LAJMI I FUNDIT:

Shefi dhe shtatë zëvendësat

“Prej këtyre mund të na shpëtojë veç NATO”, po shprehej me zë, një kritik i dëshpëruar për shtresën e oligarkëve të rinj, të cilët tashmë përmes partisë shtet i kanë marrë në dorë krejt institucionet dhe e kanë kapur përbirë demokracinë. “S’ka demokraci”, po thoshte, “s’ka reforma”! Ndërkohë që partia shtet ende flet për reforma, të cilat si duket, ende nuk i ka përfunduar.

Partia jonë shtet, e kapur në flagrancë me krimin, po bënë përpjekje për me reformua imazhin. Jo strukturën, sepse një strukturë efikase nuk preket. Një strukturë që e krijoi malin e parave mbi të cilin pushon maja e piramidës, nuk bënë të preket. Mund të preken individët, por jo struktura. Prandaj, erdhi reforma – për individët.

Ndërkohë, hezi i militantëve të reformës pas marrjes së majës së piramidës në parti, ka rënë. Çka të bëhet? Dilema nuk është aspak morale as qytetëruese! Ka të bëjë vetëm me fundin e procesit! A po mbyllet, pra, me një remi, krejt loja e shahut në partinë-shtet, apo me një pat pozicion ku grupet dhe individët, për kënaqësinë e publikut, edhe një kohë do të shahen rëndë dhe zhagiten me vite nëpër gjykatat e korruptuara vendore dhe ndërkombëtare ?


Zakonisht mendohet se kur maja merret, duhet krijuar paqja. Pritet gjithashtu se, për shkak të kooperimit (gjeo)politik , majat e piramidës do të shpërblehen nga vetë maja e globalizmit? Se globalizmi, zakonisht, me pragmatizëm i përdorë strukturat “efektive” në vendet që nuk kanë institucione demokratike ose janë ende duke i ndërtuar ato. Por, të shikojmë radhën.

Fjala reformë ndoshta është tepër pretencioze, por mund të flitet për riformatim. Si duket, tani për tani ky riformatim u krye me suksese gjysmake. Kështu, kryetari i partisë-shtet u rrethua me shtatë nënkryetarë dhe kjo vetëm në ëndërr asocion me Borbardhën simpatike dhe njerkën e keqe! Shtatë shkurtabiqët, natyrisht, vetëm në përrallë janë simpatikë. Edhe Borbardha. Në partinë-shtet, të shtatët, të fuqishmit, e kanë krijuar një tampon zonë në mes shefit dhe strukturës së rebeluar. Populli, pra, po komunikon drejtpërdrejtë me përrallën.

Por, a ishte kjo përrallë e rrëfyer para mediave veç një përpjekje për me e mbajt në gjumë “kombin tonë pesëvjeçar” i cili ende po përkundet me përralla? Se historia, siç dihet, ka filluar me këta! Përpara ka qenë krejt mjegull!

“Agitpropi” joformal i partisë-shtet, e ka kapë krejt vëmendjen e publikut. Askënd nuk e lë të flasë nëpër lagjet tona mediale e virtuale. Kjo formë grindavece e shantazhit dhe snajperizmit publik paraqet kulmin e marrëdhënieve publike të partisë që po riformatohet. Kjo IT-terminologji e mbetur nga koha e ëndrrave për luginën kosovare të silikonit, me të cilën Qeveria na pat hipnotizuar, po përdoret për të mbuluar mungesën e reformës demokratike.

Është veç riformatim dhe ripozicionim. Ndërrim karrigesh! Oligarkia po i kapë pikat e vendimmarrjes në parti dhe po e shemb demokracinë e saj të brendshme. Këndej e tutje, meritokracia mund të funksionojë veç si shërbëtore e zellshme e oligarkëve. Ose nuk u njihen meritat. Me ligj!

Një formë e re, pak a shumë gebelsiane e komunikimit është bërë “zëri” informal i shefit dhe shtatë zëvendësve. Tash, ka mendime se “agitpropi” i përgjigjet shefit real, e zëdhënësi është zë i kompromisit formal. Pyetja se kush është shefi ngjanë me pyetjen e lashtë se cila është më e vjetër: veja apo pula!

“Po dihet puna e tyne ma”, klithin militantët e partisë-shtet! Për kundërshtarët, të cilët i kanë ndarë dhe po i “hanë” individualisht! Dikë me dosje, dikë me shantazhe! Dikë me shkop, dikë me karotë!

