LAJMI I FUNDIT:

Shkencëtarët transformojnë qelizat e kancerit të pankreasit në qeliza normale!

Shkencëtarët transformojnë qelizat e kancerit të pankreasit në qeliza normale!

Rezultatet e një studimi të ri sugjerojnë që qelizat tumorale të adenokarcinomës së pankreasit mund të “detyrohen” të shndërrohen në qeliza normale.

Adenokarcinoma infiltrative duktale e pankreasit, që më së shumti i referohemi si “kanceri i pankreasit” renditet e katërta në kuadër të vdekjeve që shkaktohen nga sëmundjet tumorale në SHBA.

Mbijetesa 5 vjeçare është minimale, më pak se 5%.

80% e rasteve më këtë sëmundje i përkasin grupmoshave midis 60 dhe 80 vjeç, prandaj konsiderohet si sëmundje e moshave të mëdha.


Shenjat klinike të kësaj sëmundjeje përfshijnë: ikter obstruktiv, nëse kanceri është i pozicionuar në kokën e pankreasit; diskomfort abdominal; humbje në peshë; letargji; kruarje.

Grupi i shkencëtareve detyroi qelizat tumorale të prodhonin më shumë së normalisht një proteine të quajtur E47. Funksioni kryesor i kësaj proteine është të lidhet në një pozicion specifik gjatë sekuencës së ADN-së e në këtë mënyrë të kontrollojë gjenet që janë përgjegjëse për ndarjen dhe diferencimin qelizor. Sasia e shtuar e proteinës E47 bënte që qelizat të qëndronin më gjatë, “ngecnin”, gjatë fazës G0/G1 e për pasojë këto qeliza diferencoheshin në fenotipin e tyre normal.

Studimet in-vivo provuan që kur këto qeliza të ri-programuara gjenetikisht u injektuan tek minjtë kishin potencial shumë të reduktuar neoplazik.

Dy janë karakteristikat kryesore të kancerit të pankreasit:
▪ Është shumë invaziv, edhe në stadet e para mund të infiltrojë indet peripankreatike.
▪ Nxit një reaksion shumë të zhvilluar indor me pjesëmarrje kryesore të fibroblaseve dhe qelizave të tjera.

Këto karakteristika janë arsyeja kryesore pse ky lloj tumori ka një prognozë aq të keqe.

Agjentët citotoksik janë trajtimi kryesor që marrin pacientet e diagnostikuar me adenokarcinomë të pankreasit. Ky lloj medikamenti funksion mirë në qelizat që kanë indeks proliferativ të lartë, pasi ndërhyn pikërisht në procesin e ndarjes qelizore. Problem kryesor me agjentët citotoksik është se dëmton edhe qelizat normale të trupit, kryesisht vepron mbi palcën e kockave duke frenuar aktivitetin normal të saj.

Hulumtuesit shpresojnë që ky zbulim mund të hedhë dritë mbi terapi të reja për këtë sëmundje shumë të rrezikshme. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Keni herpes në buzë: Çfarë po ndodh në organizmin tuaj?

Kalo në kategori