“Ne jemi një shenjë që akoma nuk është lexuar. Nuk ndjejmë dhimbje, pothuajse e kemi humbur gjuhën, në dhera të huaj” – Holderlin
Nga: Mimoza Ahmeti
Ky kërkim është tashmë një gjetje që më duhet ta shpalos në formën e kërkimit, pasi bëhet fjalë për shenjat pa rrugë, të cilat dëshpërimisht po kërkojnë të ruajnë sinjalistikën e tyre për hir të mos ndryshimit të një funksioni-disfunksioni.
Përpara se të shtjellojmë pohimin e mësipërm, do të doja të flisja diçka për gravitetin mental, i cili është i hershëm sa njerëzimi dhe po aq i panjohur, pasi njohja kërkon distancim teknologjik prej mitit të mëndjes. Dhe tashmë ka ndodhur. Ju mund të studioni egon shumë më mirë në shkencën e onformatikës, sesa në atë të psikologjisë … Por, kjo është përtej këtij kërkimi.
Shenja është një rrugë tashmë e bërë, e dalluar si një shenjë. Historiket, ato, janë tipike shenja rrugësh të bëra. Modernët mendojnë se edhe njeriu është një shenjë. Nga jashtë, po. Kjo mbetet, megjthatë, për t’u vërtetuar!
Ata që e dinë që njeriu është një shenjë, përpiqen të mos identifikohen me asnjë shenjë, dhe të manaxhojnë ata që identifikohen me shenja dhe, ndoshta, pse jo, të nxjerrin edhe përfitime me këtë sipërmarrje taktike! Tekefundit, edhe besimi i zakonshëm, dhe i jashtëzakonshëm, është deri diku identifikimi me një mënyrë hapësirimi, sipas disa shenjave të përcaktuara më parë!
Të qenit e shenjës një rrugë e mpiksur, nuk është premtim që referimi ndaj saj do të na japë një rrugë të rrjedhshme, domethënë, një rrugë. Në të vërtetë shenjat nuk japin rrugë, pasi ato janë markime (shënjime) të asaj që është ecur, dhe me to krijohet ideja se mund të ecësh duke ndalur mundimet e ecjes.
Por, nuk është e thënë! Njeriu është i detyruar të mendojë, domethënë të eci. Komoditeti i hapësirës së siguruar prej shenjash (të shënuara), ka kohë që ka mbaruar. Në ditët tona je i detyruar të ecësh papushim, madje edhe kur rri në një vend, apo dhe në dhomën e gjumit, mëndja ecën, i duhet të. Dormancy(gjumë) brenda hapësirës së kuptimeve standard të shenjave, ky fenomen që mund të ndodhë prej konservimi ose prej frustrimi të qenies prej qenies, duket se po pakësohet me shtimin e politikës, që shënon, me këtë, edhe fundin e njeriut politik.
Por, atëherë si ta kuptojmë një shenjë?
Pararendës modernë na mësojnë se shenja merr vlerë në kontekstin e kuptimit dhe se është konteksti i kuptimit që i ve shenjat në një vlerë të re. Pra, kuptimi dhe shenjat janë në asimetri dhe në zhvendosje të vazhdueshme asimetrike. Kuptimi është forcë, shenja është simbol. Përdorimi i simboleve për forcë është e kundërta e forcës së simboleve … E para është violencë, e dyta është dritë.
Një nga dramat e njeriut është identifikimi me shenjën ose ndërgjegjen puro! Ndërgjegjja nacionale është një ndërgjegje puro, sepse është e pranuar pa vërtetim. Ndërgjegjja puro e përdor shenjën sikur të ishte natyrë e vetes njerëzore dhe jo mjet i saj.
Shenja është marrëveshje; shenja është një rrugë e mpiksur në një simbol që ndihmon rrugëtime të reja, duke edhe i penguar ato, pasi të gjitha shenjat përgjatë përdorimit mbajnë, lëvizin, orietojnë forcën në raporte tërësisht fizike me identifikim shënjësor, duke e krijuar rrugën që i krijoi. Midis langazhit shënjor dhe aksesit kuptimor, qenia balancohet, irritohet, reduktohet, rrebelohet, anulohet, qetësohet.
Njeriu do të duhej të shënonte në çdo çast të jetës së tij, por duke qënë dembel nga natyra dhe injorant prej pushtetit, kërkon të mbetet në shënjimet e shkuara, ose vrapon t’i fshehë ato, apo zhdukë, apo prapë t´i nxjerrë nga zhdukja, për nevoja të papritura të prapësisë së tij. Nga nevoja e rangut, sidomos!
