashtu koka duhet të jetë në pozitë neutrale.
Tastiera duhet vendosur ashtu që duart të jenë afër trupit dhe duart të jenë paralel mbi taste. Parakrahu dhe krahu duhet të jetë në kënde prej 90 shkallësh ose më tepër.
Mausi/miu duhet të jetë anash prej tastit dhe në të njëjtin nivel. Shumë njerëz e vendosin mausin nën nivelin e tastierës – ky është një gabim.
Monitori gjithmonë duhet te jetë para syve, që gjatë punës mos të lakohet koka.
Një element shumë i rëndësishëm është koha, sa gjatë punojmë pa u ngritur nga ulësja.
Kjo nënkupton ritmin adekuat të punës dhe pauzës (në pauzë nënkuptohen edhe ca ushtrime fizikale). Është e preferueshme një shëtitje e shkurtër apo dalja në ajër të pastër.

Metoda e shëndoshë e të jetuarit (ushqimi i mirë, gjumi i rregullt, rekreacioni, eliminimi i stresit), po ashtu parandalojnë paraqitjen e dhimbjes së shpinës gjatë punës me kompjuter.

Si ta shërojmë?
Në format e lehta është i preferueshëm pushim. Preferohet të ngrisim dorën në një nivel mbi trupin ‘pozitë antigravitacionale’. Një metodë tjetër efikase është ftohja e vendit të dhimbjes – në rast se keni këtë lloj problemi duhet bërë masazh me akull tri herë në ditë nga 20 minuta. Shërimi medikamentoz (me barna) i këtyre dhembjeve nënkupton përdorimin e antiinflamatorëve josteroid (Ibuprofen, diklofenak, naproksen) të cilët e zvogëlojnë dhembjen dhe e sanojnë inflamacionin (ndezjen).
Në raste shumë ekstreme aplikohet infiltrimi lokal i kortikosteroideve të cilët kanë efekt të fortë anti-inflamator.

Përzgjedhja e tastierës, mausit/miut
Edhe pse disa kompani të mëdha prodhuese reklamojnë taste dhe mausë të një cilësie të lartë, prapë nuk kanë siguri për mosparaqitjen e dhimbjes. Çdo tastierë dhe maus në vetë vete përmban një dozë të rrezikut. Para se gjithash duhet pas kujdes me pozitën e trupit në ulëse dhe pozitën e duarve në tastierë. Nuk ekziston tastierë dhe maus që në mënyrë universale i përgjigjen çdo njeriu. Në përshtatshmëri ndikojnë shumë faktor subjektiv si madhësia e shuplakës së dorës, gjatësia e gishtave, gjerësia e krahëve, etj. Sot janë në përdorim disa të ashtuquajtur ‘track ball’ mausa në të cilët nuk ka nevojë të përdoret gishti tregues, por gishti i parë i dorës.
Kjo në disa raste ndihmon mjaft.
/Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori