LAJMI I FUNDIT:

Shkaku i migrimit, Dogana rrezikon të mos arrijë projeksionin buxhetor

Shkaku i migrimit, Dogana rrezikon të mos arrijë projeksionin buxhetor

Dogana e Kosovës, si institucion kryesor për mbushjen e arkës së shtetit, rrezikon të arrijë projeksionet buxhetore të të hyrave të parapara nga qeveria. Ndonëse ende nuk ka të dhëna se sa është ndikuar nga rënia e konsumit për arsye të migrimit të qytetarëve, kjo gjë do të dihet në muajt në vijim.

Këtë e ka verifikuar për KosovaPress, drejtori i përgjithshëm i doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna, i cili tha se vetëm gjatë muajit janar ka pasur 15 për qind më pak të hyra në krahasim me muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Por, përkundër kësaj, të hyrat e muajit janar janë mbuluar nga të hyrat e muajit shkurt, e që është arritur të realizohen 11 për qind më shumë të hyra se në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.


Rafuna thotë se këto të dhëna nuk janë pse është rrit konsumi, por si rezultat i reformave të brendshme doganore, vetëdijesimi i bizneseve dhe luftimi i kontrabandës.

Ai po ashtu ka thënë se ende nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e personave që kanë emigruar, por dihet që të gjithë ata që kanë emigruar kanë qenë konsumues e që kjo do të ndikojë në të hyra.

Mirëpo, Rafuna thotë se të hyrat për periudhë të njëjtë të vitit të kaluar, janë rritur për 8 milionë më shumë.

Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike vlerësojnë se këtë vit shteti do të realizojë më pak të hyra, kjo për shkak të rënies së fuqisë blerëse dhe rritjes së varfërisë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), thotë se Buxheti i Kosovës ka mundësi të rrezikohet nga migrimi pasi, sipas tij, kjo do të ndikojë në rënien e konsumit.

Ai thotë se duhet të shikohet se çka duhet bërë dhe si duhet të plotësohet boshllëku. Madje, dërgon mesazh që mos të përdoren metodat e ndëshkimit, por të bëhen vlerësime reale të dokumentacionit të bizneseve.

Edhe njohësi i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, thotë se vendi është duke u përballur me rënie të fuqisë blerëse dhe rritje të varfërisë.

“Fuqia blerëse e kosovarëve është duke rënë, pa marrë parasysh se një vit më parë ka pasur rritje të pagave në sektorin publik. Mirëpo, ngecë rritja e pagave në atë privat, ku është numri më i madh i të punësuarave. Ngecë punësimi dhe po rritet varfëria”, ka thënë Rexhepi përmes përgjigjeve elektronike.

Sipas tij, investimet publike janë të orientuara në ndërtimin e rrugëve dhe se nuk ka investime të huaja.

“Të gjitha këto ndikojnë që edhe konsumi të bie. Kjo pa dyshim se vërehet në sektorin e importit, i cili do të bie për shkak të rënies së fuqisë blerëse të brendshme, por edhe për shkak të rënies së çmimeve të disa artikujve në tregun botërore, si nafta, ushqimi. Prandaj është në dyshim të madh se a do të mundet Dogana të vjelë rreth një miliardë euro”, ka thënë Rexhepi. /KP/