Në emër të kujt flet “agitpropi” ? Këtë mos e lidhni kurrqysh me individë që flasin, e bëjnë zhurmë, “martirizohen” dhe marrinë mbi vete mërinë popullore, por më tepër me ata që nuk flasin. Ata që tërheqin penjtë e kukullave politike! Derisa rreth kësaj ka dilema, nuk ka asnjë dilemë se ky kërcënim që vjen nga “agitpropi” u drejtohet atyre në emër të të cilëve u bë shumëçka në vitet e fundit. Edhe atyre në oborrin e të cilëve bosët hyjnë, por nuk hyjnë edhe në odë! Veçanërisht u drejtohet ish-luftëtarëve dhe ish-të përndjekurve politikë. Në emër të tyre dhe me ndihmën e tyre u pasuruan, por tash ata janë bërë pengesë për oligarkët e rinj.

“Kryetari i PDK-së, i zgjodhi nënkryetarët sikur veten”, kështu deklaroi një ish-nënkryetar i partisë shtet, duke nxitur nënqeshjen e lehtë, qoftë të atyre që e kapën apo edhe të atyre që nuk e kapën nëntekstin e kësaj deklarate.

Ish-nënkryetari, një komandant i suksesshëm i luftës çlirimtare, rreth emrit të së cilit makineria ka shpërndarë shumë (dez)informata në terren dhe i cili tash disa vite mbahet peng i oligarkëve, në njëfarë mënyre u distancua nga ata, duke e pranuar se forma e zgjedhjeve në parti ka qenë legjitime, por përmbajtja e diskutueshme. Sado kundërthënëse mbase, kjo deklaratë e shpalosë thelbin e “reformës”. Partia e luftës po riformatohet për interesa të atyre që përfituan nga lufta dhe paslufta. Ranë në krah të majtë dhe u quan në të djathtin, u shpreh dikush!

Tash dilema themelore mbetet: a do të arrijnë që fajësinë për gjithçka ta delegojnë te meritokracia, kjo shtresë e gjerë e njerëzve (mbi 40 mijë luftëtarë drejtpërdrejtë të UÇK-së dhe disa mijëra ish të përndjekur politikë në tërë Kosovën), të cilët dorën në zemër e kanë mbështetur dhe fuqizuar oligarkinë krejtësisht për motive tjera, kombëtare. Është tjetër gjë se ajo në emër të tyre po mbushte xhepat e vet. Dorën në zemër, tash edhe një pjesë e vogël e elitës së këtyre meritokratëve, atyre pranë bosëve, nuk u nda pa gjë, por pjesa dërmuese e këtyre shtresave edhe sot e kësaj dite mbetën ashtu si kishin qenë.

“Reforma”, po rrapëllon zhurmshëm. Krejt kësaj i dha një dozë hutie edhe loja me dy kuaj, në fushën e marrëdhënieve publike. Një zyrtar formal i partisë që jep deklarata zyrtare dhe një zyrë joformale e partisë e cila po e godet partinë, pjesën tjetër të partisë, përkatësisht atë që po përpiqen ta paraqesin si konservatore. Ndarja klasike në skiftera dhe pëllumba nuk duket e përshtatshme në këtë rast. Me gjasë, sikurse edhe në kohën e dikurshme, lufta kryesore për demokratizimin e shoqërisë po zhvillohet në radhët e partisë-shtet. Shtresa e hollë e oligarkëve të rinj gjithsesi do të kalkulojë interesat e veta dhe prej tyre varet se çfarë rruge do të marrë ky vend, nëse ndërkohë nuk shpërthen revolta qytetare! Nëse nuk shpërthen revolta në partinë shtet. Varianti më i dhimbshëm për shoqërinë kosovare do të ishte një remi, apo një pat pa afat.

Nga mesi i vitit pritet të përmbyllet edhe strukturimi i meritokracisë. Shoqatat e ish-luftëtarëve dhe ish të përndjekurve, deri atëherë do të zhvillojnë diferencimin pro at contra oligarkëve të rinj. Krejt kjo është një lojë përtej lirisë, për të cilën këta ishin angazhuar. Përtej lirisë të cilën konsiderohet të jetë fituar tashmë! Prandaj, meritat e reja tashmë njihen veç nga maja e piramidës. Në fakt, edhe meritat e vjetra varen drejtpërdrejtë nga oligarkët. Kjo u jep fuqi ta rreshtojnë meritokracinë në vijën e interesave të veta. Nëse jo krejt, së paku pjesën më të madhe. Pjesa tjetër i nënshtrohet “trajtimit special”!

“Prej këtyre mundet me na shpëtua vep NATO”, po më tingëllonte në vesh zëri i kritikut të dëshpëruar. Por, edhe atyre po u duhen njëherë! Për projekte madhore! Për ta krijuar paqen! Se lirinë nuk e gjetën në mesin tonë! Atë na e sollën!