Së fundmi po dalin në skenë shkrimtarë dhe patriotë të panumërt, që i paskëshim pasur dhe truajtur! Ata qënkan patriotët që i mohuam në kohën kur na duheshin dhe i mihim e vëmë në poltronën e logosit politik ende pa ua shkundur pluhurin e harrimit tranzito-post-komunist, që u hodh mbi ta!
Njeriu vdes, ndërgjegjja nuk vdes. Është në dorën e sistemeve nëse një ndërgjegje merret apo jo në përdorim, thotë Luhmann. Por, këtu duhet shtuar se marrja apo refuzimi, mbulimi apo rimarrja, u bëkësh për diçka më të rëndësishme sesa ndërgjegjja puro e një ndërgjegjeje, qoftë edhe kombëtare, e këtu duhen hapur pak sytë. Madje duhen hapur shumë!
Akoma nuk e dimë, nëse shpirti kërkon të ushqehet me shpirt për nobilitet apo dominim. E dyta është ushqimi i barbarëve!
Duke kaluar nga barbaria te qytetërimi, megjithëse duken kaq të ndryshëm si rrafshe, trupi dhe mendja, shtojnë ose pakësojnë energjinë e njeri- tjetrit në formën e qenies.
Kjo shtrirje fushe apo hapësirizim i qenies, në mes meridianëve truporë dhe binarëve kuptimorë, të cilët shndërrohen te njeri- tjetri duke zmadhuar ose reduktuar hapësirën energjetike, deri në dhënie jete në fushëbetejat e kuptimit, qëquhen luftë, kjo mbetet një fenomen i vazhdueshëm autopoiesi -vetorganizimi.
Procesi i qenies procedon pa pushim dhe shfaqet gjithmonë në kohën Tani. Por, kjo nuk do të thotë se jetojmë në të tashmen.
Ne mbahemi tek ajo që na mban, thotë Heideger. Ndoshta njeriu kërkon aq shumë kur mundohet të mendojë, saqë bën shumë pak. Ajo që mbetet gjithmonë për t´u menduar është mendimi më nxitës (provokativ). Poetët janë ata që guxojnë të mendojnë pa pushim, por edhe ata përdorin shpesh shenjat, domethënë, gjuhën. Frymëzimi, si gjuhë e shtuar, është hyjnore dhe nuk vjen pa pushim!
Natyra tragjike e fushës virtuale, apo mendimit, gjithmonë ka rezultuar e tillë prej identifikimit të njeriut me shenjat. Njeriu gjithmonë i ka ngatërruar shenjat me rrugët, pa mundur të lerë shenjën e vet. Kështu Hamletit iu bë e padurueshme jeta, kur kuptoi se e ëma, ajo zonjë grua, kishte kërkuar dashurinë në një rrugë pa shenja. Dhe kjo rrugë pa shënjim, që quhej tradhti, u duk se i kriminoi të gjithë, jo vetëm brezin e vjetër por edhe më të riun. Por e vërteta e padukshme është se ata të gjithë kriminuan për hir të kodit të vjetër, domethënë shenjave.
Këtu ndalemi në idenë se nevoja për ta shënuar momentin e tashëm me emrin e vet, është jo vetëm e domosdoshme, por edhe shpëtuese.
Rrugët pa shenja njohin sanksione, ndërsa shenjat pa rrugë kërkojnë viktima. Në këtë dualizëm përpëlitet njeriu, për të mos qenë thjesht produkt!
Ajo që veçanërisht është interesante dhe që nuk ka ndodhur rrallë me një vend si yni, është implementimi dhe përdorimi i shenjës pa rrugë për përfitim të hapur të të tjerëve.
Le të supozojmë se komunizmi është një shenjë, sikurse edhe është. Si teori u themelua nga një shënues që e markojmë me emrin Marks. Në numrin masiv të njerëzve të funksionit, që quhej vendi ynë, Shqipëri, implementimi i kësaj shenje solli një gjendje sociale dhe shpirtërore aspak të këndshme; së pari se kjo shenjë nuk ishte esenciale për kontekstin tonë, pra nuk buronte natyrshëm prej besimit, së dyti, në tërësinë e lidhjeve përtej kontekstit, ajo shenjë funksiononte si një kundërfunksion komplementar, që krijon kufirin e kordës midis hapësirave, pra linte të shënuarin, ne, jashtë zonës së privilegjuar, apo që ndryshe do ta quaja zona e zhvillimit të esencave prej besimit.
Ajo që për momentin po ndodh përsëri në hapësirën tonë shoqërore, në një formë tjetër, është rimarrja e shenjave historike, por përsëri për efekt të brigjeve të funksiont(global) duke na përdorur si kundërfunksion. Zhvillimi i signifikancës së këtyre shenjave historike tani, pra i esencave të vjetra që me dhunim i holloi komunizmi dhe për më shumë se çerek shekulli i zhvlerësoi tranzicioni, tregon për tensionin në brigjet e kordës së ndarjes së kufijve, midis hapësirash që zhvillojnë esencat në mënyrë të privilegjuar apo natyrale në fushën e besimit të tyre dhe hapësirash si e jona e cila e zhvillon besimin në mungesë besimi, me shenja gjithmonë jashtë hapësinore, jo esenciale.
Për këtë arsye do ta përcaktoja identitetin tonë si rudimentar dhe të zhvilluar në mungesë identiteti. Jetesa- si- mbijetesa ka qenë dhe mbetet i vetmi reflektim masiv yni, ndërsa shpirti ka qenë gjithmonë një instrument përtej esencës së besimit, për të mbajtur gjallë jetën. Nga kjo pikëpamje ne shumë pak e kemi shijuar qenien tonë, sepse ajo pak ka qenë qenie, dhe kemi qenë të detyruar të përjetojmë në inversin tonë, si qenie në mosqenie, me shenja që nuk transpirojnë esencat tona por i mbulojnë ato, duke na frustruar në limite.
Nuk është e rastit që në hapësirat shënjuese të paqes globale vendosur edhe prej raketash bërthamore, ka filluar të shkëlqejë shpata e vjetër e Skënderbeut dhe nacionalizmi rilindas. Këto shenja po rimerren dhe inforcohen jo për të na kthyer privilegjin e përjetimit të besimit, por për të na fshehur rrugët, me një shenjë pa rrugë, historike, pasi proceset e historizmit tonë i kanë tejkaluar tashmë detyrat; Ne duam të marrim pjesë në funksionin global jo si kundërfunksion, por si vazhdimësi natyrale e tij, e zonës së privilegjuar nga besimi.
Natyrisht në hapësirën shënjuese nuk ka shenja pozitive dhe negative në kuptimin natyral. Ato bëhen të tilla vetëm nëse funksionojnë apo nuk funksionojnë pozitivisht, nëse sigurojnë vazhdimësi logjike apo jo, nëse të fusin brenda zhvillimit apo të lenë jashtë, në margjinë, nëse të integrojnë apo konfliktuojnë, nëse ke kapacitet intelektual t´i absorbosh, apo të lesh veten të të absorbojnë … Nga kjo pikëpamje, identifikimi me shenjat është shumë i padobishëm, pasi ato janë mjete për të ndarë rrugët dhe hapësirat. Është njësoj si një shofer, kur ecën, në vend që të vazhdojë rrugën, të godasë shenjën e trafikuk, sepse është i fiksuar me të.
François Julien, kinezolog bashkëkohor, nuk gjen në filozofinë kineze ndonjë princip si projeksion universal, pra ndonjë shenjë për të identifikuar gjithçka dhe gjithkënd. Përkundrazi, ai na flet për një filozofi të manaxhimit të resurseve, për një organizim pa kufizime drastike politike, për modelime që ju ngjajnë lëvizjeve të erës që lëvizin helikat dhe atyre të burimeve që sjellin ujin.
Janë në dyshim të gjitha fondamentet e identifikimit të deritanishëm, në lëmin e shoqërisë dhe atij farefisnor(gjakut). Shoqëria tenton drejt një zone të bardhë që është organizimi i panjohur me një identifikim- natyrë-ekologji-jetë.
Proceset materiale dhe kuptimore ecin më shpejt sesa ato linguistike, aq saqë duket sikur një funksion shfaqet në gjuhë pasi ai e ka mbaruar krijimin e tij në kuptim, dhe vetëm përsërit vetveten për të tjerët aty, pra nyjëtohet në fjalë për tu bërë tautologji(përsëritje).
Mos identifikimi me shenjat por përdorimi i tyre për efekte hapësirëzimi, është një çështje sa strategjike aq edhe sfiduese sot e subjektit. Drama e zhveshjes nga identifikimi është në të njëjtën kohë edhe dilemma e së ardhmes emocionale, pra, jetës në shpirt!
Sa më shumë identifikime të pabesimta bëjmë në jetën tonë, për arsye të frustrimit ndaj tjetrit, aq më e varfër është jeta jonë shpirtërore dhe ekzistenca bëhet mizerabile edhe në mes të luksit, dhe krimi paraqitet si i vetmi vend ku psikika identifikon pakënaqësinë në formë lirie.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje